Shqiptarët e mllefosur

01 mars 2023 | 08:31

Në rubrikën Revista e shtypit gjenden edhe disa paragrafë nga disa të përkohshme që i riboton Faiku. Ndër to vlen të përmendet se e përkohshmja Germania e Berlinit (20. VIII.1897). përmban këtë pasazh: “Shqiptarët janë ende të mllefosur dhe kërcënohen me një kryengritje të përgjithshme kundër sundimit turk, nëse serbët dhe bullgarët në trevat e Shkupit, të Prizrenit dhe të Pejës do t’u jepen koncesione të tjera kombëtare, fetare dhe të çdo lloji tjetër. Ata tanimë kanë dëbuar disa arsimtarë dhe priftërinj të ardhur nga Mbretëria Serbe, ndërsa të gjithë orvatjet për t’i çarmatosur deri tani kanë dështuar”.Ndërkaq, më tutje, Konica sjell një fragment më të gjatë nga revista La Revue des Deux Mondes, e datës 1 tetor 1897. Në të është botuar një reportazh i z. Pjerr Mill me titull: “Në Thesali: Nga Ditari i Luftës”. Konica shënon: “Ky burrë i shkëlqyer na rrëfen se shqiptarët kishin zakon të zbaviteshin duke tërhequr një konop nga të dyja anët”. Më tutje, ai e riboton një pjesë të reportazhit, ku thuhet: “Pak më tutje ndodheshin mahitarët, këngëtarët, duke u kolovitur cazë gjatë ecjes me shtatin e tyre të hedhur: e kam fjalën për shqiptarët. Askush s’është më larg turkut se këta muslimanë të lartësishëm që e kanë ndërruar fenë nga ambicja, po që janë fanatizuar ndërkaq gjatë veprimit të ngadalshëm të shekujve me miradijen e tyre ndaj favoreve perandorake, dashurinë ndaj luftës dhe grabi­tjes. Luftëtarë dhe cuba, mburravecë dhe trima, ata nuk kanë asgjë të përbashkët me gjakftohtësinë pak a shumë të vrazhdë të trimërisë së pamohueshme, po pasive të pushtuesve, fenë e të cilëve e kanë pranuar”. Më tutje, z. P. Mill jep këto mendime për shqiptarët: “Ata janë të racës sonë dhe deri në këto vende ku grupet e çapkënëve të veshur me rroba të gjelbërta dhe të kuqe, u kacavaren pemëve, disa ndër ta, gegët me sy të kaltër, flokëverdhë e të prerë deri në ballë, me kaçurrela që u lëvaren, t’i rikujtojnë rekrutët e maleve tona të Francës, ndërsa të tjerët, më të moshuarit, e kanë profilin e shkabës, mustakë kacadre dhe të ashpër si të fshatarëve tanë, të cilët kanë shërbyer dikur në radhët e ushtrisë”.

Marrë nga libri “Me Konicën në Evropë” të Abdullah Karjagdiut

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Hasan Prishtina (pjesë nga libri Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen…