Shtabi Emergjent i Podujevës kërkon nga qytetarët t’i respektojnë masat anti-Covid
Në takimin e rregullt të Shtabit Emergjent Lokal, të udhëhequr nga nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, u diskutua për situatën e përgjithshme epidemiologjike në këtë komunë.
Në takimin e Shtabit u tha se trendi i rritjes së rasteve me Covid-19, ditëve të fundit e ka përfshirë edhe Komunën e Podujevës.
“Kemi rritje për 100 për qind të numrit të personave të infektuar, krahasuar me një javë më herët. Lehtësimi i masave dhe mosrespektimi i rekomandimeve, hapja si shkak i fillimit të procesit mësimor, lejimi i ceremonive fetare, lejimi i gastronomisë me orar të plotë dhe numri i bashkatëdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë gjatë javëve të fundit janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e numrit të personave të infektuar”ka thënë nënkryetari Rudari.
Ai ka thënë se kjo gjendje e krijuar kërkon rritjen e vëmendjes për secilin prej nesh se virusi është prezent dhe se rekomandimet duhet të zbatohen me përpikëri, si e vetmja mundësi për ta shmangur kthimin në masat shtrënguese, në të cilat ishim më parë.
Në Komunën e Podujevës aktualisht janë 47 raste aktive me Covid-19, 657 të infektuar deri tash, 589 të shëruar dhe 21 raste të vdekjes.
Pavarësisht gjendjes epidemiologjike, procesi mësimor në të gjitha shkollat është duke u zhvilluar normalisht, konform vendimeve të Ministrisë së Arsimit.
Shtabi Emergjent në këtë komuna u ka bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Podujevës që t’i respektojnë masat anti-Covid, ta mbajnë maskën dhe distancën, t’i dezinfektojnë duart dhe të kujdesen për higjienën.
(Q.R / Epoka e re)