Shqiptarët kurrë nuk e kanë dëmtuar Serbinë, gjithnjë kanë pësuar prej saj (33)
Shkruan: Kudusi LAMA
Pika 5 është vërtet shumë vulgare. Kufirin midis Shqipërisë e Kosovës e quani virtual, kur pas luftës në atë kufi janë vrarë qindra qytetarë të të dyja anëve të kufirit, duke rënë në minat që ushtria serbe kishte lënë në kufi. Ju e quani kufi virtual pse kalonin të shpërngulurit shqiptarë prej Kosovës për në Shqipëri, por nuk thoni se ata po i përzënte Serbia për të mos i lejuar të ktheheshin më kurrë dhe se kufiri ishte i lirë për të kaluar nga ana e Shqipërisë, por jo nga ana e Serbisë. Ndërsa prej datës 14 qershor 1999 e në vazhdim, kufiri nga Shqipëria dhe Kosova konsiderohej plotësisht i minuar. Ndërsa për kalim ishin pastruar vetëm pikat e kalimit në Morinë të Kukësit, në Qafë-Prush të Hasit, në Qafë-Morinë të Tropojës dhe një pikë kalimi ishte në Koshare të Tropojës, ku terreni kishte qenë i çliruar prej UÇK-së që në prill të vitit 1999. Gjithë vija tjetër e kufirit ishte shpallur e pakalueshme dhe për këtë me pjesëmarrje dhe financime ndërkombëtare është ndërmarrë një fushatë disavjeçare për ta pastruar dhe që personalisht mendoj se ende mund të ketë vende që nuk janë plotësisht të sigurta. Për t’ju kënaqur duhet t’ju them se vetëm në Morinë e Qafë-Prush edhe nëpër rrugëkalim të automjeteve, që të binin në mina qytetarët gjatë kthimit, ushtria serbe kishte instaluar 462 mina kundërtanke, të cilat UÇK-ja i zbuloi dhe i çminoi më 10-12 qershor. Por ti nuk ke dëshirë t’i dëgjosh këto se të prishin punë në misionin shumë kriminal që ke marrë mbi vete. Sikur të të kisha në atë kohë këtu zotëri e të të detyroja të futeshe në atë kufirin virtual, në të cilin “milicët e UÇK-së zhvendoseshin lirisht në të dyja anët e kufirit”, e të ta shikoja fytyrën si do të të bëhej. Fol zotëri fol, se të kanë dhënë një ulëse ku të ta shohin fytyrën sot në qendër të Evropës. Fol zotëri fol, se atdheun tënd ta ka çliruar Vilheml Teli. E këta Vilhelm Telat tanë ti po dëshiron t’i njollosësh.
Kishit qenë edhe në Shqipëri në vitin 1999, dhe thoni se: “…unë vetë personalisht konstatova përmasën e gjerë të dukurisë; sidomos vura re solidaritetin e shquar të shfaqur nga popullsia dhe autoritetet shqiptare në pritjen e refugjatëve kosovarë”. Cila është përmasa e dukurisë zotëri? Pse nuk i vini emër dukurisë që keni konstatuar? Që kalohej në kufi nuk mund ta keni parë, se për këtë duhet të vinit tek unë, që isha komandant i asaj zone. Por ju keni parë “solidaritetin e shquar të shfaqur nga popullsia dhe autoritetet shqiptare në pritjen e refugjatëve kosovarë”, siç thoni vetë. A edhe për këtë nuk keni ndier kënaqësi zotëri? Gjithë bota moderne e pati vlerësuar me notat më të larta këtë paraqitje shqiptare. Sa keq për ju zotëri!
Kur flisni në pikën 6, e quani të mbyllur çështjen e krimeve serbe. Ato qenkan zbuluar, dokumentuar, denoncuar dhe gjykuar. Duket sikur jepni një ultimatum, për të mos u marrë më me serbët dhe Serbinë e krimet e kryera mbi shqiptarët. Dhe duket sikur tashmë e keni gjetur edhe Millosheviçin, i cili duket sikur paska ardhur vetë në Kosovë dhe i paska vrarë shqiptarët e nuk paska fajtorë të tjerë. Jo zotëri, të gjithë kriminelët do të japin llogari deri në fund, për çdo pikë gjaku do të jepet llogari. Mos mendoni se është mbyllur kjo çështje. Shqiptarët nuk do të ndalen kurrë derisa të zbardhin gjithçka. Doni a nuk doni ju bashkë me miqtë e serbëve e të Serbisë. Fqinjësi me Serbinë shqiptarët do të kenë, ndoshta edhe fqinjësi të mirë, por miqësi me Serbinë as që duhet të mendojnë, të paktën edhe për një shekull. Miqësia ka disa parametra, që Serbia as i ka plotësuar ndonjëherë, as i plotëson, as ka për t’i plotësuar në marrëdhëniet me shqiptarët. Miqësitë nuk bëhen me parulla, zotëri. Shqiptarët kurrë nuk e kanë dëmtuar Serbinë, gjithnjë kanë pësuar prej saj në gjithë rrugën historike të derisotme. Kur Serbia t’i japë provat e miqësisë, shqiptarët do të dinë ta vlerësojnë. Por ju nuk na diktoni dot miqësi me Serbinë që, sipas jush, u realizuaka duke na përbaltur historinë e duke na quajtur të pacivilizuar.
