Me Shqipërinë e dua “Euro 2020” dhe kalimin në një klub të madh
Eros Grezda është ylli shqiptar që po shndrit në Evropë me Osijekun, por edhe me fanellën e Kombëtares shqiptare. Ai ka realizuar golin e parë në miqësoren ndaj Turqisë, kurse synim e ka sigurimin e Kampionatit Evropian “Euro 2020” dhe transferimin në një klub të madh evropian. “Ëndërroj të nënshkruaj për një klub të madh në njërën prej ligave kryesore në Evropë dhe në kombëtare të vazhdoj me këtë ritëm duke e siguruar edhe kualifikimin në Kampionatin Evropian ‘Euro 2020’”, ka thënë Grezda.
Futbollisti me prejardhje nga Gjakova, Eros Grezda, është një prej lojtarëve më të mirë shqiptarë në botë. Ai në vitin 2017 ka shkëlqyer me skuadrën NK Lokomotiva, kurse gjatë verës është transferuar te Osijeku. Ndërsa në Kombëtaren e Shqipërisë është shndërruar në një prej lojtarëve kryesorë, ku edhe ka shënuar golin e parë me fanellën kuqezi.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Eros Grezda ka thënë se synimet e tij janë edhe më të mëdha në të ardhmen. “Deri më tash viti 2017 ka qenë më i suksesshmi për mua, por nuk do të ndalem me kaq. Normalisht se kam synime edhe më të mëdha që në të ardhmen të nënshkruaj me njërën prej ekipeve të mëdha në pesë ligat më të forta në Evropë, ku do të kisha dëshiruar të transferohem në Bundesliga ose Seria A. Synime të mëdha kam edhe në kombëtare që ta ruaj pozitën e titullarit dhe të kontribuoj sa më shumë që është e mundur për arritjen e objektivave që kemi për të ardhmen, pra kualifikimi në Kampionatin Evropian”, ka deklaruar Grezda.
“Epoka e re”: Eros, tashmë jeni shndërruar në yll futbolli. Na tregoni pak për fillimet e juaja në këtë sport?
Grezda: Unë kam filluar të merrem me futboll nga mosha shtatëvjeçare, kurse KF Prishtina i jam bashkangjitur në moshën 10-11 vjeçare.
“Epoka e re”: Keni qenë pjesë e grupmoshave të “Ramiz Sadikut” dhe Prishtinës, por në cilën moshë keni debutuar në ekipin e parë?
Grezda: Kam qenë pjesë e grupmoshave të Prishtinës deri në moshën 14-vjeçare, pastaj kam vazhduar të jam pjesë e grupmoshave në shtetet e BE-së, si në Gjermani, Belgjikë dhe Kroaci, ndërsa debutimin për ekipin e parë e kam pasur në skuadrën austriake GAK të Grazit në vitin 2012.
“Epoka e re”: Ngritja e juaja e madhe si futbollist erdhi pikërisht te skuadra kroate, Lokomotiva Zagreb. Pse keni zgjedhur pikërisht skuadrën e Osijekut për ta vazhduar karrierën e jo një skuadër tjetër jashtë Kroacisë?
Grezda: Po ashtu, pata mundësi t’i tregoj vlerat e mia menjëherë pas kalimit në Lokomotiva të Zagrebit, ndërsa kalimi im në skuadrën e Osijekut ishte mendim dhe vendim shumë i qëlluar pasi që ishte ekipi që nuk hezitoi dhe ishte më i shpejti në plotësimin e kërkesave dhe dëmshpërblimit tim te NK Lokomotiva.
“Epoka e re”: Cila është skuadra më e madhe që ju ka kontaktuar dhe pse nuk i jeni bashkuar?
Grezda: Ka pasur kontakte nga klube dhe kampionate të ndryshme, por NK Osijek ishte më i shpejti dhe besoj se nuk kam gabuar që e zgjodha pikërisht këtë skuadër për ta vazhduar karrierën time.
“Epoka e re”: Tashti jeni pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë, por na tregoni pak rreth angazhimit tuaj të parë në Kombëtaren për grupmoshat e reja?
Grezda: Kam qenë pjesë e shumë grumbullimeve të Kombëtares që nga grupmoshat U17, U19 dhe U21. Asnjëherë nuk jam dorëzuar. Jam angazhuar edhe më shumë dhe në fund arrita të zë vend në U21 të Kombëtares së Shqipërisë.
“Epoka e re”: Krahas Shqipërisë, shqiptarët e kanë edhe një tjetër ekip përfaqësues, Kosovën. A keni pasur ndonjëherë kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), apo me ish-përzgjedhësin, Albert Bunjaki?
