“Shqiptarët përballë pushtuesve”, libër për historiografinë shqiptare
(Qerim Lita, “Shqiptarët përballë pushtuesve”, Sh. B. “Konica press”, Shkup, 2020)
Shtëpia Botuese “Konica press” ditë më parë botoi librin më të ri “Shqiptarët përballë pushtuesve” të autorit Qerim Lita. Vepra në fjalë është përmbledhje e shkrimeve dhe dokumenteve të veçanta arkivore, me interes për historiografinë bashkëkohore shqiptare. Shkrimet (gjithsej 26) trajtojnë problemin shqiptar të Kosovës e të trevave lindore (Maqedonisë së sotme Veriore), në harkun kohor 1920-1990. Brenda kësaj hapësire kohore në këto toka etnike shqiptare u instaluan regjime dhe pushtues të ndryshëm, tre prej të cilave njihen botërisht si më të egra: ai hegjemonist serb 1918-1941, pushtuesi bullgar 1941-1944 dhe, së fundi, regjimi komunist jugosllav, i cili në këto toka u vendos menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore (nëntor-dhjetor 1944) dhe zgjati deri në rënien e komunizmit, përkatësisht me shpërbërjen e Federatës Komuniste Jugosllave (1991).
Ajo çfarë është me rëndësi të thuhet për lexuesit shqiptarë dhe jo vetëm, është fakti se të gjitha shkrimet mbështeten në burimet relevante arkivore që autori ka arritur t’i zbulojë gjatë hulumtimeve shumëvjeçare nëpër depot e arkivave të ish-republikave jugosllave e të Kosovës, përkatësisht të Shkupit, Prishtinës, Beogradit dhe Lubjanës. Pikërisht, në mbështetje të këtyre burimeve, kjo përmbledhje hedh dritë mbi politikën e dhunshme shtatëdhjetëvjeçare, që tre regjimet, përkatësisht pushtuesit e sipërpërmendur, e zbatuan ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare, në radhë të parë ai hegjemonist serb, si dhe ai komunist jugosllav-maqedonas, të cilët për synim kishin dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta etnike për në Turqi dhe kolonizimin e tyre me elemente sllave.
Për t’iu kundërvënë asaj politike antishqiptare, në këto troje vepruan shumë organizata e lëvizje atdhetare shqiptare si: Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (KMKK), Lëvizja Kaçake, Organizata Politike “Xhemijeti” (Bashkimi), Organizata Studentore BESA, Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), tri organizatat që vepruan gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar: “Liria”, “Shpresa” dhe “Shkëndija” etj. Në krye të tyre u rreshtuan dhe vepruan figura e personalitete të shquara të kombit shqiptar, si: Hasan Prishtina, Hoxhë Kadri Prishtina, Ferhat bej Draga, Bedri Pejani, hafiz Sherif Langu, mulla Idriz Gjilani, Shaban Efendiu, Ali Shefqet Shkupi, Shaip Kamberi, Xhemë Gostivari, Sylë Hotla, Uke Cami, Murat Labënishti, Azem Marana, Hasan Bilalli, Mahmut Dumani, kapiten Hysni Rudi, Sadudin Gjura, Mehmetriza Murtezan Gega, Eshref Hoxha, Adnan Agai, Zijadin Qyra e shumë të tjerë.
Veprimtaria e organizatave të sipërpërmendura si dhe të krerëve udhëheqës të tyre përfshihet gjerësisht në këtë libër përmes shkrimeve të veçanta. Një hapësirë e konsiderueshme iu kushtohet edhe demonstratave shqiptare të organizuara gjatë viteve 1968 dhe 1981 në Kosovë dhe në Tetovë, si dhe planeve sekrete jugosllave-maqedonase kundër shqiptarëve, në radhë të parë kundër mërgatës shqiptare. (H. B.)