Shqipja e kërcënuar!

28 shtator 2023 | 08:27

Nga: Rami Memushaj

“Digitalb”, “Dixhitalb” ... E shohim dhjetëra herë në ditë këtë fjalë, të shkruar a të shqiptuar me g ose me xh. Trajta me xh ka marrë aq të përhapur, saqë e japin si normative edhe korrektorët e tekstit të celularëve e të tabletëve. Këto trajta të gabuara të kësaj fjale hasen jo vetëm te folësit e thjeshtë, po edhe në shtypin e shkruar e të folur, veçanërisht në ligjërimin e gazetarëve televizivë e radiofonikë, të cilët pritet të jenë model i shqiptimit letrar.

Këta jo vetëm e shqiptojnë këtë fjalë me xh, po edhe me theks në rrokjen e parë, në vend që ta shqiptojnë me gj e me theks në rrokjen e fundit, siç e do shqipja; për më tepër, e shqiptojnë dhe e shkruajnë edhe pa mbaresa rasore.

Dikush mund të thotë: “Punë e madhe! Ç’të keqe ka këtu? Secili le t’i shkruajë e t’i shqiptojë fjalët si të dëshirojë!” Po gjuha përdoret për të komunikuar me të tjerët dhe, për t’u marrë vesh, fjalët dhe trajtat e tyre duhet të kenë gjithmonë formë të njëjtë në të folur e në të shkruar. Kjo është arsyeja pse gjuhët zyrtare e letrare kanë rregulla drejtshqiptimi, drejtshkrimi, morfologjike e sintaksore, të përmbledhura në kode, rregulla të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga ata që përfshihen në ligjërimin publik: gazetarë, mësues, nëpunës, shtetarë etj.

Në këtë shkrim po merremi vetëm me përdorimet e gabuara të fjalës digjitalb, pasi nga analiza e tyre mund të kuptohen plagët që po i shkaktojmë gjuhës sonë në të gjitha rrafshet e saj.

Nga pikëpamja ortografike, shkrimi i kësaj fjale i nënshtrohet një rregulle sipas së cilës “fjalët që burojnë nga greqishtja, latinishtja e nga gjuhët romane”, të cilat kanë një g të ndjekur nga zanoret e ose i, në shqipe “shkruhen me gj e jo me g”: agjenci, digjital, Egjipt, gjen, gjenetikë, gjips, gjibon, gjirafë etj. Pra, shkrimi i këtyre fjalëve me g ose me xh përbën një shkelje të kësaj rregulle të drejtshkrimit të shqipes.

Shkrimi me gabime është dëshmi e formimit të mangët gjuhësor, që i ka rrënjët në punën e dobët të shkollës me gjuhën shqipe, por edhe e kulturës së mangët gjuhësore të atyre që përfshihen në ligjërimin publik, të cilët nuk e ndiejnë si detyrim përdorimin korrekt të gjuhës.

Sepse sot janë të shumta mundësitë për të gjetur si duhet shkruar një fjalë. Edhe nëse doracakun “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” nuk e kemi në letër, mund ta gjejmë në internet; si duhet shkruar një fjalë a një formë e saj, mund ta gjejmë në fjalorët shpjegues ose drejtshkrimorë, të cilët kushdo që shkruan duhet t’i ketë mbi tryezën e punës; janë edhe fjalorët elektronikë të shqipes, që mund t’i shkarkojmë në kompjuter a në celular, po dhe korrektorët elektronikë të programeve të përpunimit të tekstit.

Pra, mundësitë për të shkruar pa gabime janë, duhet vetëm që kushdo që i drejtohet një publiku të gjerë, ta ndiejë përgjegjësinë që ka për të përdorur një gjuhë korrekte.

Sa i përket ortoepisë, theksimi i digjitalb në rrokjen e parë thyen dy rregulla të fonetikës së shqipes, sipas të cilave: (1) theksi i fjalës bie mbi zanoren e fundit të temës (të trajtës së fjalës që jepet si zë fjalori), por në rrokjen e parafundit kur zanorja e rrokjes së fundit është e paqëndrueshme (si tek émër – émri, lúle – lúlja etj. ose te fjalët me -ës, -ëz, -ël, -ëll, -ëm, -ër, -ërr, ull, -ur a te fjalët që mbarojnë e dy zanore: krýe, grúa, blúaj, bíe etj.); (2) në fjalët e përbëra theksi bie mbi temën e dytë. Pra, duhet digjitálb dhe jo dígjitalb.

Këto rregulla nuk mësohen aq në shkollë (madje, në tekstet shkollore thuhet gabim se në gjuhën shqipe theksi i fjalës bie mbi rrokjen e parafundit të saj), sesa janë pjesë e njohjes intuitive të gjuhës nga folësi amtar.

