Shqipërisë i shtohen edhe gjashtë raste me koronavirus
Janë konfirmuar 6 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri. Me rastet e fundit, numri total i të infektuarve shkon në 795. Lajmi është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga rastet e reja, 1 është regjistruar në Tiranë dhe 5 rastet e tjera janë në Krujë dhe Kurbin.
Deri më tani betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 31 persona.
Njoftimi i plotë i ministrisë:
Ju informojmë për situatën epidemiologjike të përhapjes së COVID19 në vend dhe për lehtësimin e masave nga dita e hënë.
Nga 197 testimet e kryera gjatë 24 orëve të fundit për persona të dyshuar me COVID-19, janë vetëm 6 raste pozitive, që i përkasin Krujës dhe Kurbinit dhe vetëm 1 rast pozitiv në Tiranë. Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 795 qytetarë, por në këto momente pothuajse 67 % e tyre rezultojnë të shëruar.
Gjatë 24 orëve të fundit një tjetër zonë e Shqipërisë rezulton me risk të ulët për transmetim të infeksionit, që është Fieri dhe numri total i të shëruarve shkon në 531. Sa i përket personave që aktualisht janë aktivë me COVID19, Kruja është në vend të parë me 91 raste, e ndjekur nga Tirana, Kurbini, Shkodra dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID19.
Pjesa më e madhe e rasteve aktive po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive. Ky është një tregues i rëndësishëm që evidenton faktin që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale.