Shqiptarët e Luginës mbështesin platformën për bisedime
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, e ka përkrahur platformën për dialog me Serbinë të ekipit shtetëror të Kosovës.
Ai ka thënë se përfshirja në këtë platformë e reciprocitetit midis të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës është veprim i duhur.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Mustafa ka vlerësuar se reciprociteti në të drejta është një pikënisje e cila do të dërgojë drejt bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën.
“Delegacioni i Republikës së Kosovës në këtë platformë ka paraparë të zbatohet masa e plotë e reciprocitetit midis të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Një gjë e tillë është pranuar edhe nga ndërmjetësit e bisedimeve, përkatësisht Brukseli zyrtar. Mbase kjo është një pikënisje për vazhdimin e dialogut, e cila pikënisje do të çojë pa asnjë dyshim në bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën në bazë të referendumit të 22 marsit të vitit 1991”, ka thënë Mustafa.
Megjithatë, ai ka deklaruar se reciprociteti në të drejta nuk është zgjidhja e duhur për shqiptarët e kësaj pjesë. Sipas Mustafës, Serbia nuk do t’i respektonte këto të drejta sikurse nuk i ka zbatuar obligimet e mëhershme ndërkombëtare ndaj shqiptarëve.
“Nuk besoj se reciprociteti në të drejta do të jetë një zgjidhje fatlume për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nga përvoja që kemi me autoritetet serbe, ato gjithnjë iu bishtnojnë obligimeve të marra nga bashkësia ndërkombëtare, sepse Serbia kishte obligime të caktuara edhe pas luftës së UÇPMB-së”, është shprehur Mustafa. Ai ka thënë se ky është momenti i duhur i bashkimit të kësaj pjese me Kosovën.
“Epoka e re”: Z. Mustafa, delegacioni shtetëror i Kosovës për bisedime me Serbinë ka dorëzuar në Kuvend platformën për këto bisedime. Si përfaqësues i Luginës së Preshevës, a jeni konsultuar për këtë dokument?
Mustafa: Para se ekipi negociator ta dorëzojë në Kuvend platformën për bisedime jemi takuar me zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëkryesues i delegacionit shtetëror të Kosovës për bisedime. Me të kemi diskutuar në lidhje me platformën dhe për shumë çështje të tjera. Pa dyshim se përfshija e Luginës së Preshevës në këtë platformë për herë të parë nga institucionet e Kosovës dhe në mënyrë transparente është një hap i mirë. Një vit më parë të flitet për Luginën e Preshevës në këtë proces ka qenë e ndaluar, mbase nga ShBA-ja dhe BE-ja, duke e trajtuar çështjen e Luginës si të ndarë nga çështja e dialogut Kosovë – Serbi.
“Epoka e re”: Çfarë do të thotë për shqiptarët e asaj pjese përfshirja në këtë platformë?
Mustafa: Kjo është një gjë shumë e mirë që ka ndodhur, sepse delegacioni i Republikës së Kosovës në këtë platformë ka paraparë të zbatohet masa e plotë e reciprocitetit midis të drejtave të serbëve në Kosovë dhe të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Një gjë e tillë është pranuar edhe nga ndërmjetësit e bisedimeve, përkatësisht Brukseli zyrtar. Mbase kjo është një pikënisje për vazhdimin e dialogut, e cila do të çojë, pa asnjë dyshim, në bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën në bazë të referendumit të 22 marsit të vitit 1991.
“Epoka e re”: Pra, lidershipi i Luginës e përkrah platformën për bisedime?
Mustafa: Pa dyshim se e përkrahim, sepse deri më tani nga institucionet e Kosovës nuk ka pasur diçka të ngjashme. Tani në mënyrë të hapur dhe para bashkësisë ndërkombëtare institucionet e Kosovës thonë se janë të interesuara për zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sepse kjo ka qenë e ndaluar gjithmonë. Tani kur kjo po ndodh me siguri me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht të ShBA-së. I gjithë ky proces nis këtu, por do të mbarojë me bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës.
