Shqipërisë i shtohen edhe tetë të infektuar me Covid-19

08 maj 2020 | 11:39

Vetëm tetë raste të reja të të infektuarve janë konfirmuar në 24 orët e fundit me Covid-19 në Shqipëri. Me këta të infektuar, numri i përgjithshëm i tyre arrin në 850.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik sot dha hollësitë e rasteve të reja dhe atyre të vjetra:

Në 24 orët të fundit janë testuar 238 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 8 qytetarë, të shpërndarë, në Tiranë 3 raste, Krujë 2 raste, Shkodër 1 rast, Fier 1 rast dhe Kamëz 1 rast.

Gjithashtu janë kryer 18 testime në personel mjekësor dhe pacientë tek shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT dhe të gjithë të testuarit kanë rezultuar negativë për COVID19.

Gjatë këtij muaji është trefishuar numri i testimeve. Aktualisht kemi një indikator pozitiviteti nën 5 %, një indikacion shumë i mirë lidhur me kontrollin e virusit.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë kryer mbi 10 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 850 qytetarë. 620 qytetarë tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 199 persona aktivë me COVID19.

Momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 30 pacientë dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive.

Ashtu siç jeni në dijeni, në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT, po vazhdon proçesi i testimeve serologjike për grupet më të riskuara, ku përfshihet dhe validimi i tyre në lidhje me specificitetin dhe sensitivitetin ndaj COVID19.

Deri tani janë testuar 440 staf mjekësor dhe pacientë të konfirmuar, me një nivel 11.2 % të pozitivitetit të përgjithshëm. Këto janë rezultate paraprake dhe në ditët në vazhdim pritet të merret një kampion më i madh, kështu që këto rezultate mund të ndryshojnë. Në një fazë të dytë do të zgjerojmë testimin në popullatë për të parë % e saj që e ka kaluar sëmundjen.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kim Kardashian vazhdon të jetë aktive gjatë bllokimit duke u…