Me thënë të drejtën, zotëri Marty, duke lexuar raportin tuaj, mua më krijohet ideja se ju nuk jeni duke folur për shqiptarët e trevat e tyre, më duket sikur jeni duke folur për një shoqëri që realisht unë nuk e njoh, nuk di a mos keni kopjuar ndonjë material para 300-vjeçar, të gjetur ndokund. Zotëri, të them sinqerisht, po të isha unë kontrollor i raportit tënd, më duket kaq i vjetruar sa do t’ju kisha nxjerrë jashtë me gjithë raport. Ju gjithçka e keni shkruar duke paragjykuar. Në pikën 7 ju gjykoni strukturat ndërkombëtare që, për hir të vendosjes së stabilitetit, paskan lënë pa ndëshkuar krime të shumta, të cilat, siç duket, janë të pranishme vetëm në kokën tuaj zotëri. Por ju arritët me raportin tuaj ta bindni edhe Këshillin e Evropës se në Kosovë ka ndodhur shumëçka kriminale dhe që ju keni përcaktuar edhe kriminelët, të cilët, sipas jush, janë drejtuesit e lartë të UÇK-së. Ju akuzoni edhe NATO-n, pse duke goditur Serbinë nga ajri, bëri që “UÇK-ja u bë në këtë mënyrë aleati i tyre i domosdoshëm për veprimet tokësore”. Sepse gjithnjë, sipas jush, u “parapëlqye kështu të mbylleshin sytë ndaj krimeve të luftës të bëra nga kjo e fundit”. Këto qëndrime e vlerësime realisht nuk i kemi dëgjuar prej askujt para jush, përveç prej serbëve, të cilët unë jam i bindur se kanë përgatitur edhe raportin tuaj dhe për këtë në këtë shpjegim gradualisht do të përpiqem t’i sjell të gjitha faktet dhe arsyetimet që njoh unë për këtë çështje, duke i krahasuar termat tuaja dhe arsyetimet tuaja me ato serbe jo vetëm tani, por në vazhdimësi.
Ju keni guxim, ju nuk përtoni ta akuzoni edhe administratën e OKB-së dhe ShBA-të, duke u shprehur se: “Administratat ndërkombëtare që pasuan njëra-tjetrën në vend, si dhe administrata amerikane që, sipas mendimit të përgjithshëm, luan një rol të madh në mbarëvajtjen e çështjeve të entitetit të ri në Kosovë (Shtetet e Bashkuara kanë një ambasadë që disponon mjete nga më të fuqishmet, si dhe një bazë ushtarake, Kampi Bonstill, rëndësia e së cilës shkon shumë më përtej përmasës krahinore), u bënë pra njësh me aleatët e tyre faktikë në terren, të cilët ishin bërë tashmë zotëruesit e rinj të politikës lokale”. Por në gjithë këtë ligjëratë, ju bëni disa gabime të rëndësishme. Kosova tashmë është shtet dhe mund të bashkëpunojë me çdo shtet që e vlerëson me interes, ndërsa ju akoma me mendësitë e Titos e Millosheviçit e emërtoni krahinë, kurrë ajo s’ka për të qenë më krahinë e Serbisë, zotëri Marty. Ashtu edhe shtetin e Kosovës dy vjet pas shpalljes së pavarësisë ju e quani qeverisje lokale. Mos bëni kështu gabime. Mësohuni t’i emërtoni gjërat siç janë në të vërtetë, jo siç do të kishit ju dëshirë të emërtoheshin. Shqiptarët në Kosovë nuk do të jenë më kurrë vetëm zotëruesit e qeverisjes lokale, por të të gjithë qeverisjes së vendit duke punuar për ta zhvilluar atë vend sipas standardeve të kohës.
Ju zotëri i quani shqiptarët kaq të kriminalizuar sa nuk mund t’i besohet as edhe një përkthyesi shqiptar, pasi ai ua përcjell informatat të interesuarve. Besoj se ju gjatë punës tuaj në vendin e shqiptarëve, patjetër duhet ta keni pasur përkthyesin serb. Mirë keni bërë, se vetëm me përkthyes të tillë mund të bënit këtë raport, çfarë e keni bërë, në qoftë se e keni bërë, pasi unë jam i bindur se e keni marrë të gatshëm.
Në pikën 8, ju shpreheni: “Çështja e Nazim Bllacës, ‘dhënësit të alarmit’, që publikisht u vetëakuzua për vrasje të komanduara nga persona që sot janë të veshur me përgjegjësi të larta politike, është emblematike”. Po mirë, le të mendojmë për një çast se te ky Bllaca e zbuluat krimin, çfarë duhet të kuptojmë me termin “emblematike” në një raport për Këshillin e Evropës? Megjithatë, unë jam i bindur se edhe Bllaca është i rekrutuari i juaj, ashtu siç keni rekrutuar edhe ata që i quani dëshmitarë të fshehtë. Zotëri, krimet zbulohen me fakte, jo me rekrutë e dëshmi prapa perdes. Askënd nuk mund të akuzosh pa e vënë para fakteve, pasi në të kundërt duhet ta zini vendin e tij.
