Shqiptarja Sara Gezdari nuk mori vota të mjaftueshme për parlamentin britanik
Kandidatja e Liberaldemokratëve, Sarah Olney, ka grumbulluar 28.528 vota, ndërsa Gezdari e Konservatorëve 11.373 vota.
E vetmja shqiptare që kandidoi për një vend në parlamentin britanik nga radha e konservatorëve, nuk ka mundur ta sigurojë një mandat deputeteje.
Sara Gezdari konkurronte në zonën më të pasur të Londrës në Richmond Park ku liberaldemokratët kryesojnë me diferencë të thellë votash. Kandidatja e Liberaldemokratëve, Sarah Olney ka grumbulluar 28.528 vota, ndërsa Gezdari e Konservatorëve 11.373 vota.
Sara Gezdari jeton në Londër prej 11 vjetësh dhe është angazhuar në jetën partiake në radhët e konservatorëve britanikë që prej fillimit! Ajo vjen nga bota e financës dhe turizmit dhe ka pasur shumë poste në projekte dhe iniciativa të ndryshme politike në radhët e kësaj partie që ndodhet prej 14 vjetësh në pushtet.
Sara Gezdari nënë e dy fëmijëve është e bija e Edmond Gezdarit, ish-futbollistit të mirënjohur të ekipit të Tiranës ose ish 17 Nëntorit në vitet 1970-1980! Sara ishte kandidatja e duhur, ndoshta në kohën e gabuar për partinë e gabuar, pasi konservatorët pas 14 vitesh në pushtet pësuan disfatë.