Shqiptarët e Luginës t’i kenë të drejtat e serbëve të Kosovës
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se në rezolutën e Kuvendit për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi duhet të përfshihet edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ajo ka vlerësuar se bazë e një marrëveshje të mundshme në mes të dy vendeve duhet të jetë reciprociteti i të drejtave të pakicave. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kusari-Lila ka thënë se ajo që u garantohet serbëve në Kosovë duhet t’u takojë edhe shqiptarëve të Luginës. “Qëndrimi i Alternativës është se Kuvendi i Kosovës sa më parë duhet ta miratojë një rezolutë e cila do t’i përfshijë shtyllat e dialogut për fazën finale me Serbinë. Një ndër pikat e kësaj rezolute duhet të jetë reciprociteti i të drejtave si bazë e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Domethënë, ajo që garantohet për pakicën serbe në Kosovë të garantohet edhe për pakicën shqiptare në Republikën e Serbisë”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka vlerësuar se kërkesa për bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën është e pamundshme.
Sipas Kusarit, një rezolutë për bashkimin me Kosovën mund t’u sjellë pasoja të rënda shqiptarëve të asaj pjese. “Konsideroj se kjo shkon përtej vijave politike ditore, përtej qëndrimeve pozitë dhe opozitë, sepse është në interes kombëtar. Është koha e fundit që shqiptarët e Luginës të jenë të përfaqësuar dinjitetshëm dhe natyrisht të mos bëhen manipulime dhe pazare në emër të tyre, pastaj të shkaktohen pasoja të parikuperueshme. Të gjithë e dimë se një rezolutë e cila do ta parashihte bashkimin e tri komunave të Luginës së Preshevës me Kosovën do të jetë me pasoja më të rënda për shqiptarët e asaj ane. Kjo mund të rezultojë me shpopullim, me migrim masiv dhe me represione të tjera të shtetit serb ndaj tyre”, është shprehur ajo.
Kryetarja e Alternativës ka deklaruar se, përveç kësaj çështje, rezoluta duhet t’i përmbajë edhe tri pikat e tjera në raport me dialogun Kosovë – Serbi. “Alternativa do të insistojë që të arrihet konsensusi kombëtar midis pozitës dhe opozitës për këto çështje: së pari për mosndryshimin e kufijve të Kosovës; së dyti për përcaktimin e objektiva të qarta në platformën e bisedimeve në Bruksel; së treti për mandatimin e ekipit negociues në Bruksel. Të tri këto çështje duhet të ngrihen përmbi politikën ditore, përmbi pozicionet aktuale të partive politike, sepse kjo ka të bëjë me interesin kombëtar”, ka thënë Kusari-Lila, duke shtuar se miratimi i ekipit të delegacionit negociues duhet të mandatohet pasi Kuvendi i Kosovës ta miratojë platformën për bisedime.
“Epoka e re”: Znj. Kusari-Lila të mërkurën keni vizituar Komunën e Bujanocit, ku jeni takuar me udhëheqjen e kësaj komune. Cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite?
Kusari-Lila: Qëllimi i vizitës ishte komunikimi i drejtpërdrejtë me udhëheqësit e Luginës së Preshevës, konkretisht Komunës së Bujanocit. Planifikojmë që kësi takime të kemi edhe me përfaqësuesit e Komunës së Preshevës. Pra, qëllimi ynë është të diskutojmë për situatën aktuale atje, për kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve në Luginë. Gjithashtu, si përfaqësues të opozitës në Kosovë dëshirojmë që drejtpërdrejt t’ua shprehim qëndrimet tona për fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë – Serbi. Natyrisht se për ne është shumë i rëndësishëm që ky komunikim të jetë i drejtpërdrejtë, i hapur, pa asnjë paragjykim. Është në interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës përmirësimi dhe avancimi i gjendjes së shqiptarëve të Luginës. Natyrisht se është e domosdoshme që kërkesat e tyre, të cilat janë të vlefshme dhe në përputhje me standardet evropiane, të jenë të përfaqësuara si duhet në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, pra kur vjen çështja te të drejtat e pakicave. Në këtë drejtim duhet të kërkohet reciprociteti në raport me këto të drejta.
“Epoka e re”: Së fundi kanë ndryshuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në raport me Kosovën. Nga reciprociteti në të drejta, tani ata po kërkojnë që përmes idesë së presidentit Thaçi për korrigjim të kufirit të bëhen pjesë e Kosovës. E keni diskutuar këtë çështje?