Në pikën 9 thoni: “Përpjekjet po fillojnë të japin rezultate të dukshme, konkretisht për sa iu përket dosjeve të kampit të Kukësit dhe të klinikës ‘Medicus’ në Prishtinë”. Dhe unë të uroj t’i zbulosh të gjitha krimet nëse kanë ndodhur, por nuk pajtohem me bashkimin që i bën të ashtuquajturit kamp të Kukësit me klinikën Medikus në Prishtinë. Midis këtyre dy institucioneve jam plotësisht i bindur se nuk ka asnjë lidhje. Mos harroni zotëri se Kukësi në pranverën e vitit 1999 nuk ka pasur një kamp, por ka qenë i gjithi kamp, pasi në një qytet me 20 mijë banorë kanë jetuar provizorisht rreth 700 mijë të shpërngulur dhe deri në fund të luftës 120 mijë të shpërngulur. Brenda këtij kampi të madh ka qenë edhe ajo qendër grumbullimi dhe qendër operacionale shumë e lavdishme dhe shumë efektive, që ju e quani “kampi i Kukësit”. Vetëm atë punë që pretendoni ju, ajo qendër nuk e ka bërë. Ndërsa kur të flisni për klinikën “Medikus” në Prishtinë mund të thoni çfarë të doni nëse ka bërë krime, ajo nuk i përket Luftës Çlirimtare të Kosovës. Lufta është bërë për liri, ndërsa klinika është ngritur për biznes. Janë shumë larg me njëra-tjetrën. Nëse i bashkojmë këto dy institucione në një, kemi të bëjmë me një veprimtari të dyshimtë dhe dashakeqësi të qëllimtë. Por, në fund të fundit, ju mund të shkruani si të doni, pasi keni një synim të caktuar, të cilin edhe e keni realizuar dhe besoj jeni shpërblyer.
Me thënë të drejtën, zotëri Marty, ju nuk hiqni dorë nga shakatë. Në pikën 13 të raportit tuaj shkruani: “Shumë familje kosovare shqiptare që kanë humbur një të afërt të tyre pas 12 qershorit 1999, do të kenë shpallur një datë zhdukjeje përpara kësaj date, nga frika se mos të afërmit e tyre cilësohen si ‘tradhtarë’ të ndëshkuar nga UÇK-ja”. Pyete more edhe shqiptarin më të paditur, a bëhet dot një gjë e tillë ndër shqiptarët, se do të të japë përgjigje të prerë: Kurrë. Mos bëni more shaka me fjalë të tilla të pamoralshme, se nuk është mirë edhe për ju e për organizatën së cilës i përkisni. Nuk jetohet në shkretëtirë këtej nga shqiptarët zotëri, këtu jetojnë njerëz shumë të përgjegjshëm, qytetarë të kulturuar dhe që e besojnë Zotin. A e besoni ju vërtet Zotin? Si u dhënka data e zhdukjes së personit si të dojë njëri e tjetri? Askush more zotëri ndër shqiptarët nuk ka frikë askënd, për një vepër që nuk e ka kryer. Tek ne tradhtarët nuk shpallen në tym, ata historikisht janë shpallur publikisht nëse kanë konsumuar aktin e tradhtisë kombëtare e ndaj atdheut me fakte e me dëshmitarë, veç jo si ata dëshmitarët pas perdes e pa emër që kërkoni ju, por dëshmitarë me emër e mbiemër.
Duke iu referuar datës 12 qershor 1999, që është shpallur si ditë e çlirimit të Kosovës, megjithëse ushtria dhe policia serbe janë larguar përfundimisht nga Kosova më 22 qershor 1999, ju bëni shumë lojëra fjalësh për ta akuzuar Ushtrinë Çlirimtare dhe drejtuesit e saj. Ju shtireni sikur nuk e dini se ka ligje të njohura botërisht për shpalljen e të zhdukurve, pasi ata nuk mund të shpallen me vullnete politike.
Shqiptarët edhe sot kanë rreth 2000 të zhdukur, të cilëve nuk u dihet fati dhe nuk mund të ndërmerren vendime për t’i trajtuar. Pasi të zhdukurit nuk mund të trajtohen pa adresë. Ashtu edhe fakti që edhe sot ka ende familje që nuk dëshirojnë t’i shpallin të zhdukur familjarët e tyre, me shpresë se mund të jenë gjallë diku.
Këtu nuk ka pasur asnjëherë gjueti njerëzish por ju, siç duket, keni lexuar shumë për periudhën e zbulimit të Amerikës, kur evropianët organizonin dhe bënin gjuetinë e indianëve, për ta pastruar terrenin prej tyre e për ta shfrytëzuar për vete. Të jeni i sigurt se atë lloj gjuetie e ka bërë Serbia në trojet shqiptare të pushtuar, përfshirë Kosovën prej një shekulli, ani pse nuk arriti t’i zhdukë shqiptarët. (Vijon)