Shtabi emergjent në Malishevë, e vlerëson të menaxhueshme situatën me covid

28 dhjetor 2020 | 15:59

Shtabi Emergjent Komunal në Malishevë, i drejtuar nga nënkryetari i komunës, Hajdin Berisha, sot e ka mbajtur takimin e radhës, ku është vlerësuar situata me pandeminë covid-19. Në këtë mbledhje situata me covid-19 në Malishevë, u vlerësua e menaxhueshme dhe nën kontroll të plotë.

Në mbledhjen e sotme, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i ka falënderuar anëtarët e shtabit emergjent komunal, për punën e palodhshme që kanë bërë, që nga fillimi i pandemisë, e deri më sot, në menaxhimin e situatës me covid-19, pavarësisht sfidave të shumta nëpër të cilat ka kaluar Malisheva si komunë, përfshi edhe periudhën 51 ditëshe të karantinimit të plotë.

Nënkryetari Berisha dhe të gjithë folësit tjerë, e kanë vlerësuar lartë edhe bashkëpunimin me qytetarë gjatë kësaj periudhe të gjatë me pandemi, si dhe punën e palodhshme të stafit shëndetësor në QKMF në Malishevë, punën e Policisë së Kosovës-stacioni në Malishevë, inspektoratit, emergjencave, organizatave joqeveritare dhe të gjithë faktorëve tjerë, që kanë dhënë kontribut në menaxhimin e situatës.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe furnizimi me ujë, energji elektrike dhe grumbullimi i mbeturinave, gjatë kësaj periudhe, ku u dhanë kritika të ashpra për gjendjen me furnizim me energji elektrike, pasi Malisheva është duke u përballur me reduktime të ashpra dhe me fuqi të dobët të energjisë. Po ashtu u tha se ka edhe reduktime të ujit, qoftë për shkak të mungesës së reshjeve, e po ashtu edhe për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Përndryshe, në Komunën e Malishevës, bazuar në raportin e IKSHPK, sot janë regjistruar tri raste me covid, sipas vendbanimeve: nga një rast në Drenoc, një në Malishevë dhe një në Ngucat, ndërsa numri i rasteve aktive është 51.

Gjendja e përgjithshme me covid-19 në Komunën e Malishevës, është kjo: gjithsejtë janë regjistruar 544 raste me covid-19, prej tyre, 461 janë shëruar, 32 kanë vdekur dhe aktiv me covid janë edhe 51 persona.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë me dije së është…