Shqiptari që kaloi 11 vjet burg, aty u bë ‘mik’ me mizën e miun
Në jetën normale, askush prej njerëzve nuk do të donte t`i kishte afër mizat dhe minjtë. Në rrethana të veçanta, miza dhe miu mund të jenë miq të mirë të njeriut, shkruan portali mediafokus.info.
Kjo i kishte ndodhur Murat Mushicës nga Gjilani, i cili vite të tëra nëpër qelitë e Serbisë, i kaloi me minj e miza, pa njeri afër.
Kur doli nga burgu deshi të bënte edhe një libër për mizën, sepse me këtë insekt e kaloi kohën më të madhe, por vdekja nuk i dha kohë.
Libri për mizën mbeti i pa shkruar.
Murat Mushica, në vitet e `80-ta e kishte ndëshkuar me dorën e vetë një drejtor serb, i cili po bënte padrejtësi dhe diskriminim mbi shqiptarët që punonin në industrinë e tekstileve “Integj”.
Murati rrëfente shpesh për kohën e kaluar në burg, për torturat dhe përpjekjet për të mbijetuar, për vetminë dhe mizën e minjtë, me të cilët i kaloi shumë ditë e net si dhe për mërzinë që ndjeu kur një mëngjes, miza kishte ngordhur.
Ishte mërzitur shumë, tepër shumë, sepse nuk do të kishte me kënd t`i kalonte vitet e mbetura në burg.
Nuk kishte kujt t`i “rrëfehej” për veten dhe familjen, për dhimbjet dhe dashurinë, për diskriminim jashtë burgut dhe për torturat në qeli, për shumë momente tjera të jetës.
Miqtë e tij tregojnë se Murati, i cili u kishte rrëfyer për këto detaje të jetës, pas daljes nga burgu, u kishte thënë se ishte mërzitur shumë atë ditë që miza kishte ngordhur.
Nuk kishte askënd tjetër me kënd ta ndante vetminë në qelinë e territ dhe të tmerrit, aty ku as miza nuk mbijetoi.
Në Gjilan, Murat Mushica njihet si veprimtar dhe pajtimtar i gjaqeve.
Por, Mushica u bë i njohur jo vetëm në Kosovë, por në gjithë ish-Jugosllavinë, në vitin 1980, kur u detyrua ta ndëshkojë vetë njërin nga drejtorët e Kombinatit të tekstilit, Mirolub Joviq – Mici, i cili e kishte degraduar në punë.
“Unë jam zot për ty”, i kishte thënë Mici, por nuk i kishte dalë ashtu me Muratin, i cili e kishte goditur në fytyrë.
Kur Mici kishte tentuar ta nxjerrë revolen, Murati ishte treguar më i shpejtë dhe e kishte qëlluar katër herë atë, raporton Mediafokus.info.
Mici shpëtoi gjallë dhe mbijetoi, ndërsa Murati u arrestua dhe u dënua rëndë.