Shtabi emergjent në Mitrovicë kërkon respektimin e masave kundër Covid-19
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbajtur të hënën mbledhjen me shtabin emergjent të komunës së Mitrovicës, ku është diskutuar lidhur me gjendjen aktuale dhe zbatimin e masave preventive ndaj virusit Covid-19.
Fillimisht drejtoresha e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Mitrovicë, Teuta Fejza, ka potencuar se deri më tani në këtë komunë janë realizuar mbi 400 testime për personat e dyshuar me Covid-19 dhe raste kontakti, dhe se pas rezultateve pozitive të dy-tri ditëve të fundit, janë gjurmuar dhe identifikuar gjithsej 47 raste kontakti dhe raste me simptome, të cilat janë dërguar për testim në IKShPK-së, me ç’rast sonte pritet të dalin rezultatet e tyre.
Ndërsa drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj-Barani, ka raportuar për situatën aktuale në institucionet shëndetësore, derisa ka theksuar se stafi janë të gatshëm që të ofrojnë shërbime të sigurta dhe profesionale për qytetarët, dhe se Komuna e Mitrovicës të gjithë personave që kanë qenë dhe janë në vetë izolim u ka dalë në ndihmë me pako ushqimore, higjienike, dhe pako mjekësore.
Në këtë mbledhje, anëtarët e shtabit emergjent komunal janë dakorduar që të zbatohet Rregullorja Komunale Nr. 03/2014 për caktimin e orarit të punës për subjektet afariste që veprojnë në komunën e Mitrovicës, dhe se Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë Rajonale do të kryejnë inspektime të vazhdueshme në mënyrë që të zbatohet kjo rregullore. Njëkohësisht është bërë me dije se do të merren masa shtesë për qytetarët që frekuentojnë objektin e Komunës së Mitrovicës.
Në fund, anëtarët e Shtabit Emergjent kanë bërë apel tek të gjithë qytetarët që të vazhdojnë kujdesin ndaj këtij koronavirusit, duke përdorur masat mbrojtëse, dhe duke shmangur ambientet e mbyllura dhe shumë të frekuentuara.