Shtabi Emergjent i Podujevës kërkon zbatim të masave anti-Covid
Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 në takimin e mbajtur të martën ka diskutuar rreth gjendjes së rënduar javët e fundit me pandeminë, masat dhe vendimet e qeverisë gjatë fundjavës së kaluar dhe masat që mund të merren së shpejti nga Qeveria e Kosovës.
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka informuar anëtarët e shtabit Emergjent lidhur me gjendjen e rënduar epidemiologjike në komunë dhe ka informuar rreth takimit virtual të mbajtur të hënën me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani.
Nënkryetari Rudari ka thënë se në këtë takim ka paraqitur shqetësimin e tij në lidhje me masat e ndërmarra për mbylljen totale të bizneseve për fundjavë, në theks për sektorin e gastronomisë, por njëkohësisht është angazhuar për respektim strikt të masave anti-Covid nga qytetarët dhe organet përgjegjëse të komunës, që të shmangen mbylljet totale siç u praktikuan në fundjavë.
Rudari ka pohuar se komuna është e gatshme për të shtuar masat e kontrollit dhe sigurisë në bashkëpunim me policinë, inspektoratin dhe punëtorët shëndetësorë.
Epidemiologia Bedrie Rama ka theksuar se gjendja me pandeminë aktualisht është e menaxhueshme, pavarësisht shtimit të numrit të rasteve.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bejtush Jashari ka pohuar se ka angazhim të plotë të stafit mjekësor, kurse kohët të fundit ka edhe shtim në staf të vullnetarëve, të cilët po punojnë pandërprerë në luftimin e pandemisë.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Agim Blakçori, tha se deri tani procesi mësimor është duke u zhvilluar sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve shëndetësore.
Sipas tij, nga 114 testimeve të kryera tek personeli arsimor, 31 punëtorë arsimorë kanë rezultuar pozitivë, ndërsa tek nxënësit, prej 98 testimeve, 23 raste kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Shtabi Emergjent u ka bërë thirrje qytetarëve të Komunës së Podujevës që t’i respektojnë masat anti-Covid.
(Q.R / Epoka e re)