Shqiprim Arifi: Duam të jemi pjesëmarrës në dialogun Kosovë-Serbi
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kërkuar që të përfshihet edhe rajoni të cilin e përfaqëson në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai një kërkesë të tillë e ka bërë në një intervistë për mediumin ‘Euronews Albania’, teksa ka thënë se shqiptarët e kësaj ane po diskriminohen.
Mungesa e vendosjes së çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë ka sjellë diskriminim të vazhdueshëm për shqiptarët aty sipas Shqiprim Arfit.
“Kjo është temë tabu dhe shqiptarët janë diskriminuar prej 30 vitesh. Ne e kemi të përditshëm diskriminimin dhe ka munguar reagimi e strategjia nga qeveria në Kosovë dhe Shqipëri. Ne jemi të çuditur nga vëllezërit tanë në Shqipëri, që nuk ka pasur reagime më parë për Luginën e Preshevës,” – rrëfen kryetari i Alternativës Shqiprim Arifi.
Gjatë intervistës kryetari Shqiprim Arifi tregoi se shqiptarët e Luginës duan që të kenë një përfaqësues gjatë dialogut me Serbinë.
“Tema është aktuale dhe është pjesë e dialogut dhe ne duam të jemi pjesëmarrës që të tregojmë perspektivën e jetuar,” – tregon për në Euronews Albania z.Arifi.