Theksimet e gabuara të fjalëve i shohim si pasojë e tronditjes së ndjenjës gjuhësore te brezi i ri. Për shembull, nëse ju quajnë Mikél, në bankë apo në një zyrë ka shumë gjasa t’ju thërrasin Míkel, Avníut t’i thërrasin Ávni, Thodhoríut – Thodhóri, Tekíut – Téki etj. Në emisionet e lajmeve do të dëgjoni Zmblak e jo Zëmblák, Kárakas ose Karákas dhe jo Karakás, Láos dhe jo Laós, Bórusia dhe jo Borúsia, Pútin e jo Putín, Súnak e jo Sunák, Vúçiç e jo Vuçíç etj. Ky shqiptim i fjalëve me theks në rrokjen e parë, si në anglishte, është bërë i modës në televizione dhe, nën ndikimin e tyre, kjo “modë” ka prekur edhe folësit e thjeshtë.

Kështu, një nënë e re i thërret djalit të saj Gláuk dhe jo Glaúk, me theksin tek u-ja, siç e shqiptojnë shqiptarët me pak shkollë, por që ia ruajnë me besnikëri tiparet origjinale shqipes.

Duke i shqiptuar fjalët në këtë mënyrë, folësit televizivë, por edhe të tjerë që përfshihen në ligjërimin publik, japin një shembull të shëmtuar të përdorimit të gjuhës standarde. Nuk është fjala thjesht për anën estetike të ligjërimit. Ky shëmtim ka pasoja largvajtëse për vetë natyrën dhe origjinalitetin e gjuhës sonë. Sepse çdo gjuhë ka rregullat e veta fonetike e gramatikore, të cilat e bëjnë të veçantë e të dalluar nga gjuhët e tjera. Këto rregulla, që mund t’i quajmë parametra, trashëgohen brez pas brezi nga prindërit te fëmijët.

Nëse këta parametra ndryshohen, për shembull, nëse prindërit do t’i shqiptojnë emrat me theks në rrokjen e parë të fjalës, si në anglishte, dhe jo në rrokjen e fundit, atëherë fëmija, që e fikson parametrin e theksit duke dëgjuar ligjërimin e të rriturve, do të ngulitë në trurin e vet një parametër theksor si të anglishtes dhe, për pasojë, do të vijë duke humbur një tipar bazë i fonetikës së shqipes.

Mirëpo, meqë gjuha është sistem, ndryshimi i një elementi të sistemit shoqërohet me ndryshime të elementeve të tjera të tij, si në një reaksion zinxhir. Kështu që ndërrimi i parametrit të theksit sjell me vete ndryshimin e parametrave të tjerë fonetikë. Kur flasim, rrokja e theksuar e një fjale shqiptohet me forcë, rrokjet e tjera me forcë më të dobët ose pa forcë. Ky alternim i forcës së zërit krijon ritmin e frazës (që mund ta përfytyrojmë si kreshta me lartësi të ndryshme dhe qafa të një vargmali), i cili e bën rrjedhën e tingujve të pranueshme dhe të pëlqyeshme për veshin. Po duke i shqiptuar fjalët me theksin në rrokjen e parë dhe jo aty ku duhet, shtohet numri i rrokjeve të patheksuara midis rrokjeve të theksuara dhe prishet ritmi i frazës, pasi do të kemi theksa ritmikë që nuk janë në natyrën e shqipes.

P.sh., shqiptimi i frazave “Dígitalb / Është pranë teje”, “Díxhitalb / ofrón pakètën e ré” ose “gjatë múajit korrík / në Díxhitalb” me fjalën “digjitalb” të theksuar në rrokjen e parë është i papëlqyeshëm për veshin e shqiptarit. Ndërsa shqiptimi i këtyre frazave me këtë fjalë me theks mbi a-në është i pëlqyeshëm: “Digjitálbi / shtë pranë téje”, “Digjitálbi / ofrón pakètën e ré”, “gjatë múajit korrík / në Digjitálb”. Arsyeja e pëlqimit të këtyre shqiptimeve është se veshi e do që pjesët e secilës frazë t’i kenë theksat mbi rrokjen e fundit të secilit grup.

Një shqiptim i tillë jep një skemë ritmike të natyrshme për shqipen. Kurse shqiptimi që i zhvendos theksat në rrokjen nistore të fjalëve, sikundër po ndodh me folësit televizivë e radiofonikë dhe përgjithësisht me brezin e ri të shkolluar, e zhvendos edhe theksin logjik të frazës (se edhe ky i mbishtresohet theksit të fjalës së fundit të frazës), prish ritmin dhe melodinë e saj, duke prodhuar një të folur artificial që të vret veshin dhe që s’është as shqip e as anglisht.

Meqë jemi te fonetika, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe një parametër tjetër: tempin e të folurit. Gjuha shqipe dallohet për një temp shqiptimi përgjithësisht të baraspeshuar, as të shpejtë, as të ngadalshëm dhe kjo e bën të folurit të këndshëm për t’u dëgjuar. Por në televizione po bëhet modë shqiptimi i shpejtë.

