Shqiptar Demaçi: Aktakuza e Speciales minon shtetin e Kosovës
Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit Adem Demaçi, ka reaguar pasi Gjykata Speciale ka publikuar propozimaktakuzë për presidentin Hashim Thaçi dhe liderin e PDK-së, Kadri Veseli.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo aktakuzë është e padrejtë dhe minon shtetin e Kosovës.
Postimi i plotë i Shqiptar Demaçit:
Nja dy fjalë për Gjykatën Speciale për Kosovën!
Imponimi i Bashkësisë Ndërkombëtare që të pranohet kjo Gjykatë Speciale, ende pa u akuzuar e dënuar shteti serb për aktet gjenocidiale, viktimat e invaliditetet, dhunimet seksuale e dëmet shpirtërore e materiale Kosovë (1998/99), ishte që në nismë i padrejtë, agresiv e i njëanshëm. Akuzat nga Prokurori i Gjykatës Speciale, specialisht e vetëm kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së, e këtyre ditëve edhe z. Thaçi e z. Veseli, janë orientime zhbëse e minuese të shtetit të ri të Kosovës.
Shpresojmë të funksionojnë ligjet e pashkruara të natyrës, aty ku njerëzit gabojnë qëllimisht!
(M.K / Epoka e re)