Shqiptohen 211 gjoba për ndotësit e mjedisit gjatë muajve mars dhe prill
Organizata “Let’s Do It” ka bërë me dije se inspektorët komunalë mjedisor dhe qendror gjatë muajve mars dhe prill, kanë shqiptuar 211 gjoba për ndotësit e mjedisit, bazuar në Udhëzimin Administrativ për Gjoba Mandatore.
Nëpërmjet një komunikate për medie kanë njoftuar se janë shqiptuar edhe 13 gjoba të tjera të bazuara në rregullore komunale.
Sipas monitorimit të bërë nga “Let’s Do It” për muajt mars dhe prill, rezulton se Peja i prin listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara gjithsej 31, pasuar nga Vushtrria me 21 gjoba të shqiptuara, Prishtina 20 dhe Ferizaj me 18 gjoba.
Sipas tyre, me nga 15 gjoba të shqiptuara, lista vazhdon me Komunën e Gjakovës dhe Deçanit, pasuar nga komuna e Prizrenit dhe Malishevës me nga 10 gjoba të shqiptuara për ndotësit.
Ndërsa gjatë muajve mars e prill, në Komunën e Rahovecit dhe Klinës janë shqiptuar 7 gjoba, në Komunën e Mitrovicës 6 gjoba, pasuar nga Komunat e Skenderajt, Gjilanit, Shtimes me nga 6 gjoba të shqiptuara.
Numër të njëjtë të gjobave kanë shqiptuar edhe inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ndërsa, nga 5 gjoba janë shqiptuar në Komunën e Podujevës dhe Kamenicës.
Nga 3 gjoba kanë shqiptuar Komuna e Istogut, Drenasit dhe Lipjanit, pastaj është Komuna e Obiliqit me vetëm dy gjoba të shqiptuara, derisa në Komunën e Suharekës është shqiptuar vetëm një gjobë.
Në muajt mars dhe prill, asnjë gjobë mandatore nuk është shqiptuar në komunën e Fushë Kosovës, Vitisë, Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Junikut.
“Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara gjatë muajit mars ishte ai i hedhjeve të mbeturinave në zonat e ndaluara dhe parkimi në zonat e gjelbëruara, ndërsa gjatë muajit prill ishte ai i shpërndarjes së fletushkave nëpër hapësirat e ndaluara (kryesisht në hyrje të ndërtesave)”, është thënë në njoftimin për media nga “Let’s Do It” .