Kusari-Lila: E diskutuam edhe qëndrim tonë të deklaruar edhe më herët. Ndryshimi i kufijve të Kosovë do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për të ndodhur një gjë e tillë do të duhej një proces komplet tjetër. Gjithashtu, presidenti Thaçi nuk e ka mandatin e Kuvendit të dialogojë në Bruksel në emër të Kosovës dhe as nuk ka platformë për dialog. Ajo çfarë thotë presidenti është jashtë reales. Është thënë edhe prej faktorëve ndërkombëtarë se një formë e tillë e ndryshimit të kufijve apo bashkimit të tri komunave të Luginës me Kosovën është e pamundur. Prandaj, është mirë që ne të shikojmë atë që është reale dhe cila është baza e mundësisë së përmirësimi të kushteve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Natyrisht se duhet të thuhet se ajo çfarë pretendohet të bëhet në forma të jashtëligjshme dhe jashtë Kushtetutës nuk është legjitime.
“Epoka e re”: Në takimin e fundit që përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë pasur me presidentin Thaçi, kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që me anë të një rezolute të kërkohet bashkimi i tri komunave me Kosovën. Cili është qëndrimi Alternativës rreth kësaj kërkese?
Kusari-Lila: Qëndrimi i Alternativës është se Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë të miratojë një rezolutë e cila do t’i përfshijë shtyllat e dialogut për fazën finale me Serbinë. Një ndër pikat e kësaj rezolute duhet të jetë reciprociteti i të drejtave si bazë e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Domethënë, ajo që garantohet për pakicën serbe në Kosovë të garantohet edhe për pakicën shqiptare në Republikën e Serbisë. Konsideroj se kjo shkon përtej vijave politike ditore, përtej qëndrimeve pozitë dhe opozitë, sepse kjo është në interes kombëtar. Është koha e fundit që shqiptarët e Luginës të jenë të përfaqësuar dinjitetshëm dhe natyrisht të mos bëhen manipulime dhe pazare në emër të tyre, pastaj të shkaktohen pasoja të parikuperueshme. Të gjithë e dimë se një rezolutë e cila do ta parashihte bashkimin e tri komunave të Luginës së Preshevës me Kosovën do të jetë me pasoja më të rënda për shqiptarët e asaj ane. Kjo mund të rezultojë me shpopullim, me migrim masiv dhe me represione të tjera të shtetit serb ndaj tyre.
“Epoka e re”: I bie kjo se do të kemi harmonizim të rezolutës së opozitës për dialog me kërkesat e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën?
Kusari-Lila: Alternativa do të insistojë që të arrihet konsensusi kombëtar midis pozitës dhe opozitës për këto çështje: së pari, për mosndryshimin e kufijve të Kosovës; së dyti, për përcaktimin e objektivave të qarta në platformën e bisedimeve në Bruksel; së treti, për mandatimin e ekipit negociues në Bruksel. Të tri këto çështje duhet të ngrihen përmbi politikën ditore, përmbi pozicionet aktuale të partive politike, sepse kjo ka të bëjë me interesin kombëtar. Ajo çfarë mund të themi është se mbetemi prapa kërkesës së vazhdueshme se rezoluta e opozitës për mosndryshim të kufijve të kalojë duke marrë edhe votat e partive në pushtet, gjithashtu Kuvendi sa më parë duhet ta miratojë platformën për bisedimet në Bruksel dhe ekipin negociator pa presidentin Thaçi.
“Epoka e re”: Pikërisht tek nxjerrja e rezolutës së opozitës dhe te propozimi i Qeverisë për ekip negociator ka ngecur vendimmarrja e Kuvendit, ku asnjëra palë nuk po mund të ketë kuorum për të ecur përpara. Si mund të arrihet deri te zgjidhja?
Kusari-Lila: Zgjidhja është që partitë e pozitës dhe të opozitës të pajtohen për disa çështje kombëtare. Pika e parë e rëndësisë kombëtare është mosndryshimi i kufijve të Kosovës. Pika e dytë është votimi i platformës së përbashkët për bisedime me Serbinë. Pika e tretë është miratimi i ekipit negociator. Këto tri çështje domosdoshmërisht duhet të pajtohen dhe të jenë pjesë e miratimit të partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës.
“Epoka e re”: Qeveria tashmë e ka propozuar ekipin negociator. A mund të pritet që pjesë e tij të bëhet Alternativa dhe pjesa tjetër e opozitës?
Kusari-Lila: Konsiderojmë se primar është votimi i rezolutës për mosndryshim të kufijve të Kosovës. Kjo është pika kryesore. Para delegacionit duhet të miratohet platforma për bisedime, pastaj në fund duhet të vijë delegacioni. Nuk mund të mandatohet një delegacion nëse nuk kalon platforma e qartë për bisedime me Serbinë në Kuvendin e Kosovës. Më pak e rëndësishme është përbërja e delegacionit. Shumë më rëndësi ka platforma në bazë të së cilës do të negociohet me Serbinë. Kuvendi i Kosovës, si organi më i lartë në vend, duhet t’i përcaktojë objektivat dhe rrugën e negociatave në Bruksel me Serbinë.
Muhamet KOCI