“Epoka e re”: Çfarë ju bën të jeni optimist se reciprociteti në të drejta do të çojë drejt bashkimit të Luginës me Kosovën?
Mustafa: Pa dyshim se do të ketë një pikë reference nga duhet të niset çdo proces. Dhe kjo është si një pikë reference nga e cila do të nisë ky proces, sepse tani është momenti më i volitshëm për bashkimin e kësaj pjese me Kosovën dhe çlirimin e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga okupimi 100-vjeçar serb.
“Epoka e re”: Në debatin për bashkimin e Luginës me Kosovën kemi pasur edhe disa zëra kritikë të cilët janë shprehur kundër bashkimit të Luginës në këmbim të veriut të Kosovës. Si i keni parë këto qëndrime?
Mustafa: Janë debate politike për konsumim të brendshëm ditor. Nuk besoj se ka shqiptarë mbi këtë dhe që është kundër bashkimit të shqiptarëve të Luginës me Republikën e Kosovës. Pa dyshim se edhe këta zëra kritikë të disa partive politike apo të institucioneve të caktuara kritike do të ndërrojnë mendje në fund dhe do ta përqafojnë shumë ngrohtë bashkimin e Luginës. Pra, siç e thashë, është momenti që kjo të ndodhë.
“Epoka e re”: Nëse për shkak të rrethanave të caktuara nuk mund të ndodhë bashkimi i Luginës me Republikën e Kosovës, a është reciprociteti në të drejta minimumi që shqiptarët e Luginës mund të pranojnë?
Mustafa: Nuk besoj se reciprociteti në të drejta do të jetë një zgjidhje fatlume për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nga përvoja që kemi me autoritetet serbe ato gjithnjë iu bishtnojnë obligimeve të marra nga bashkësia ndërkombëtare, sepse Serbia kishte obligime të caktuara edhe pas luftës së UÇPMB-së. Ajo luftë ishte ndërprerë me intervenimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe pasi autoritetet e Beogradit ishin zotuar se do të kujdeseshin maksimalisht për të drejtat e shqiptarëve, por ajo nuk ka ndodhur ende. Për këto arsye ne nuk besojmë. Çfarëdo situate që do të ndodhë, ndryshe nga ajo e bashkimit të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës, nuk do t’i kënaqte shqiptarët e Luginës.
“Epoka e re”: Në Kosovë tani po debatohet shumë rreth taksës që Kosova u ka vendosur produkteve serbe. Sa i ka prekur kjo taksë bizneset shqiptare në atë rajon?
Mustafa: Natyrisht se disa biznese që veprojnë në Komunën e Preshevës janë prekur, sepse tregu kryesor i tyre ka qenë ai i Kosovës. Megjithatë, ato janë duke e pranuar si sakrificë, sepse për Kosovën e lirë shqiptarët e Luginës kanë sakrifikuar çdoherë, madje edhe jetën e tyre, duke marrë pjesë në luftën e UÇK-së. Ky është një moment i sakrificës me qëllim të forcimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës karshi Serbisë.
“Epoka e re”: Tani ShBA-ja po kërkon pezullimin e kësaj takse. Si mendoni se duhet të veprojë Kosova në këtë rast?
Mustafa: Kjo taksë është mbështetur edhe prej liderishipit të shqiptarëve të Luginës. Pa dyshim se masa prej 100 përqindësh ndaj produkteve serbe ka qenë veprim i duhur ndaj shtetit të Serbisë për shkak të sjelljes që ajo ka bërë në raport me shtetin e Kosovës. Por a duhet të qëndrojë apo jo kjo masë, unë besoj se institucionet e Kosovës do të jenë të gatshme që hapat e saj politikë t’i ndërmarrin në harmoni të plotë me ShBA-në. Meqenëse pjesa dërrmuese e ministrave në Qeverinë e Kosovës janë shqiptarë, atëherë kujtojmë se është një moment kohor ku duhet t’i bindemi ShBA-së. Veprimet e Qeverisë së Kosovës duhet të jenë në harmoni të plotë me Amerikën, sepse ky është aleati më i fuqishëm që kemi dhe i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës.
(Muhamet KOCI)