Shqipërisë i duhet fitorja ndaj Bjellorusisë për vendin e parë në grup
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sot (e mërkurë) e zhvillon ndeshjen vendimtare ndaj Bjellorusisë për vendin e parë në grup. Edy Reja, në konferencën për shtyp para ndeshjes përcaktuese për vendin e parë në grup, ka thënë e nuk do të bëjë ndryshime të mëdha në formacion krahasuar me atë të ndeshjes së fundit kundër Kazakistanit.
“Duhet të jemi të qetë, të kemi siguri. Duhet të kemi besimin e njerëzve dhe stafit teknik. Të qëndrojmë të qetë. Presioni është pjesë e futbollit. Kemi cilësitë e duhur për të bërë një ndeshje futbolli. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Duhet të kemi ekuilibër përgjatë 90 minutave. E rëndësishme është që të mos humbim ekuilibrin. Bjellorusia është një skuadër që mblidhet mirë pas dhe ka kundërsulm të shpejtë. Duhet ta menaxhojmë ndeshjen sipas situatave të krijuara. Nëse ruajmë ekuilibrin do të bëjmë gjëra të mira”, ka thënë Reja, duke shtuar: “Kur caktohen datat, nuk mund të lëvizim. Kishim dëshirë të luanim në një fushë tjetër, për shkak të terrenit, por nuk ishte e mundur. Di që është punuar për ta rikthyer fushën në një gjendje sa më optimale. Fusha do të jetë njësoj për të dyja skuadrat, kush është më i zoti do të fitojë”.
Për ndeshjen ndaj Bjellorusisë ka folur edhe kapiteni i kombëtares kuqezi, Etrit Berisha. Ky i fundit ka thënë se Shqipëria ka cilësi për ta fituar ndeshjen. “Sfida me Kazakistanin ishte shumë e rëndësishme, ishte një hap i mbarë. Fillimi i mbarë, ishte gjysma e punës. Unë mendoj që kualitetin e kemi, duhet të jemi të qetë. Kemi më shumë cilësi se ekipet e tjera. Duhet të futemi të qetë për të fituar ndeshjen. Gjithë çunat janë të vetëdijshëm se duhet të japim maksimumin”, ka thënë Berisha.
(Epoka e re)