Shqiptarit dhe gruas rumune i zbulohet kokainë me vlerë 2 milionë euro
Një burrë 44-vjeçar shqiptar dhe një grua rumune 34-vjeçare janë arrestuar nga policia italiane pasi janë kapur duke transportuar me makinë një sasi lënde narkotike të llojit kokainë.
Ata janë ndaluar për kontroll në dalje të autostradës Senigallia pasi udhëtonin me shpejtësi të lartë. Por gjatë kontrollit, shqiptari dhe gruaja rumune kanë shfaqur shenja nervozizmi.
Punonjësit e policisë kanë sjellë qenin anti-drogë për të kontrolluar automjetin. Në pjesën e pasme të makinës me targa gjermane ishte krijuar një hapësirë e modifikuar.
Brenda janë konstatuar disa pako me kokainë me peshë totale mbi 17 kilogramë. Shqiptari dhe 34-vjeçarja rumune janë arrestuar në flagrancë.
Sipas autoriteteve italiane, nëse kokaina do të hidhej në treg do të kapte një vlerë rreth 2 milionë euro.