Shqiptar Demaçi tregon cili komandant i UÇK-së e mbrojti babanë e tij, Adem Demaçin, sa ishte në burg
Dr. Shqiptar Demaçi si asnjëherë më parë, në një rrëfim të rrallë në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” ka folur për njërën nga figurave kyçe të politikës së Kosovës, babin e tij, Adem Demaçin.
Ai mes këtij rrëfimi të pasuruar me emocione, u pyet se përse i njëjti nuk deklarohet shumë në media për ta mbajtur aktive veprimtarinë e Demaçit, për të cilën tha se vlerëson që duhet të flasin njerëzit që i qëndruan pranë në kohët më të vështira të babin të tij.
“Për veprimtarinë e bacës duhet të flasin ata që kanë qenë bashkëveprimtarë, ata që kanë punuar së bashku me të, ata që kanë qenë në grup të zjarrit bashkë me të. Unë e kam Ademin baba, por nuk kam bashkëvepruar me të. Puna ime ka qenë tjetër kah, profesionale mjekësore, unë e kam shoqërinë time e cila është marr me medicinë. Adem Demaçi është marr me veprimtari letrare, publicistike, patriotike, politike”, u shpreh ai.
I njëjti vlerësoi lartë të gjithë bashkëveprimtarët e Demaçit dhe qëndresën e tyre ndaj kësaj figure historike.
“Do të thotë ai është komplet një tjetër vijë, që ka pasë veprimtarë, bashkëveprimtarë me të cilët e ka ndarë të mirën dhe të keqën dhe të cilët në momente të caktuara edhe e kanë mbrojtur jashtëzakonisht, edhe me jetën e tyre”, u rrëfye Shqiptari.
Në mesin e këtyre bashkëveprimtarëve të cilët ishin të gatshëm të vetëflijohen për Demaçin, Shqiptari përmend njërin prej komandantëve më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovcin.