Shtatë ditë dhe net në Spanjë
Dibran Demaku
Shtatë ditë dhe net në Spanjë (I)
Ta vizitosh Spanjën dhe mos t’i shikosh dhe përjetosh vallet dhe këngët spanjolle mund të thuhet se nuk ke shijuar e përjetuar asgjë. Hoteli në të cilin u vendosëm mbrëmë, më 16 nëntor, në të cilin do të qëndrojmë edhe dy netët në vazhdim, kishte përgatitur befasi të këndshme për grupin tonë turistik. Pas një darke të shijshme, në një sallë hoteli të destinuar për evenimente të tilla, kishte organizuar një mbrëmje me këngë dhe valle spanjolle. Këtë eveniment shumë të këndshëm nuk morëm vesh e kishte bërë menaxheri i hotelit apo organizatori i turit turistik. Ajo që na interesoi gjatë dhe pas këtij evenimenti të këndshëm dhe të paharrueshëm ishte se mbrëmja kaloi këndshëm. Gjatë orëve sa zgjati evenimenti shumë nga anëtarët e grupit tonë turistik (ata që dinin të vallëzonin) vallëzonin vallen spanjolle “Flamengo” si dhe valle të tjera spanjolle të cilat me ritmin e tyre fantastik të bëjnë të lodhesh fizikisht, por të kënaqin shpirtërisht. Mbrëmja me tingujt e këngëve dhe valleve spanjolle vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit. Të nesërmen pothuajse të gjithë anëtarët e grupit tonë turistik i fërkonin sytë, sepse kishin fjetur pak orë.
Destinacioni ynë i sotëm është Granada, për të cilin, para se të mbërrijmë në të, gjatë dy orëve e gjysmë me autobus, na flet shoqëruesja jonë Xhusi. Ajo na rrëfen për qytetin Granada dhe historinë e tij i cili për turistët e tërë botës ishte atraksion i vërtetë.
Kemi arritur në Granada. Destinacioni ynë i parë është qyteti në qytet Alhambra. Xhusi tregon se ky ishte qyteti i fundit spanjoll i cili në shekullin e pesëmbëdhjetë ra në duart e civilizimit kristian. Meqë Alhambra, para se të binte në duart e civilizimit kristian, kishte qenë pothuajse qendra kryesore e civilizimit islam, pas pushtimit, siç shprehet Xhusi në gjuhën gjermane, “nah der eroberung”, pushtuesit nën ethet e fitores kishin filluar ta shkatërronin këtë qytet të rëndësishëm të civilizimit islam. Për fatin e tij të mirë, dhe për fatin e turistëve të sotëm që këtu vijnë, sepse Granada në përgjithësi dhe Alhambra në veçanti është vendi apo qyteti spanjoll më i frekuentuar nga turistët e planetit, kishte shpëtuar nga shkatërrimi falë një njeriu, që në atë kohë ishte njeriu numër dy në Spanjë për nga popullariteti dhe autoriteti. Ai njeri me popullaritet dhe autoritet numër dy në Spanjën e asaj kohe ishte Kristofor Kolombo. Alhambra kishte rënë në duar të “pushtuesve” të civilizimit kristian në vitin 1492, kur Kristofor Kolombo ishte në udhëtimin e tij, që në histori njihet si udhëtimi për zbulimin e Amerikës, por ai nuk e kishte ditur se kishte zbuluar një kontinent të ri. Kristofor Kolombo po kthehej nga udhëtimi dhe kur kishte arritur në qytetin Granada, kishte kuptuar se “pushtuesit” kristianë kishin marrë qytetin në duart e tyre, po e digjnin dhe po e shkatërronin. Ai ishte ngjitur në Alhambra dhe u kishte dalë përballë “pushtuesve” që, të ekzaltuar nga fitorja, po digjnin dhe po shkatërronin gjithçka. Me autoritetin dhe popullaritetin që kishte, kishte arritur t’i ndalte shkatërruesit dhe ta shpëtonte pjesën më të madhe të Alhambras. Falë angazhimit të tij, tregon Xhusi, që nga atëherë e deri sot në qendër të qytetit Granada qëndron statuja e Kristofor Kolombos dhe e mbretëreshës Izabel, ku paraqitet biseda e tyre si dhe kërkesa e Kolombos për mbulimin e shpenzimeve nga ana e mbretëreshës për udhëtimin që do të merrte për në Indi e që do të përfundonte në kontinentin deri atëherë të panjohur dhe të pazbuluar për njerëzimin.
Kemi kaluar kontrollin e rreptë në hyrje të Alhambras dhe kemi filluar të ecim nëpër Alhambra. Gjithandej shtëpi e ndërtesa të kohës së civilizimit islam, të kohës së sulltanëve të njohur të ish-Perandorisë Osmane. Hyjmë edhe nëpër kthinat ku kanë jetuar pashallarë dhe sulltanë të kohës. Këtu në Alhambra, mbase më mirë se edhe në vetë qendrën e atëhershme të Sulltanit, në Stambollin e sotëm, sheh se civilizimi islam ishte vërtet një civilizim i mirëfilltë dhe që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në civilizimin njerëzor. Ecim gjithandej nëpër ato kthina dhe mendja më shkon te kënga e njohur për Ago Imerin: “Ago Imeri u martue/ soll një natë ka ndejtë me grue/ i ka ardhë letra n’ushtri me shkue…” dhe në fund të këngës kur ai kthehet në vendin e vet në Shqipëri apo Kosovë, apo në ndonjë vend tjetër të etnikumit shqiptar, nuk ka fare rëndësi, sepse atëherë territoret e etnikumit shqiptar ndodheshin nën Perandorinë Osmane, takon nënën e lodhur nga vitet dhe mërzia për djalin që i kishte shkuar ushtar dhe nuk i ishte kthyer, kur e pyet se nga vinte, ai i përgjigjet: – “Nga po vjen more udhëtar?” “Po vij nga ajo e shkretë Spanjë!” Dhe kur e ëma e pyet se a mos e kishte njohur dhe takuar ndonjëherë të birin e tij, Imerin, Imeri i përgjigjet: – “E kam njohur mori nënë/ po Ago Imeri jetë ka ndërrue/ me këto duar e kam vorrue… etj” më duket si në ëndërr sikur e shoh të riun shqiptar Ago Imerin teksa bën rojë para selisë sulltanore të Alhambrës. Natyrisht që ndiej dhimbje për Ago Imerin dhe për Ago Imerë të tjerë që ishin të detyruar t’i linin eshtrat e tyre në Spanjë për interesa të sulltanëve të Perandorisë Osmane.
Kemi lënë prapa Alhambrën, po mua ende sikur më tingëllon në vesh kënga për Ago Imerin dhe për fatin e tij të keq. Megjithatë, kënga për të dhe për fatin e tij ka fund të gëzuar, sepse ai e shpëton nusen në ditën kur ajo po shkonte nuse diku tjetër, dhe pas një jave kthehet sërish në Spanjë, sipas besës që i kishte dhënë së bijës së mbretit, që i bie të ishte e bija e mbretëreshës Izabelë, e për besën e mbajtur mbreti i Spanjës e liron të kthehet te familja dhe nusja. Edhe pse kënga për Ago Imerin ka përfundim të gëzuar si në telenovelat turke, sa herë që e kam dëgjuar, jam gëzuar për Ago Imerin.
Pasdite ecim dhe shijojmë qytetin Granada. Qyteti e ka ruajtur qendrën e arkitekturës ndër shekuj, andaj edhe kjo pjesë e qytetit është atraksion për turistët.
Ka rënë mbrëmja dhe ne marrim rrugën e kthimit për në vendin dhe hotelin tonë me përshtypje të veçanta dhe të jashtëzakonshme nga Alhambra dhe Granada, përshtypje këto që do të jetojnë me ne e në ne gjatë.
Atdheun e Miguel de Servantesit, Spanjën, në mendjen time e kisha ndërtuar si një vend apo atdhe të aventurave të të famshmit Don Kishot, aventurat e të cilit sa ishin qesharake, po aq groteske. I cilësuar si libri apo romani më i mirë i të gjitha kohëve, Don Kishoti i Mançës i Servantesit, si të thuash, e kishte bërë të njohur Spanjën në të gjithë botën. Andaj çdo njeri, sapo ta ketë lexuar Don Kishotin, në mendjen e vet e ka nxitur kureshtjen dhe dëshirën për ta vizituar, parë dhe prekur atdheun e Servantesit, Spanjën. Edhe autorit të këtij shkrimi, pas çdo leximi të romanit të famshëm, i ishte shtuar kureshtja dhe dëshira për ta vizituar atdheun e Servantesit. Dhe një ditë, ashtu krejt rastësisht, do t’i plotësohej dëshira për një rrugëtim të tillë. Im bir, sigurisht i nxitur nga fjalët që kisha thënë sa e sa herë për Servantesin dhe Don Kishotin, pa më pyetur fare kishte bërë rezervimin e biletave për një vizitë njëjavëshe në Spanjë. Dhe që nga ai çast kishin filluar të më shfaqeshin skenat e filmave të ndryshëm që bënin fjalë për aventurat e Don Kishotit dhe përcjellësit të tij Sanço Pança. Dhe erdhi dita e nisjes. Derisa avioni fluturonte mbi retë e bardha në destinacionin Frankfurt – Madrid, në mendjen time më bëhej se i shihja të gjitha aventurat e Don Kishotit. Pas një fluturimi dy orë, avioni me mbi 300 udhëtarë aterroi në pistën e aeroportit të madh dhe mjaft modern të Madridit. Nga këtu nisin të shtatë ditët dhe netët në tokën spanjolle.
Nga aeroporti udhëtojmë me autobus drejt hotelit, që ndodhet në rrugën Alkala numër 611, që niste nga qendra e Madridit e që deri te hoteli zgjatej pothuajse në dhjetë kilometra. Këtë të dhënë do ta mësonim nga shoqëruesja jonë, njohëse e shkëlqyer e gjuhës gjermane, Jozefina, (që në gjuhën spanjolle quhej Xhozefina – Xhusi). Jozefina, shkurt Xhusi, ishte e lindur nga një nënë italiane, kurse nga një baba spanjoll. Dhe meqë kishte lindur, rritur dhe jetuar në Gjermani (deri në moshën njëzetvjeçare), e quante veten gjermane. Pas një nate të kaluar në Madrid, nisi rrugëtimi ynë (me autobus) drejt jugut të Spanjës – drejt krahinës jugore të saj – Andaluzisë. Rruga jonë kalonte nëpër krahinën e Mançes (La Mancha) të Don Kishotit dhe Sanço Panços. Gjithandej nga kalonim shihnim mullinj të erës me të cilët kishte bërë luftë Don Kishoti. Pothuajse në çdo ndalesë, restorant apo pikë karburanti të krahinës së Mançes shohim vizatime, por edhe skulptura të Don Kishotit në kalë me shtizë në dorë në pozicion sulmues, edhe përcjellësin e tij Sanço Pançon mbi gomar. Këto figura, sado qesharake në shikim të parë, duken të dashura. Edhe më të dashura i bën zëri i ëmbël i Xhusit, e cila flet dhe shpjegon me pasion për këto dy figura të skalitura aq bukur nga mendja e Servantesit. Xhusi na tregon edhe një fakt që s’e dinim. Për pak javë do të festohej 400-vjetori i lindjes së Servantesit. E tërë Spanja ishte nën ethet e festës për shkrimtarin më të madh të të gjitha kohëve të Spanjës dhe të letërsisë botërore. Krahina e Mançës së Don Kishotit të njohur sikur ka ruajtur gjithçka të kohës së heroit (imagjinar). Fusha të gjera gjithandej, kodrina pa asnjë dru apo pemë. Nëpër kodrina mullinj të erës, që sot janë relikte të një kohe të shkuar, ndonjëri prej tyre i kthyer në restorant.
– Gjithandej krahinës së Mançes ka shtëpi të rrënuara, sepse banorët kanë ikur nëpër qytete për një jetë më të mirë dhe më të rehatshme – na shpjegon Xhusi.
Gjatë rrugëtimit tonë për në krahinën e Andaluzisë, në të dyja anët e rrugës nga kalon autobusi, kodrina të tëra me ullinj. Xhusi na thotë se Spanja është eksportuesja më e madhe në botë e vajit të ullirit. Meqë, sipas Xhusit, në Spanjë jetojnë 44 milionë banorë, për një kokë banori duhet të ketë më shumë se gjashtë rrënjë ulliri.
Ndalesa jonë e parë në ditën e parë në tokën spanjolle është qyteti Kordoba. Në këtë qytet me rreth një milion banorë (Xhusi na tregon se në shekullin dhjetë të erës sonë ishte qyteti më i madh në botë me një milion banor) shohim objekte të ndryshme kulturore-historike të ndërtuara nëpër mijëvjeçarë, me stile dhe forma të ndryshme. Historia njerëzore edhe në tokën spanjolle ka qenë e tillë, pothuajse si te ne në Ballkan, ku janë ndeshur civilizime të ndryshme, të cilat, në përpjekje për të dominuar mbi njëra-tjetrën, kanë bërë edhe luftëra shkatërrimtare. Secili civilizim që ka fituar, para se të fillonte të ndërtonte diçka, ka shkatërruar atë të mëparshmin. Ka ndodhur që mbi rrënojat e një sinagoge të ndërtohej xhami dhe anasjelltas, apo mbi rrënojat e një xhamie të ndërtohej një kishë apo anasjelltas. Shembulli më i mirë i dominimit të civilizimeve të ndryshme në qytetin e Kordobas është katedralja e këtij qyteti e ndërtuar në themelet e një xhamie. Dikush atë e quan xhami e dikush tjetër katedrale, pasi që ajo gjysmë është xhami e gjysmë katedrale. Xhusi na tregon se ndërtesa që sot quhet katedrale më parë ka qenë xhami me 1 013 shtylla. Po kur qyteti kishte rënë në duart e të krishterëve, ata e kishin rrënuar xhaminë. Për fat të mirë, pas rrënimit të një pjese, dikush i ndal rrënuesit, kështu që xhamia e shndërruar në katedrale sot i ka 860 shtylla, ndërkaq në vendet ku ato tashmë i kishin rrënuar, fituesit kishin ngrehur katedralen. Sot ky objekt është i rëndësishëm për çdo vizitor.
Shtatë ditë dhe net në Spanjë (II)
Data në kalendar shënon 15 nëntor. Mbi qytetin e Sevilles mbretëron qielli i kaltër e pa re. Është mëngjes. Temperatura në termometër shënon 15 gradë. Sipas parashikimit të meteorologëve, na tregon Xhusi, temperatura sot do të arrijë 25 gradë. Ditë e bukur, si të jetë pranverë, ndërkaq kalendari tregon gjysmën e nëntorit. Shtegtimi ynë i sotëm fillon nga parku kryesor i qytetit të Sevillës. Xhusi, siç duket, e ka zgjedhur me qëllim parkun. Rrezet e diellit pranveror të nëntorit spanjoll depërtojnë nëpër kurorat e pemëve dhe drurëve të shumtë, e kur arrijnë në sytë tanë, formojnë pamje magjepsëse. Pemët e shumta frutore, të mandarinave, portokajve, limonëve, fiqve, edhe të ullinjve, janë ende me plot fruta dhe me gjethe të gjelbra. Xhusi na tregon se në Spanjë, sidomos në krahinën më jugore të saj në Andaluzi ku ndodhemi, stina e verës është e gjatë. Drunjtë e shumtë si dhe pemët frutore mbushen me gjethe dhe me lule që në fillim të shkurtit, kurse gjethet e tyre qëndrojnë të gjelbra deri në prag të vitit të ri. Rreth e përqark parkut pallate me arkitekturë të ndryshme. Pothuajse të gjitha pallatet e ngritura rreth e përqark parkut kanë apo mbajnë emra të shteteve të ndryshme të Amerikës Latine. Këtu shohim pallat të ndërtuar sipas stilit dhe arkitekturës së vendeve të Amerikës Latine që nga Kosta Rika e deri te Kili. Sot këto pallate, shumica e tyre, janë objekte kulturore-historike. Ndonjëra përdoret edhe si ambasadë apo konsullatë nga vendi që e ka ngritur. Dikush nga turistët e grupit tonë të ardhur nga Gjermania e pyet Xhusin për këto pallate të ngritura nga vendet e Amerikës Latine që, siç dihet nga historia, kanë qenë për kohë të gjatë koloni të Spanjës.
