Shqiptari hero, shpëton foshnjën që kishte rënë në liqenin e ngrirë në Itali

22 prill 2022 | 12:27

Tomorr Buzi ishte në një udhëtim në liqenin Braies në Trentino Alto Adige, me gruan dhe vajzat e tij, kur dëgjoi britmat e një gruaje që kërkonte dëshpërimisht ndihmë, të shoqëruar nga klithma e një foshnje, djali i saj katër muajsh.

Pa hezituar Tomorri kishte vrapuar për të shpëtuar të voglin duke rrezikuar edhe jetën e tij. Sapo e kishte kuptuar seriozitetin e situatës, 43-vjeçari shqiptar i cili jeton në Romano di Lombardia të Italisë ishte vërsulur drejt shtresës së akullit që kishte mbuluar liqenin.

Ecja mbi të do të ishte e pamundur, duke pasur parasysh trashësinë e vogël të akullit, që bëri që 8 persona të binin në ujë të hënën e kaluar.

Buzi ishte zvarritur dhe rrotulluar me kujdes në akull, për të arritur tek fëmija në rrezik, derisa kishte arritur ta kapte.

“Askush nuk mund t’i rezistonte kurrë klithmave të një gruaje që kërkon ndihmë, aq më pak klithmës së një foshnje. Ai ishte aq i vogël dhe i pafuqishëm. Kur e pashë, i prekur nga instinkti, vrapova menjëherë për ta shpëtuar. Është çështje sekondash në të cilat nuk mendoni për asgjë tjetër veç misionit tuaj. E imja, në atë moment, ishte ta shpëtoja atë”, ka thënë Buzi, duke mos i kushtuar rëndësi rrobave që kishte veshur, celularit dhe portofolit që kishte në xhep.

“Gruaja ime dhe vajzat e mia kishin frikë, unë jo. Në atë moment provova gjithçka. Por kurrë nuk kam pasur frikë për jetën time. Ai fëmijë ishte në rrezik, ndërsa familja ime ishte e sigurt dhe kjo mjaftoi për të më bërë të drejtoja veten për nga i vogli”, ka thënë ai.

Pasi e ka nxjerr nga uji i ngrirë, Buzi e kishte vendosur foshnjën në sipërfaqen e ngrirë duke pritur ndihmë. Ai vetë kishte qëndruar në ujin e akullt. Pasi kishte mbërritur ndihma e shpejt, të dy kishin shpëtuar.

Pas disa ditësh, Buzi ka thënë se është krenar për veprimin e tij, duke nënvizuar se si janë edhe gruaja dhe vajzat e tij, pavarësisht shqetësimit të dukshëm fillestar.

“Më vjen keq pasi shqetësova familjen time, por e dija që po bëja gjënë e duhur dhe e di që edhe ata thellë brenda vetes menduan të njëjtën gjë. Nëse do të kthehesha, do ta bëja përsëri”, ka thënë ai.

Nuk vonuan të mbërrinin urimet e sinqerta të të njohurve, miqve dhe kryetarit të bashkisë Romano, Sebastian Nicoli , i cili mëngjesin e së enjtes e ka takuar Buzin dhe e ka falënderuar personalisht bashkëqytetarin e tij./Abcnews.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët për media…