Grezda: Kontakte nuk kam pasur me Federatën e Futbollit te Kosovës e as me ish-trajnerin Bunjaki. Dëshira dhe synimi im vazhdimisht kanë që të jem pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, pasi ngjyrat kuqezi janë në zemrën time.
“Epoka e re”: Ftesa nga Kombëtarja A erdhi pikërisht në momentet kulmore që kishit në skuadrën e Lokomotivës. Na tregoni pak emocionet që kishit kur kuptuat se bëni pjesë në projektin e trajnerit italian Gianni de Biasit?
Grezda: Po, ftesa erdhi në momentet më të mira që kisha dhe kur fitova vlerësime të larta nga kampionati kroat dhe e kisha kuptuar më herët që ish-përzgjedhësi De Biasi dhe ndihmësi i tij në atë kohë, Paolo Tramezzani, na kishin bërë me dije se do të marrë ftesë në grumbullimin e ardhshëm në tetor të 2016-s kundër Lihtenshtajnit dhe Spanjës.
“Epoka e re”: Viti 2017 ka qenë i suksesshëm për ju, pasi jeni transferuar në skuadrën e Osijekut, jeni bërë pjesë e rëndësishme e kombëtares dhe, po ashtu, keni shënuar edhe golin e parë në fanellën kuqezi. A mund ta quajmë si vitin më të mirë të Grezdës, apo synimet nuk përfundojnë këtu?
Grezda: Deri më tash viti 2017 ka qenë më i suksesshmi për mua, por nuk do të ndalem me kaq. Normalisht se kam synime edhe më të mëdha, që ta nënshkruaj me njërën prej ekipeve të mëdha në pesë ligat më të forta në Evropë, ku do të kisha dëshiruar të transferohem në Bundesliga ose Seria A. Synime të mëdha kam edhe në kombëtare që ta ruaj pozitën e titullarit dhe të kontribuoj sa më shumë që është e mundur për arritjen e objektivave që kemi për të ardhmen, pra kualifikimi në Kampionatin Evropian.
“Epoka e re”: Golin e parë me fanellën kuqezi ia keni dedikuar babait tuaj, Gencit. A do të thotë se është pikërisht babai ai që ju ka përkrahur për rrugëtimin në majat e futbollit?
Grezda: Babai im ka dhënë kontribut të papërshkrueshëm që unë të jam këtu ku jam. Gjithmonë e kam pasur mbështetjen e tij maksimale, prandaj ai është meritor për sukseset e mia.
“Epoka e re”: Shqipëria dhe Kosova ishin pjesëmarrëse në kualifikimet për Kupën e Botës “Rusi 2018”, por dështuan të kualifikohen. Si i vlerësoni këto kualifikuese?
Grezda: Të dyja kombëtaret ishin pjesëmarrëse në kualifikime. Shqipëria e kishte grupin e vështirë dhe besoj se synimet për ta fituar vendin e tretë i ka arritur. Ndërsa për Kosovën mund të them se është paraqitur shumë mirë dhe ka dhënë sinjale se në të ardhmen mund të arrijë suksese historike. Në kualifikimet për Botërorin “Rusi 2018”, Kosova e kishte grupin e vështirë dhe mospërvoja e saj bëri të vetën.
“Epoka e re”: Cilat janë shanset e Shqipërisë dhe të Kosovës që të sigurojnë një vend në evropianin e ardhshëm?
Grezda: Besoj se kemi skuadër shumë kualitative të kualifikohemi në Evropian, kurse për Kosovën mund të parashikoj se do të jetë më e pjekur dhe rezultatet do të jenë shumë të mira së në kualifikimet për botëror. Me shumë gjasë shqiptarët në evropian do t’i kenë dy skuadra që i përfaqësojnë.
“Epoka e re”: Arritjet e gjertanishme në aspektin personal kanë qenë të mëdha, por cila është ëndrra e madhe e Eros Grezdës?
Grezda: Siç e potencova edhe më parë, ëndërroj të nënshkruaj për një klub të madh në njërën prej ligave kryesore në Evropë dhe në kombëtare të vazhdoj me këtë ritëm duke e siguruar edhe kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2020”.
“Epoka e re”: Eros, për fund një përgjigje e juaja do t’u interesonte të gjithë shqiptarëve, rreth debatit se cili lojtar është më i miri në botë, Cristiano Ronaldo apo Leo Messi?
Grezda: Vështirë të bëhet një krahasim mes tyre por, sipas mendimit tim, Ronaldo është më i mirë se Messi.
(Veton ZYMBERI)