Shqiptari nga Kroacia me Agjencinë “Niagara Sport Company”, ndër dhjetë menaxherët më të mirë në botë për transferë të futbollistëve
“Në Kosovë lajmi i mirë si duket nuk është lajm. Depërtojnë vetëm ato lajme negative që lënë gjurmë negative në aspektin moral, etik, psikologjik por edhe në aspektin motivues! Se diaspora jonë është ambasadori shpirtëror që po promovon dhe mbështet Kosovën po bindemi çdo ditë e më shumë. Jo vetëm në sport, muzikë, art por edhe në aspektin e ndërmarrësisë dhe biznesit ndërkombëtar po dëshmohen çdo ditë dhe po e përmirësojnë imazhin e Kosovës”, ka shkruar në “Facebook” njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, raporton “Epoka e re”.
Andy Bara është një storie e suksesit ku me agjencinë për transferin e futbollistëve “Niagara Sports Company” është në top dhjetë agjencitë e botës.
“Niagara Sports Company” është themeluar në vitin 2013 në Madrid dhe sot operon me sukses në Zagreb, Milano, Dubai dhe Rio de Jeneiro të Brazilit.
“Në këtë kohë të konkurrencës së madhe në këtë fushë, ku vetëm në Angli janë më shumë se 13 000 agjentë për transferim të lojtarëve e të gjendeni në top 10 agjencitë e botës, besoj se dëshmon suksesin e Andy Bares, ku babai i tij është mu nga Vushtrria e Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai ka shtuar se sot Andy Bara dhe agjencia e tij “Niagara Sports Company” menaxhon me emra të njohur të futbollit si Dani Olmo, Alvaro Morata, Lovro Majer, Alvaro Djalo, Jonathan Ikone, Mikayil Faye, Jorge de Frutas, Nacho Fernández, Keide Bare, Joanmi Latasa, Ruben Vanez, Muhammad Bouldini dhe shumë të emra të tjerë të futbollistëve.
“Të mësojmë nga sukseset e të rinjve shqiptarë dhe t’u gëzohemi sukseseve të tyre, sepse ato suksese promovojnë më së miri Republikën e Kosovës në këto kohë të sfidave të shumta me të cilat po ballafaqohet”, ka shkruar Safet Gërxhaliu.