Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk presin që të jenë pjesë e qeverisë serbe

31 gusht 2020 | 12:20

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk janë optimistë se do të mund të bëhen pjesë e qeverisë së re të Serbisë. Ata thonë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të gatshëm të punojnë për të drejtat e tyre në këtë pjesë të Serbisë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili vjen nga Partia Demokratike, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se shqiptarët e luginës kanë shprehur vullnet që të jenë pjesë e qeverisë së re me kusht që të avancohen të drejtat politike dhe individuale të shqiptarëve në Luginë e Preshevës.

“Sipas asaj që përmenden shqiptarët në opinion në aspektin negativ nga ana qeveritare e Republikës së Serbisë, nuk kemi ndonjë shpresë se shqiptarët do të jenë pjesë përbërëse e qeverisë së ardhshme”, ka thënë Arifi.

Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Në ketë takim është thënë se shqiptarët kanë parashtruar kërkesat e tyre për mundësinë e të qenurit pjesë e qeverisë. Vuçiq nuk u ka dhënë ndonjë përgjigje në takim, derisa pala shqiptare është në pritje të një ftese tjetër para formimit të qeverisë se re.

Shqiptarët kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në qeveri dhe kanë kërkuar Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, postin e ndihmësministrit të Ekonomisë, atë të Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Arsimit dhe pozicionin e presidentit të Trupit Koordinues.

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka pohuar për “Radion Evropa e Lirë”, se është shumë e vështirë që shqiptarët të jenë pjesë e qeverisë së re të Serbisë.

“Në këtë drejtim shoh mundësi të vogla minimale. Megjithatë, konsideroj se shqiptarët do të duhej të kenë një qasje pragmatike në drejtim të zgjidhjes së problemeve jetike. Për ne është e rëndësishme kjo që përfaqësuesit tanë të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka theksuar se nëse Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti aktual në Serbi, Aleksandar Vuçiq, do të ndryshojë diskursin e deritanishëm me shqiptarët në Serbi, duhet që ata të përfshihen në qeveri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Heronjtë kanë vetëm ditëlindje. Sot, para 49 viteve ka lindur…