ShSKUK-ja fillon bashkëpunimin me Universitetin “Johns Hopkins” të ShBA-ve
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka filluar bashkëpunimin me Universitetin “Johns Hopkins” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kontaktet e para zyrtare janë vënë të premten përmes një tele-konference, ku është diskutuar në lidhje me trajtimin e pacientëve të prekur me Covid-19, dedikuar anesteziologëve-intensivistëve të SHSKUK-së, në të cilën mori pjesë dr. Arbër Shehu, mjek i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, që tash punon në Universitetin “Johns Hopkins”, përmes të cilit është bërë i mundur kontakti edhe me profesorët më eminent të këtij universiteti, dr. David Hager dhe dr. William Garneau.
Kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, dr. Agreta Gecaj-Gashi dhe drejtori SHSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi, janë shprehur mirënjohës dhe vlerësuan lart kontributin e profesorëve nga Universiteti “Johns Hopkins” në këtë konferencë, e cila është e domosdoshme dhe e mirëseardhur për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar.
Përveç QKUK-së, konferenca është transmetuar edhe në spitalet e përgjithshme.