Shqiptarët bëjnë “bum” në Evropë

08 korrik 2019 | 11:09

Vedat Muriqi me kalimin nga Rizespori te gjiganti turk Fenerbahçe dhe Kastriot Dermaku te Parma janë dy nga goditjet më të mëdha të futbollistëve shqiptarë në këtë afat kalimtar. Ditë më parë në elitën e futbollit italian është prezantuar edhe Amir Rrahmani, kurse të njëjtën rrugë mund ta ndjekë edhe Idriz Voca. Ndërsa portieri Etrit Berisha vetëm ka ndërruar skuadër nga Atalanta te SPAL-i.

Fundjava ka qenë me “bereqet” për disa nga futbollistët shqiptarë që luajnë në liga të forta evropiane. “Bomba” më e madhe deri tash në këtë afat kalimtar është transferimi i sulmuesit, Vedat Muriqi nga Çaykur Rizespor te gjiganti turk Fenerbahçe. Forma e mirë dhe numri i madh i golave në edicionin e fundit nga sulmuesi shtatlartë në elitën e futbollit turk bënë që shumë skuadra nga Spanja, Anglia dhe Franca, por edhe nga Turqia të shfaqin interesim për transferimin e tij. Mirëpo, Muriqi që karrierën e nisi te Liria e Prizrenit vendosi ta refuzojë Gatasarayn, Beshiktashin e skuadrat e tjera për të firmosur për Fenerbahçen. “Është arritur marrëveshje me Vedat Muriqin, i cili ka luajtur për Çaykur Rizespor, një nga ekipet e Super Ligës, si rezultat i negociatave me klubin e tij dhe me vetë atë brenda kornizës së procedurave të UEFA-s për transferime. Pas kontrolleve mjekësore lojtari do të jetë i lidhur me ngjyrat tona. Katër vjetët e ardhshëm ai do të bartë me krenari uniformën”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Fenerbahçes.

Duhet cekur se reprezentuesi i Kosovës ka pasur një rritje të jashtëzakonshme për faktin se brenda dhjetë vjetëve nga futbolli i Kosovës arriti të lër gjurmë në arenën ndërkombëtare dhe të bëhet pjesë e njërës prej skuadrave më të mëdha në Turqi. 25-vjeçari, përveç Turqisë dhe Kosovës, ka luajtur edhe në Shqipëri për Besën e Kavajës dhe Teutën e Durrësit, kurse forma e tij edhe në Përfaqësuesen e Kosovës ka qenë e lartë, duke u shndërruar në njërën nga pikat më të forta për “Dardanët”.

Një tjetër zyrtarizim të dielën ishte edhe ai i Kastriot Dermakut në skuadrën e Parmës. Shtatlarti fillimisht kishte zgjedhur Kosovën që ta përfaqësojë, por nuk kaloi shumë kohë dhe ai iu bashkëngjitë Shqipërisë. Edhe për Dërmakun kalimi nga Cozenca e Serisë B te Parma në Serinë A është një hap i madh në karrierë. 27-vjeçari me skuadrën e re nënshkroi kontratë deri në vitin 2023. E njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Etrit Berishën, i cili të shtunën është prezantuar te skuadra e re, SPAL. Portieri i Kombëtares Shqiptare ishte pjesë e Lazios që nga viti 2013, për të kaluar më pas tek Atalanta, derisa tash e tutje ai do të jetë pjesë e SPAL-it. 30-vjeçari u largua nga Atalanta pasi vendi i titullarit në edicionin e fundit i ka takuar Pierluigji Gollini.

Portieri shqiptar, Etrit Berisha, i ka vlerësuar vitet e kaluara tek Atalanta historike, kurse tash mezi po pret të fillojë aventurën e re me skuadrën e SPAL-it. “Kam kaluar tre vjet në Bergamo, në një qytet ku menjëherë ndjeva mbështetjen dhe entuziazmin për të gjithë ekipin. Dua t’ju falënderoj të gjithëve për çastet historike dhe të paharrueshme që kemi arritur së bashku. Tani unë mezi po pres ta filloj aventurën e re me SPAL-in, duke dhënë më të mirë për qytetin dhe për njerëzit”, ka thënë Berisha, i cili ka luajtur për 2 Korrikun, Kalmarin dhe Lazion.

Një tjetër futbollist shqiptar që shumë shpejt mund të bëhet pjesë e elitës së futbollit italian është mesfushori Idriz Voca. Ky i fundit aktualisht është pjesë e Luzernit, por po kërkohet nga skuadra e Sassuolos.

Debreceni nuk e blen Avdijajn, Strakosha kërkohet në Premierë Ligë 

Sulmuesi Albion Avdijaj është larguar zyrtarisht nga skuadra hungareze Debreçeni, pasi kjo e fundit nuk dëshiroi ta shfrytëzojë të drejtën e blerjes së kartonit të Avdijajt. 25-vjeçari është rikthyer te skuadra zvicerane Grasshoppers. Skuadra e Grasshopperit ka rënë nga elita e futbollit zviceran në Challange League dhe nuk dihet se a do të qëndrojë Avdijaj në këtë klub apo do të largohet. Një tjetër futbollist shqiptar që mund të ndërrojë klub në këtë afat kalimtar është portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Thomas Strakosha. Anëtari i Lazios fillimisht është kërkuar nga West Ham Unitedit dhe Tottenham Hotspuri, kurse të dielën  “Tuttomercatoëeb” raporton se dy skuadrat e tjera që janë të interesuara për shërbimet e tij janë Arsenali dhe Newcastle United. Problemi i vetëm që shihet për kalimin e “gardianit” kuqezi në Angli është kërkesa e Lazios prej 40 milionë eurosh.

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në llogarinë…