‘Shqiptarët siç i do hasmi’, Rama ua citon Fishtën atyre që u gëzuan për Thaçin dhe Veselin

30 qershor 2020 | 16:12

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cituar poetin e madh shqiptar, Gjergj Fisht, derisa ka thënë se propozimaktakuza për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin nga Gjykata Speciale nuk duhet ta gëzojë asnjë shqiptar.

“Nuk mendoj se kjo duhet të qetësojë, lehtësojë, apo aq më pak gëzojë qoftë një shqiptar të vetëm. Çdo shqiptari që mendon se është momenti për të nxjerrë inatet e veta, për ta bërë hakmarrjen e vet politike, apo për të lehtësuar shpirtin duke fërkuar duart që Hashim Thaçit apo Kadri Veselit i erdhi dita i them: Mos ma kujto Gjergj Fishtën që kur i thanë ‘Si janë shqiptarët?’, tha ‘Siç i do hasmi’”, është shprehur Rama.

Më tutje, Rama ka deklaruar se propozimaktakuza përbën shkelje të praktikave në drejtësinë ndërkombëtare.

“Për mua ajo komunikatë që lajmëroi botën mbarë se pritet të vijë një aktakuzë e cila ndërkohë nuk është formalizuar nga gjykata përbën jo vetëm shkelje flagrante të çdo praktike të drejtësisë ndërkombëtare, por edhe akt brutal ndaj vetë Kosovës. Për më tepër unë nuk di që në kornizën e miratuar për veprimtarinë e kësaj Gjykate Speciale nga Kuvendi i Kosovës të përfshihen edhe hetime apo gjykime për sa dhe si X dhe Y mbrojnë interesin kombëtar apo mbrojnë interesin personal”.

“Mos ta harrojmë që Kosova ka kaluar një eksperiment 20 vjeçar të drejtësisë ndërkombëtare të panjohur në historinë e drejtësisë ndërkombëtare me gjykatë për krimet nga UNMIK-u nën mbikëqyrje të OKB-së, gjykatë për krimet nga EULEX-i nën mbikëqyrjen e BE-së, Tribunali i Hagës, panelet hibride edhe kështu edhe ashtu, si dhe gjykatat vendore dhe tani kjo është shkalla e gjashtë”, ka thënë Rama në një konferencë për medie në përmbyllje të vizitës dyditore në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti takoi sot kryetarin e Odës…