Shqiptarët, rekord kërkesash për azil në Francë
Gjatë vitit 2017, në Francë janë regjistruar 200 mijë aplikime për azil. Rezultati, i përshkruar si “historik” nga mediet e huaja, i detyrohet në mënyrë të veçantë rritjes së numrit të kërkesave nga Shqipëria dhe Afrika Perëndimore.
Drejtori i zyrës së shtypit të Shërbimit francez për Mbrojtjen e Refugjatëve, Pascal Bris, ka thënë se numri i aplikimeve ka pasur vitin e kaluar një kapërcim me 17 për qind.
Të dhënat, sipas tij tregojnë se Franca mbetet një prej vendeve të para të Evropës, kur vjen fjala të dëshira për të kërkuar azil, ndërsa Gjermania vazhdon të kryesojë listën me gati 200 mijë pretendentë për këtë vit, raporton “TCh”.
Një pjesë dërrmuese e atyre që synojnë qëndrimin në Francë janë nga Shqipëria, edhe pse vendi ynë është pjesë e listës së “shteteve të origjinës së sigurt”.
Nga 7.630 aplikime nga persona të rritur, shteti francez ka mundur të kënaqë vetëm 6.5 për qind të tyre. Afganistani vjen i dyti me 5.987, e pas tij renditen Haiti, Sudani e Guinea.
Shumë prej azilantëve që mbërritën në Francë vitin e kaluar ishin nga shtetet afrikano-perëndimore, sidomos Bregu i Fildishtë, Kongo dhe Algjeria.
Koha mesatare e pritjes, pas depozitimit të kërkesës për azil, ishte ulur në 3 muaj, por pas një urdhri të presidentit Emmanuel Macron, siç ka sqaruar Bris, sivjet do të tkurret edhe më shumë dhe përgjigjja mund të merret brenda më pak se dy muajve.