– Pallatet e ngritura këtu në Sevilla nga shtetet e Amerikës Latine janë si shenjë falënderimi për Spanjën si ish-kolonizatore e atyre vendeve, apo janë ndërtuar nga spanjollë të shpërngulur nga Spanja në ato vende pas zbulimit të Amerikës, të cilët mund t’i kenë ngritur ato në shenjë nderimi dhe respekti për ish-atdheun e tyre? Xhusi me një buzëqeshje të çiltër, pa e prishur fare terezinë, përgjigjet me zë të lartë: – Të them të drejtën një pyetje të tillë nuk ma ka bërë deri më sot asnjë turist. Unë kam lindur nga një nënë italiane dhe nga një baba spanjoll. Kam lindur në Gjermani, po veten e ndiej gjermane. Jam shumë krenare për atdheun e babait tim, Spanjën, në të cilën jetoj dhe punoj. Sa i përket pyetjes suaj, nuk di të jap përgjigje, por do të pyes e do t’ju tregoj në një nga ditët sa do të jemi bashkë. Mbase janë të dyja: Vendet e Amerikës Latine mund t’i kenë ngritur këto pallate si falënderim për vendin tim – Spanjën, jo si kolonizatore, por si përhapëse e civilizimit në ato vende. Mund të jetë edhe varianti tjetër, që ish-spanjollë të shpërngulur nga Spanja në ato vende, kanë ngritur pallatet në fjalë në shenjë dashurie për ish-atdheun e tyre, Spanjën. Sido që të jetë, qyteti i Sevillës në veçanti dhe Spanja në përgjithësi i ruajnë këto objekte apo pallate si diçka me shumë vlerë kulturore-historike.
Pothuajse në çdo qytet të Spanjës sheshi kryesor mban emrin “Plaza de Espanja”. Sheshi Spanja në qytetin e Sevilles mbase është sheshi më i bukur e më madhështor i këtij lloji në krejt Spanjën! I ndërtuar në vitin 1929, me rastin e një panairi ndërkombëtar të detarisë, arkitekti i tij është kujdesur që kjo vepër arti dhe kulture t’u qëndrojë shekujve dhe të numërohet si krenaria e qytetit të Sevillës, e Spanjës. Është projektuar që ta ketë formën e një njeriu i cili i hap krahët kur u uron mirëseardhje mysafirëve në konak. Është përpara ndërtesës madhështore e përbërë nga tri kulla të larta. Kulla më e madhe gjendet në mes, dy të tjerat ndodhen: njëra në krahun e djathtë, tjetra në krahun e majtë, të lidhura me murin e ndërtesave, që të gjitha e bëjnë një tërësi. Një tërësi madhështore së cilës do t’ia kishte zili çdo arkitekt i kohës së sotme. Xhusi flet me pietet për këtë vepër arti dhe kulture. Ajo thotë se Spanja ka pasur fat që nuk ka marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore dhe falë këtij fakti ka mbetur e paprekur nga bombardimet. Ajo tregon se Spanja ka pasur një luftë qytetare në vitet 1936-1939 e cila e ka dëmtuar vendin, por jo sa do ta dëmtonte Lufta e Dytë Botërore. Kur e dëgjoj Xhusin të flasë kështu më shkon mendja tek të gjithë ato brigada internacionale që kanë marrë pjesë në luftën e Spanjës që Xhusi e quan qytetare. Më erdhën në mendje emrat e luftëtarëve shqiptarë që kanë marrë pjesë në atë luftë. Disa nga ta kanë rënë në luftën e Spanjës dhe i kemi nderuar me titullin Hero i Popullit. Në ato çaste seç m’u kujtua kënga e njohur “Hasta la vista Anita ime e dashur/hasta la vista u pafshim përsëri/ hasta la vista o trima luftëtarë/ Spanja do t’ju thurë ju himne në kitarë?!” Spanja jo që u kishte kënduar himne luftëtarëve tanë, por as që dinte se ata kanë marrë pjesë në atë luftë. Së paku kështu më thotë Xhusi kur e pyes vetëm për vetëm se a kishte mësuar në histori për emrat e Asim Vokshit dhe të Xhemail Kadës që kishin luftuar dhe kishin rënë për lirinë e Spanjës. Ajo thotë se nuk ka mësuar kurrë në historinë e Spanjës për ata emra dhe se, nëse ata kishin shkuar të luftonin në Spanjë, kishim bërë gabim.
Pasditen e 15 nëntorit, nën rrezet e ngrohta të diellit, e kalojmë nëpër qendër të Sevillës, një nga qytetet më të veçanta Spanjës. Në Sevilla takon arkitekturën e vjetër të shekujve si dhe atë më të renë, të inkorporuar aq bukur si në asnjë qytet tjetër. Kisha lexuar diku se nëse e ke vizituar Spanjën dhe s’e ke parë Sevillën, nuk ke parë asgjë. U binda kur pasdite pashë dhe preka qendrën e Sevillës. Përveç arkitekturës mahnitëse të shekujve, këtu mbetesh i kënaqur edhe me ushqimin karakteristik spanjoll që do ta gjesh gjithandej qendrës së qytetit nëpër restorantet dhe lokalet e shumta ushqimore. Në Sevilla do të dëgjosh edhe këngët më të bukura spanjolle të shoqëruara me kitarë.
Qyteti Kadiz ndodhet në pikën më perëndimore të Spanjës. Këtu toka takohet me detin. Thënë më mirë, toka takohet me oqeanin. Ky qytet është i ngritur në brigjet e Oqeanit Atlantik. Kemi zbritur në këtë qytet pas një rrugëtimi prej tre orësh nga Sevilla. Koha është ideale për të shëtitur, parë e shijuar bukuritë mahnitëse të tij. Është pothuajse qytet i ri dhe modern, i ngritur mbi gërmadhat e qytetit të vjetër që, siç na tregon Xhusi, ishte zhdukur nga faqja e dheut pas një tërmeti të fortë në vitin 1704. Edhe këtu, pothuajse si në gjithë Spanjën, të gjitha pallatet dhe ndërtesat e tjera janë të suvatuara me ngjyrë të bardhë. Dhe siç e dimë nga ajo që kemi mësuar në shkollë, ngjyra e bardhë i reflekton rrezet e diellit, për ta larguar një pjesë të vapës zhuritëse, sidomos gjatë muajve më të nxehtë të vitit. Gjithnjë sipas Xhusit, këtu në Kadiz dhe pothuajse në të gjitha vendbanimet e Spanjës jugore temperatura gjatë muajit korrik dhe gusht arrin deri në 56 gradë. Kadizi është qytet industrial. Në këtë qytet është e njohur industria e ndërtimit të anijeve. Kadizi e ka të zhvilluar edhe përpunimin e industrisë ushqimore të peshkut. Gjithandej qytetit shohim fabrika të ndryshme për përpunimin e peshkut. Këtu shohim edhe tregun e madh të shitjes së peshkut. Kur e viziton këtë treg dhe sheh qindra, në mos mijëra emra të ndryshëm peshku dhe gjallesash të tjera të detit, të kujtohet thënia e njohur popullore: “Çka s’ka në det?” Grupi i turistëve të ardhur nga Gjermania mbetet i mahnitur nga ai numër i llojeve të peshkut dhe të gjallesave të tjera detare në tregun e Kadizit. Kushdo që vjen në këtë qytet duhet ta vizitojë tregun e peshkut, sepse është një atraksion i vërtetë për të gjithë ata që duan të mësojnë për gjallesat që jetojnë në dete dhe oqeane.
Qielli mbi Kadiz është krejt i kaltër. Temperatura ka arritur 25 gradë. Temperaturë ideale për të bërë plazh, por ne nuk kemi kohë për të, sepse pas drekës do ta vazhdojmë rrugën sipas programit të paraparë. Pas një shëtitjeje mbi dy orë me grupin, Xhusi na ka dhënë dy orë të tjera që të shëtisim secili dhe t’i shijojmë bukuritë e Kadizit. Gjatë kësaj kohe drekojmë në restorantet e shumta të këtij qyteti bregdetar. Shijojmë secili mishin e peshkut, që këtu është specialiteti numër një i kuzhinës spanjolle. Pas drekës lëmë prapa qytetin e Kadizit dhe nisemi për në destinacionin e radhës. Gjithandej nga kalojmë, nëpër autostradën moderne në jugun e Spanjës, në të dyja anët e saj shohim qytete dhe fshatra turistike. Shtëpi dhe pallate me arkitekturë që të lënë gojëhapur. Shohim shumë shtëpi e pallate të papërfunduara. Për këtë fenomen Xhusi jep këtë shpjegim: – Na ishte një kompani e njohur ndërtimesh në Spanjë që kishte ndërtuar pallate të panumërta. Kjo kompani një ditë, për shkaqe të panjohura, falimentoi dhe dridhi sistemin financiar të Spanjës. Pas falimentimit të asaj kompanie, askush më nuk e merr guximin ta vazhdojë këtë biznes, andaj kanë mbetur të papërfunduara këto shtëpi dhe pallate. Kur dëgjon një shpjegim të tillë, ai që vjen nga një vend që emrin e ka Kosovë, dhe e di se sa pallate dhe ndërtesa të tilla ndërtohen sot atje, domosdo të kapë shqetësim i ligjshëm. Kur në Spanjën e madhe dhe të fuqishme ekonomikisht, falimentimi i një kompanie ndërtimi e dridh financiarisht atë, çfarë do të ndodhte n vendin tuaj kur të falimentojnë kompanitë e ndërtimeve që në Kosovë kanë mbirë si kërpudha pas shiut?!
Kemi lënë prapa bregdetin e bukur spanjoll dhe jemi ngjitur kodrave të larta. Tashmë nuk jemi në autostradë, por në një rrugë nacionale të Spanjës që, me kthesat e saj, ma përkujton rrugën nga Peja drejt Kullës dhe Malit të Zi. Se ku ka ndër mend të na dërgojë sot Xhusi, një zot e di!
Për qytetin Ronda, që ndodhet në një rrafshnaltë majë malesh, nuk kisha dëgjuar asnjëherë. Në një prospekt turistik e kisha parë foton e këtij qyteti, por se do të ecja nëpër rrugët e rrugicat e tij nuk më kishte shkuar mendja. I ndërtuar në një rrafshnaltë majë malesh, është qytet që të lë pa frymë. Më shumë se fjalët për këtë qytet flasin pallatet dhe ndërtesat e ngritura mbi shkëmbinj. Xhusi na tregon se ky qytet është ndërtuar në kohën e Perandorisë Romake, që do të thotë e kanë ngritur romakët. Pjesa e vjetër e qytetit është një atraksion i vërtetë, që edhe kur e sheh të duket sikur je duke ëndërruar. Qyteti është ngritur mbi shkëmbinj saqë të krijohet përshtypja se është qytet i mbirë nga gurët, ashtu siç një përshtypje të tillë ta krijon qyteti ynë i Gjirokastrës. Shëtisim nëpër qytetin Ronda të mbirë nga gurët dhe mbi gurët dhe natyrisht bëjmë edhe shumë foto që t’i kemi kujtim nga ky qytet përrallor.
Qëllimin e vizitës së këtij qytetit e mësojmë vetëm pak çaste më vonë, kur Xhusi na rrëfen për Arenën e Teoradorëve apo arenën e sportit luftarak në mes të njeriut dhe kafshës, që në këtë rast është gjedhi, që në Spanjë është i vjetër sa vetë Spanja dhe arena që kemi përballë është ndër të parat, në mos e para e këtij lloji. Xhusi na i tregon ambientet ku zhvilloheshin “luftërat” në mes të njeriut dhe gjedhit. Sporti luftarak i Teoradorëve, përveç zgjuarsisë, duhet të ketë edhe trimëri. Ai sportist luftarak që del në dyluftim me gjedhin duhet të jetë edhe i zgjuar edhe trim, përndryshe nëse njëra nga këto dy veti i mungojnë, e pëson! – thotë Xhusi. Meqë për të parë drejtpërdrejt një ndeshje të tillë do të duhej të qëndronim javë apo muaj të tërë në Ronda, ne mjaftohemi të shohim xhirime nga luftërat që kanë ndodhur ndër shekuj. Në Spanjë sporti i Teoradorëve është pothuajse sporti më popullor dhe një ndër më të vjetrit i lindur dhe i rritur në tokën spanjolle. Si i tillë ai vazhdon të gjallojë edhe më tutje deri atëherë sa të ketë trima në tokën e Spanjës, e të tillët nuk i mungojnë Spanjës! – përfundon Xhusi shpjegimet me një buzëqeshje të lehtë. Një nga turistët nuk harron ta pyesë se përse Teoradori apo luftëtari kur del në dyluftim me gjedhin, e mban në duar një mbulesë me ngjyrë të kuqe? Xhusi ia kthen: – Është ngjyra e flamurit kombëtar të Spanjës. Në anën e përparme ajo mbulesë ka ngjyrë të kuqe, në anën e pasme të verdhë, që përkojnë me ngjyrat e flamurit spanjoll.
Kemi lënë qytetin e bukur dhe përrallor Ronda të Spanjës dhe kemi vazhduar rrugën për në hotelin që ndodhet diku në mes të qyteteve bregdetare Marbella dhe Malaga ku do ta bëjmë natën. Për Gjibraltarin, ndryshe Grykën e Gjibraltarit, kisha dëgjuar sa isha nxënës i klasës së shtatë, kur në lëndën e Gjeografisë mësonim për shtetet e Evropës. Atëherë mësuesi i gjeografisë na thoshte se Gryka e Gjibraltarit ishte një pikë gjeografike ku ndaheshin, por edhe takoheshin, dy kontinente, Evropa dhe Afrika, të cilat i ndan një vijë e hollë e Detit Mesdhe. Asnjë fjalë tjetër për Gjibraltarin nuk na kishte thënë mësuesi i gjeografisë.
Sot jemi ngritur, siç thotë populli, që me natë sepse, sipas Xhusit, kemi rrugë bukur të gjatë deri në Gjibraltar. Përveç rrugës së gjatë me autobus, thotë Xhusi, kemi edhe kufirin përpara i cili mund të na “hajë” edhe ndonjë orë të ditës, prandaj jemi nisur herët. Xhusi tregon se dikur Gjibraltari, Gryka e Gjibraltarit, i ka takuar Spanjës, por që nga viti 1704 ndodhet nën administrimin e Mbretërisë së Bashkuar, asaj angleze. Dhe anglezët janë të rreptë në gjithçka, thotë Xhusi dhe shton: Ata janë mjaft të rreptë edhe në pikën kufitare që ndan politikisht Gjibraltarin nga Spanja.
Në kufi duhet të jeni të kujdesshëm, thotë Xhusi, pasi që anglezët për hiçgjë mund të të kthejnë prapa. Vërtet anglezët u treguan shumë të rreptë në pikën kufitare në mes të Spanjës dhe Gjibraltarit. Gjatë kontrollit njërin nga pjesëtarët e grupit tonë nuk e lanë të hynte në tokën e Gjibraltarit sepse ai kishte pasaportë meksikane me vizë gjermane, e cila, sipas doganierëve anglezë, ishte e pavlefshme. Kot iu lut dhe iu përgjërua doganierit e shoqja gjermane e meksikanit. Meksikani me vizë gjermane mbeti aty të na priste në pikën kufitare derisa të ktheheshim nga vizita disaorëshe në Gjibraltar.
Ne që kishim kaluar pikën kufitare, rrugëtimin e vazhduam me autobus të Gjibraltarit, kurse autobusin e Spanjës me të cilin kishim udhëtuar deri në pikën kufitare, nuk e lanë të futej brenda në Gjibraltar. Kemi hipur në autobusin dykatësh anglez dhe Xhusi vazhdon rrëfimin për Gjibraltarin. Thotë se ka një popullsi prej rreth 30 000 banorësh, por që funksionon si të ishte shtet me të gjitha institucionet. Infrastruktura e Gjibraltarit ngjan me atë angleze. Edhe autobusët e veturat i drejtojnë në anën e majtë të rrugës si në Angli. Gjibraltari është një shtet anglez në miniaturë. Derisa Xhusi fliste dhe shpjegonte gjithçka që kishte të bënte me Gjibraltarin, mua seç m’u kujtua ai momenti sportiv i para ca muajve kur Federata Evropiane e Futbollit do t’i pranonte në radhët e veta Kosovën dhe Gjibraltarin.
Derisa ecim nëpër rrugët e Gjibraltarit sikur na krijohet përshtypja se po ecim në rrugët e Londrës apo të ndonjë qyteti tjetër anglez. Gjithandej shkrime dhe mbishkrime vetëm në gjuhën angleze. Për orët sa do të qëndrojmë në Gjibraltar, mund të themi se jemi edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Me teleferikun e ngritur, ku ta dish se kur, jemi ngjitur në majë të Gjibraltarit. Nga këtu shihet pamja mahnitëse e Grykës ku uji i ndan dhe i takon dy kontinente, Evropën dhe Afrikën, si dhe i ndan dhe i takon dy ujëmbledhësit gjigandë, Oqeanin Atlantik dhe Detin Mesdhe. Është data 18 nëntor. Temperatura ka arritur 25 gradë. Rrezet e diellit bien mbi sipërfaqen e Atlantikut dhe Mesdheut dhe nën reflektimin e tyre krijohet pamje magjepsëse. Fryn erë e lehtë. Edhe pse ndodhemi në lartësi mbidetare mbi 300-400 metra, thuajse që të gjithë kemi rroba verore në gjysmë të nëntorit. Atraksion i vërtetë për turistët që ngjiten në majën shkëmbore të Gjibraltarit janë edhe majmunët e shumtë që lëvizin gjithandej dhe herë pas here i përshëndesin turistët. Xhusi na ka tërhequr vërejtjen që nëse mbajmë syze dielli, kur të ngjitemi në majë, të kemi kujdes nga majmunët se i rrëmbejnë syzet. Duhet të kenë kujdes për çantat edhe gratë sepse edhe ato mund t’i rrëmbejnë majmunët.
Kemi lënë prapa Mahën shkëmbore dhe kemi zbritur në qytetin-shtet të Gjibraltarit dhe, si zakonisht, Xhusi na e ka dhënë një orë të lirë ta shohim, shijojmë qytetin, por edhe të bëjmë fotografi dhe të blejmë ndonjë dhuratë për më të dashurit tanë. Në orën e caktuar kalojmë kufirin, këtë herë pa ndonjë kontroll të jashtëzakonshëm dhe i drejtohemi autobusit që na pret në anën tjetër, në tokën spanjolle.
Në kthim e sipër (është pasdite nëntori me plot rreze të ngrohta dielli) ndalemi për disa orë në qytetin bregdetar Marbella. Me arkitekturën dhe infrastrukturën e qytetit në fjalë mbetemi të mahnitur. Si gjithkund në Spanjë, edhe në Marbella shumëkatëshe të panumërta si dhe hotele dhe restorante të shumtë, pothuajse që të gjitha të suvatuara me ngjyrë të bardhë. Në plazhet e Marbellës takojmë turistë nga e gjithë bota që shëtisin nëpër rrugët e qytetit bregdetar, ndërkaq ata që e duan detin i shohim duke bërë not. Meqë hoteli ynë nuk ndodhet larg nga Marbella, Xhusi na ka dhënë kohë të lirë të shëtisim dhe t’i shijojmë bukuritë e këtij qyteti përrallor deri në orën 20:00 të mbrëmjes.
Dita e gjashtë e qëndrimit tonë në tokën spanjolle agoi sërish me mot të mirë, me qiell të kaltër e me rreze dielli. Në këtë ditë do t’i themi mirupafshim krahinës jugore të Spanjës – Andaluzisë, e cila për pesë ditë na priti mirë, na shpalosi bukuritë natyrore dhe bukuritë që i kishte ngritur dora njerëzore. Të gjithë pjesëtarët e grupit tonë turistik, teksa i thoshim mirupafshim Andaluzisë, kishim shpresë se në një të ardhme të afërt do të rishiheshim sërish në Andaluzi.
Kemi marrë rrugën e kthimit për Madrid. Aty do ta kalojmë natën e fundit në tokën spanjolle. Gjithandej nga kalon autobusi ynë, në të dyja anët e autostradës na kënaqën sytë nga plantacionet me ullinj.
Kemi lënë prapa krahinën e Andaluzisë dhe kemi hyrë në krahinën e Mançes (La Mancha) të Don Kishotit. Gjithandej fushave dhe kodrinave të Mançes mullinj të erës, me të cilët dikur kishte luftuar Don Kishoti. Meqë janë larg autostradës nga kalojmë, nuk mund të bëjmë ndonjë foto afër tyre, ashtu siç nuk mund ta shohim as kryeqytetin e Mançes, Toledon që, sipas Xhusit, është ndër qytetet më të bukura të Spanjës. Por, thotë Xhusi, nëse ndonjëherë tjetër do ta vizitoni Spanjën, mos e lini pa e parë dhe vizituar Toledon, sepse është i bukur. Siç na tregon Xhusi, Toledo ka qenë kryeqytet i Spanjës deri në shekullin pesëmbëdhjetë, kur kryeqytet pastaj është bërë Madridi. Po sipas Xhusit, Madridi është zgjedhur qendër kryesore e Spanjës për një arsye të thjeshtë, sepse është në qendër të Spanjës, i arritshëm nga të gjitha anët në mënyrë të barabartë.
Në rrugë e sipër për në Madrid dikush nga pjesëtarët e grupit tonë e pyet Xhusin nëse do ta fitojë pavarësinë nga Spanja krahina e Katalonjës, me kryeqytet Barcelonën, që këtë herë ne nuk patëm fatin ta vizitojmë. Xhusi, kjo patriote spanjolle, ia kthen: – Përse u dashka që krahina e Katalonjës të ndahet nga Spanja? Ajo është pjesë integrale e Spanjës dhe do të jetë për jetë të jetëve! Nga toni i saj kuptuam se nuk kishte dëshirë të fliste për një gjë të tillë. Por ai që bëri pyetjen insistoi sërish: – E përse jo?! Katalonja ka bërë një referendum demokratik. Populli me shumicë ka votuar për ndarje. Populli i Katalonjës, për dallim nga ai i Baskisë që mënyrën e ndarjes nga Spanja e ka zgjedhur përmes dhunës, e ka zgjedhur me demokratike.
Xhusi sërish është kategorike, se as krahina e Baskisë, që ka zgjedhur rrugën e dhunës, as krahina e Katalonjës, që ka zgjedhur rrugën demokratike për t’u ndarë nga Spanja, nuk do të ndahen. Pas kësaj përgjigjeje kategorike të Xhusit, ai që pyeti dhe ne të tjerët heshtëm.
