ShSKUK-ja reagon pas arrestimit të mjekut për marrje të ryshfetit
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka reaguar pas arrestimit të një mjeku të QKUK-së nën dyshimin për marrje të ryshfetit.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin se një mjek është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, marrje e ryshfetit. Drejtoria e ShSKUK-së është duke e përcjellë me vëmendje këtë situatë dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, është thënë në reagimin e ShSKUK-së.
Në këtë kontekst, ShSKUK-ja ka theksuar se shkelësit e ligjit nuk kanë vend në institucionet publike shëndetësore.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë raste të parregullsive”, është thënë në reagimin e ShSKUK-së.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka urdhëruar që të ndalohet mjeku S.D, i cili gjatë punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dyshohet për veprën penale “Marrje e ryshfetit”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti për Krime të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka urdhëruar ndalimin e personit me inicialet S.D., në cilësinë e mjekut në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.