Shqipet e Zvicrës sot përballen me Serbinë

22 qershor 2018 | 12:56

Zvicra e Behramit, Xhakës, Shaqirit dhe Xhemailit sonte, me fillim nga ora 20:00. përballet në Kupën e Botës me Serbinë. Fitorja ndaj kësaj skuadre për futbollistët me prejardhje shqiptare është më shumë se një triumf i zakonshëm në sport.

Kombëtarja e Zvicrës, pas mrekullisë që bëri në ndeshjen ndaj Brazilit, sonte (e premte) përballet me Serbinë. Kjo ndeshje është e veçantë pasi vazhdon të ketë ende tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve, e ku në këtë ndeshje pritet të luajnë që nga fillimi katër yjet e Zvicrës që janë me prejardhje shqiptare: Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Blerimi Xhemaili. Suksesi në ndeshjen e parë ndaj Brazilit favorit dhe rivali i sotëm është një detyrim për shqiptarët që të triumfojnë dhe ta vazhdojnë rrugëtimin në Kupën e Botës. Serbia e mposhti në ndeshjen e parë Kosta Rikën dhe është e para në grup me tri pikë, por ndeshjet e dyta do të bëjnë ndryshime në pikët e Grupit E. Kjo ndeshje ka zënë një vend të rëndësishëm jo vetëm në mediet shqiptare, por edhe ato zvicerane dhe serbe. “Me Xhemajlin, Xhakën, Shaqirin e Behramin, katër lojtarë të Zvicrës me prejardhje shqiptare, ndeshja për shumëkënd interpretohet si duel midis Serbisë dhe Shqipërisë”, shkruan tabloidi zviceran “20min”.

Ndërsa mediet serbe po i pengon fakti se në këpucët e Shaqirit është i vendosur edhe flamuri i Kosovës. Për këpucët e Xherdan Shaqirit ka shkruar edhe prestigjiozja britanike “The Guardian”: “Kur Xherdan Shaqiri do të ecë nëpër Kaliningrad, ai nuk do të ketë mbathur vetëm një këpucë sportive. Në anën e djathtë të këpucës ai do ta ketë edhe flamurin e Kosovës”.

Ndërkohë ylli i skuadrës së Arsenalit, Granit Xhaka, ka thënë se në ndeshjen ndaj Serbisë, duhet të luftohet për fitore. “Absolutisht i përqendruar dhe i  gatshëm për të luftuar në ndeshjen tonë të ardhshme. Kurrë mos hiqni dorë, gjithmonë luftoni”, ka thënë Xhaka.

Në kuadër të këtij grupi zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Brazilit dhe Kosta Rikës nga ora 14:00. Sot (e premte) zhvillohet edhe ndeshja e Grupit D në mes të Nigerisë dhe Islandës.

Grupi D

17:00 Nigeri-Islandë

Grupi E

14:00 Brazili-Kosta Rika
20:00 Serbia-Zvicra

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg…