
ShSKUK: Nuk ka mungesë të tretësirës për infuzion
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka reaguar ndaj dezinformatave se nuk ka tretësirë, duke sqaruar se furnizimi me të për infuzion (NaCl 0.9%- 500 ml) ka qenë dhe mbetet i qëndrueshëm në të gjitha klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme.
“Theksojmë se në muajin janar 2025, ShSKUK ka pasur në stok 54 mijë e 610 copë me tretje për infuzion, NaCl 0.9%- 500 mililitra, të cilat në vazhdimësi janë shpërndarë në institucionet që menaxhohen nga ShSKUK, si në QKUK, ashtu edhe në spitalet e përgjithshme. Po ashtu, ka sasi të mjaftushme me sisteme të infuzioneve dhe kanillave, ampula deksametazon dhe diklofenak, e që në vazhdimësi shpërndahen në QKUK dhe 7 spitalet e përgjithshme. Po ashtu, në muajin shkurt jemi furnizuar me 16 mijë e 200 copë tretje për infuzion- NaCl 0.9%- 500 mililitra, asnjë moment në njësitë e ShSKUK nuk ka pasur mungesë të tyre”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së.
Sipas këtij reagimi, kjo gjendje e furnizimit mund të verifikohet në çdo moment në Sektorin për furnizim me barna dhe material shpenzues në ShSKUK, por edhe në klinika dhe spitalet e përgjithshme.
“Andaj, ShSKUK, apelon tek mediat gazetarët dhe shoqëria civile, para se të shpërndajnë informata të pa verifikuara, paraprakisht të marrin informacionin zyrtar dhe të verifikojnë gjendjen në Sektorin për furnizim me barna dhe material shpenzues, klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme. Edhe pse ka në stok, furnizimi i ardhshëm, i planifikuar që vjen së shpejti përfshinë mbi 80 mijë copë tretje për infuzione NaCl 0.9%-500 mililitra. Duhet të theksojmë se ky furnizim është bërë falë angazhimit dhe planifikimit të mirë nga Sektori për furnizim me barna dhe material shpenzues”, thuhet në reagimin e ShSKUK-së.