ShSKUK-ja: Për nëntë muaj 335 raste me kancer të gjirit, mbi 50 për qind u diagnostifikuan herët

14 tetor 2024 | 14:13

Klinika e Onkologjisë e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ka trajtuar 335 raste me kancer të gjirit gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024, prej të cilave 332 janë gra dhe tre burra, apo 22% të rasteve të sëmundjeve malinje të regjistruara deri në muajin shtator.

Një aspekt pozitiv është se 52% e rasteve janë diagnostikuar në fazën e hershme (stadet I dhe II), çka tregon për ndërgjegjësimin në rritje ndaj kancerit të gjirit në Kosovë.

“Të gjithë pacientet janë trajtuar në Klinikën e Onkologjisë, sipas protokolleve ndërkombëtare, me barna; si citostatikë, terapi biologjike, hormonale, terapi të mençur, dhe radioterapi me teknika si IMRT dhe C-RAD. Trajtimi përfshin fazat neoadjuvante (lloj i trajtimit që jepet para operacionit, zvogëlon tumorin), adjuvante (trajtimi pas ndërhyrjes kryesore, si operacioni për të ulur rrezikun e rikthimit të kancerit). Si dhe metastatike, (kancer që përfshinë dhe pjesë të tjera, i shpërndarë). Klinika e Onkologjisë, ofron shërbime pa lista pritjeje për onkologji dhe radioterapi, si dhe nuk ka referime për trajtim jashtë vendit”, ka njoftuar ShSKUK-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në lidhje me krizën e ushqimit në Forcën e Sigurisë…