Shqiptohen 285 gjoba mandatore për ndotësit e mjedisit gjatë muajve mars – gusht
“Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” ka bërë monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore si dhe të rregulloreve komunale për mjedis.
Gjatë periudhës kohore mars – gusht 2022 janë shqiptuar 285 gjoba mandatore nga inspektorët komunalë në 24 komuna.
Më së shumti gjoba janë shqiptuar në Komunën e Mitrovicës, gjithsej 60 gjoba.
Komunat Podujevë, Istog dhe Mamushë nuk e kanë shqiptuar asnjë gjobë për këtë periudhë kohore, ndërsa Komuna e Fushë Kosovës nuk e ka dërguar numrin e gjobave të shqiptuara.
Përveç gjobave mandatore disa nga komunat kanë dërguar fletëparaqitje për gjykatë, procese verbale dhe kërkesa për gjykatë në kuadër të çështjeve mjedisore.
“Let’s Do It-Ta Pastrojmë Kosovën” ka njoftuar se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vazhdim.
“Let’s Do It-Ta Pastrojmë Kosovën” ka falënderuar inspektorët komunalë të mjedisit për bashkëpunimin dhe gatishmërinë në ndarjen e të dhënave me qëllim që përmes raportimeve të gjobave mandatore të vetëdijësojë ndotësit në mënyrë që të krijohet një mjedis sa më i pastër në gjithë territorin e Kosovës.
“Gjithashtu, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të e rrisin kujdesin për mjedisin, sidomos për pronat publike. Së bashku për një mjedis më të pastër”, ka njoftuar “Let’s Do It-Ta Pastrojmë Kosovën”.