Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk i përfaqëson Zaevi, por Ali Ahmeti
Anisa Bahiti
Më në fund Tirana zyrtare, nëpërmjet Kryeministrit të saj, e ka kuptuar së shqiptarët e Maqedonisë nuk i përfaqëson LSDM-ja dhe Zoran Zaevi, por partitë shqiptare me drejtuesit e tyre, e në krye të tyre ish- lideri i luftës 20 vjet më parë, Ali Ahmeti.
Një darkë normale me liderishipin politik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të Kryeministrit Edi Rama dy netë më parë u stërfry në media si një ngjarje tepër e rëndësishme.
Në fakt s’duhet të jetë e tillë. Darka e dreka të tilla kanë qenë të shpeshta ndër vite, mes Tiranës-Prishtinës-Shkupit e anasjelltas. Ato ndonjëherë kanë prodhuar efekte e ngjarje të rëndësishme e herë tjetër jo.
Po pse këtë fillim janari kjo ngjarje pati kaq vëmendje e kaq kujdes? Për dy arsye.
Arsyeja e parë: Ngjarjet me tension shumë të lartë në muajin dhjetor në Kosovë çuan gishtin në plagë. Tirana zyrtare tek shqiptarët e Kosovës ka humbur rëndësinë e mëparshme për shkak të faktit se bashkëpunimi me Beogradin, duke anashkaluar Prishtinën, ia ka zbehur besueshmërinë qeverisë së Tiranës në raport me Kosovën e për pasojë dhe rëndësinë. Në morinë e atyre ngjarjeve askush nuk erdhi në Tiranë nga faktori ndërkombëtar të kërkonte ndërhyrjen e Ramës ose të Begajt pranë qeverisë së Kosovës pasi dihet se ata nuk i pyet kush atje.
Arsyeja e dytë: Një situatë jo më e mirë në Maqedoninë e Veriut. Për disa vite me radhë, Tirana zyrtare u investua shumë tek figura e Zoran Zaevit dhe e LSDM-së, e cila me një tradicionalizëm jugosllav, jo vetëm që i mori votat partive shqiptare, por vetë Zaevi si Kryeministër në çdo tavoline thoshte unë kam mbështetjen e Ramës se shqiptarët e Maqedonisë i kam unë dhe votat e shqiptarëve i kam unë.
Tani Zaevi është në një fatkeqësi politike dhe kumbari i tij shqiptar në LSDM, Muhamed Zekiri, edhe në fatkeqësi ligjore i arrestuar për korrupsion dhe Ramës i duhet të rikuperojë besimin e humbur me partitë shqiptare atje.
Ka një problem Rama! Problemi i tij quhet Ali Ahmeti. Ai është shumë më shumë eksperiencë se Rama, është më i qetë e më i besueshëm se të gjithë politikanët shqiptarë të Rajonit ka 20 vjet në pushtet. Ai i ka çuar të gjithë në pension politik Nanon, Berishën, Metën, Rugovën e ndjerë, Hashim Thaçin, Rramush Haradinajn. Të njëjtin fat kanë pasur politikanët maqedonas nga Cervenkovski e Gjeorgjevski e deri te Gruevski e Zoran Zaevi, pa futur këtu të ndjerët Arbër Xhaferri e Boris Trajkovski.
Ndaj Ramës sot i duhen dy gjera:
E para: Të shpëtojë nismën ‘Ballkani i Hapur’ duke vazhduar të mbajë Maqedoninë e Veriut në treshen e kësaj nisme. Jo rastësisht e njëjta darkë si në Tiranë, ishte një tjetër e ngjashme në Beograd me pjesëmarrjen e lidershipit të VMRO me Presidentin Vuçiç.
E dyta: Besueshmërinë e shqiptarëve të Rajonit, duke qenë që i vetmi lider i ish-UÇK-së në qarkullim është Ali Ahmeti, Rama është i dënuar që për këto dy arsye të qëndrojë i lidhur ngushtë me Ali Ahmetin, në mënyrë që të mos përfundoje edhe vetë Rama në histori si liderët e tjerë të 20 viteve të fundit!
Anisa BAHITI
Janar 2023 ✍?