Në emisione e në biseda televizive dëgjon folëse që flasin si mitraloz, pa pauza për të marrë frymë e që të marrin frymën kur i dëgjon, ose reklama barnash ku tempi është aq i shpejtë, sa detyrohesh të ndërrosh kanalin e televizorit. Shqiptimi i shpejtë i fjalëve, që i ngjan vërshimit të një përroi malor, jo vetëm që të vret veshin, po edhe errëson përmbajtjen e mesazhit, duke e bërë të paqartë për dëgjuesin. Kjo mani për të folur shpejt qoftë për të thënë sa më shumë gjëra në sa më pak kohë, qoftë për të treguar erudicionin, bën që të preket një tjetër veçori fonetike e shqipes që e dallon nga gjuhët e tjera.

Në analizë të fundit, ndryshimi i këtyre parametrave fonetikë prek atë që quhet “baza nyjëtimore e shqipes”, e cila duhet kuptuar si një tërësi parametrash të përpunuar gjatë një mijëvjeçari e gjysmë të jetës së gjuhës sonë e të trashëguar brez pas brezi. Janë pikërisht këta parametra fonetikë që e bëjnë shqipen të veçantë nga pikëpamja e intonacionit.

Theksimi i emrave në rrokjen e parë nuk është pa pasoja edhe për gramatikën e shqipes, pasi prek parametra morfologjikë e sintaksorë të saj. Kur fjalët theksohen në rrokjen e parë, si p.sh. fjalët Súnak, Shtóltenberg në frazat “Ráma takón Súnak”, “Rama takón Shtóltenberg”, jo vetëm prishet ritmi i frazës, po preket edhe morfologjia e emrave të fundit, që duhen përdorur me mbaresë: SúnakunShtóltenbergun.

Nuk është se folës të tillë duan të mos i shqiptojnë mbaresat. Puna është se shqiptimi i dy rrokjeve të patheksuara pas rrokjes së theksuar është i vështirë, dhe për këtë arsye shqipja zakonisht e pret fjalën duke filluar nga rrokja e fundit e patheksuar dhe në raste të tilla e pësojnë mbaresat, që nuk shqiptohen. Zakonisht, kjo ndodh me emrat e përveçëm të huaj, po ky shqiptim pa mbaresa po vjen duke u shtrirë edhe në emrat e përgjithshëm të huazuar, madje dhe në fjalë të shqipes, p.sh.: “Radio e njohur u krijua 75 vjet më parë” (duhet radioja) etj.

Shqiptimi i fjalëve të huaja pa mbaresa nuk është pa pasoja edhe për sintaksën. Mungesa e mbaresave e vështirëson përkapjen e funksionit të fjalës në fjali dhe në raste të tilla kur nuk të ndihmon morfologjia, futet në punë përbërësi logjik i gramatikës, pra shtohet ngarkesa e trurit dhe harxhohet më shumë kohë për zbërthimin e përmbajtjes së mesazhit. Duke humbur lakimin, shqipja do të bëhet si gjuhët pa rasa, si p.sh. anglishtja, ku është e vështirë të rroket funksioni sintaksor i fjalës pa e dëgjuar tërë fjalinë.

Humbja e lakimit do të thotë humbje e një parametri tjetër themelor të shqipes, i cili e ka ruajtur gjuhën tonë nga trysnia asimiluese e gjuhëve të pushtuesve.

Tashmë është pranuar edhe shtetërisht se gjuha shqipe është e kërcënuar. Shtetet shqiptare e kanë detyrë kushtetuese mbrojtjen e gjuhës standarde, që është gjuha e tyre zyrtare. Po këtë detyrë shteti e kryen, së pari, me ndihmën e institucioneve të veta shkencore, akademisë, instituteve të gjuhësisë, departamenteve të gjuhës shqipe, të cilat janë përgjegjëse të drejtpërdrejta për mbrojtjen e gjuhës. Mirëpo, është për të ardhur keq që këto institucione kanë tridhjetë vjet që po bëjnë gjumin e madh, në vend që të tërheqin vëmendjen e shoqërisë dhe të shtetit për të vënë në veprim mekanizma për mbrojtjen e gjuhës dhe të ofrojnë këshillim gjuhësor për përdoruesit e mëdhenj të gjuhës etj.

Në gjumë është edhe AMA, e cila ka detyrimin ligjor të kërkojë nga operatorët e shërbimit audioviziv “respektimin e standardit letrar të gjuhës shqipe” (Neni 4, 2g). Nuk janë pa përgjegjësi as pronarët dhe drejtuesit e medieve të shkruara e radiotelevizive, të cilët zotërimin e gjuhës shqipe nuk e kanë ndër kriteret e punësimit dhe as e ndiejnë nevojën e kualifikimit gjuhësor të punonjësve të tyre. /Gazeta “Dita”/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trena me pajisje ushtarake të dëmtuara ruse, duke përfshirë tanke,…