Shqiptarët duhet të frikësohen për mungesën e shteteve të së drejtës
Shkruan: Jakup Krasniqi
I kemi njëqind e një mijë probleme, secili më i rëndë se tjetri, e nuk merremi seriozisht me asnjërin, ndërsa bie një deklaratë, e cila për t’u dëgjuar nga shqiptarët është goxha joshëse për klikime, por që tani për tani nuk ka një përmbajtje serioze.
Edhe autori i saj e di mirë këtë, por që ia ka ënda të tregohet më intelektual se të tjerët. Dhe këtë nivel e mban dhe e plason shumë mirë. Duhet pasur lakmi, ç’është e vërteta për këtë prirje shoumeni.
Një gjë që duhet thënë në këto momente është se: Bashkimi jo vetëm i Kosovës me Shqipërinë, por edhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në Ballkan po të ndodhte, nuk do ta rrezikonte paqen as në rajon e as në Evropë, përkundrazi, vetëm atëherë në Ballkan do të krijoheshin kushte për një paqe të qëndrueshme.
Se vetëm atëherë do të krijohej një partneritet i vërtetë në mes të popujve të Ballkanit; se vetëm atëherë do të krijohej një ambient për jetësimin e vlerave evropiane në Ballkan… Mbase vetëm atëherë do të krijoheshin mundësitë për një Ballkan me siguri të plotë e pa barriera tregtare e doganore.
E them këtë për ata që po mendojnë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë gjoja se krijon Shqipërinë e Madhe. Edhe po të ndodhte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, nuk do të krijohej as Shqipëria e Madhe, as Shqipëria e Vogël, por do të krijohej një Shqipëri me aq e aq troje shqiptare të lëna padrejtësisht jashtë saj.
Por, as për njërin e as për tjetrin rast nuk ka ndonjë angazhim politik serioz, kështu që kot frikësohen ata që nuk u bënë trima dot! Debati i zhvilluar pas fjalës solemne, po tregon se shqiptarët, edhe po të ishin bashkë, kanë probleme të brendshme aq të mëdha sa nuk rrezikojnë asnjë tjetër jashtë tyre.
Secili nga politikanët e ka të drejtën të jetë parashikues, por politikanëve nuk u ka hije të frikësohen nga deklaratat politike, për të cilat duhet të punojnë pa zhurmë. Ndërsa nëse dikush u frikësohet hajnave, konsideroj se është më mirë një hajn i vetëm se shumë të tillë, sepse hajnat e shumtë po frikësohen nga humbja e pashallëqeve të hajnive të rezervuara për “pashallëkun” e mjerë të tyre.
Të gjithë duhet të frikësohuni për mungesat e shteteve të së drejtës. Frika do të duhej të vijë nga vendimet e qeveritarëve sesa nga fjalët e bukura të tyre.