Po i afrohemi Madridit. Rrezet e diellit bien pjerrtas në dritaret e autobusit tonë. Xhusi po i shpërndan disa harta të qytetit të Madridit, në të cilin do të arrijmë pas pak. Gjersa Xhusi ma ofroi hartën në miniaturë të Madridit, e shfrytëzova rastin e me zë të ulët e pyeta nëse kishte dëgjuar ndonjëherë për Kosovën. Një çast u mendua, pastaj tha se diku ka dëgjuar apo lexuar për këtë emër gjeografik. Me një buzëqeshje karakteristike më thotë pse më pyete. Kur i tregova se vij nga Kosova, se Kosova ka shpallur pavarësinë e vet, por nuk e njeh Spanja, ajo e hapi gojën dhe tha: – Unë si individ nuk kam asgjë kundër pavarësisë së vendit tënd dhe uroj që atë pavarësi një ditë ta njohë edhe vendi im, por në kohët e sotme, kur vetë ndodhet para një sfide që i kanë hapur rajonet e saj, të cilat kërkojnë pavarësi, vështirë se do ta bëjë një akt të tillë për vendin tënd. Për arsyen e thjeshtë: po qe se Spanja do ta njihte pavarësinë e vendit tënd në këtë moment delikat, ajo pastaj do të duhej ta pranonte pavarësinë e rajoneve të veta.
Kemi arritur në kryeqytetin spanjoll, në Madrid. Sipas programit të sotëm, me autobus do të lëvizim deri në qendër të Madridit dhe aty do të zbresim ta vizitojmë këtë qytet mjaft modern. Gjithandej pallate dhe ndërtesa me arkitekturë të kohës së lashtë, që nga koha romake e deri më sot. Karakteristika të tjera në Madrid janë sheshet dhe bulevardet e gjëra si dhe shumë parqe gjithandej qytetit.
Kemi zbritur nga autobusi dhe po shëtisim nëpër zemër të Madridit. Po shohim objekte politike, kulturore-historike. Xhusi flet e flet ndërkaq ne, si të ishim nxënësit e saj, e dëgjojmë me kërshëri, në mënyrë që të mësojmë sa më shumë për kulturën e kaluar dhe të tashme të Spanjës.
Dita e shtatë e qëndrimit tonë në tokën spanjolle agoi me riga të shiut. Shiu në ditën e fundit sikur na befasoi të gjithëve. Nën rigat e shiut edhe qyteti i bukur i Madridit dukej më i zymtë. Por, ne kishim në program vizitën në Madrid tërë paraditen e 20 nëntorit. Xhusi na tha se për shkak të shiut do të ndryshojë paksa itinerari i shëtitjes sonë nëpër Madrid. Shiu, thotë Xhusi, na detyron të ecim më shumë me autobus sesa me këmbë, por edhe në këtë mënyrë do ta shihni dhe prekni shumë Madridin.
Para se të nisesha për Spanjë, im bir, që është simpatizues i flaktë i klubit të futbollit Real Madrid, por edhe i yllit të Realit, Cristiano Ronaldo, më kishte porositur ta vizitoja stadiumin Bernabeu të Madridit dhe të bëja foto. Nuk e dija itinerarin e vizitës sonë në Madrid, prandaj nuk i kisha thënë asgjë tim biri. Por, nganjëherë në jetë gjërat lëvizin në atë drejtim për të mirë që ti nuk e ke menduar. Shkak për këtë lëvizje të mirë u bë shiu. Meqë shiu mbi Madrid nuk pushoi pothuajse tërë paraditen e 20 nëntorit, Xhusi përgatiti për ne një befasi: Do t’ju dërgoi ta shihni stadiumin Santiago Bernabeu të Realit të Madridit. Kështu papritmas po plotësohej dëshira e tim biri që aty të shkrep fotografi. Vetëm një ditë më parë Reali i Madridit kishte korrur fitore 3-0 kundër Atletiko Madridit. Simpatizuesit e Realit kishin festuar pothuajse tërë natën nëpër rrugët e sheshet e shumta të kryeqytetit spanjoll. Xhusi ishte simpatizuese e Realit dhe pas fitores së tij, edhe ajo ishte tejet e gëzuar.
Kemi hyrë në ambientet e mrekullueshme të Santiago Bernabeut. Aty, bën me dorë Xhusi, hanë gjithmonë vipat kur shikojnë lojërat e Realit të Madridit. Vetëm hyrja në këto ambiente kushton tri euro për person. Pasi të kesh hyrë brenda dhe ta tregosh biletën e prerë, do të kesh mundësi falas ta pish një kafe apo ndonjë pije freskuese. Pjesëtarët e grupit tonë turistik janë pothuajse të gjithë mbi moshën 60-vjeçare, por që të gjithë janë të lumtur që iu dha mundësia ta shohin këtë stadium të njohur. Qëndruam nëpër ambientet e Santiago Bernabeut pothuajse një orë. Bëmë foto dhe incizime. Pas vizitës në stadium kalojmë nëpër shumë rrugë dhe sheshe të Madridit me autobus për shkak të shiut. Nëpër sheshet kryesore të Madridit shohim lapidarë të heronjve të ndryshëm realë, por edhe të heronjve të fantazisë njerëzore. Në një nga sheshet kryesore të Madridit shohim përmendoren e Don Kishotit dhe të Sanço Panços, i pari mbi kalin e famshëm, i dyti mbi gomar. Përmendoret e tyre hasen gjithandej qyteteve të Spanjës. Don Kishoti dhe Sanço Panço janë aq popullorë në Spanjë, saqë ti do të mendosh se ata kanë jetuar jetën prej të vërteti, edhe pse dihet se ata janë dy heronj të fantazisë së shkrimtarit të njohur. Po në Madrid, në njërin nga sheshet kryesore, shohim edhe lapidarin e të njohurit në përmasa botërore, Kristofor Kolombos, atij që e kishte zbuluar Amerikën, por që kishte menduar se ajo ishte India. Duke i parë këto befasi, mund të thuhet se Madridi është një qytet ku jetojnë krahas dhe të barabartë heronjtë realë me ata të fantazisë njerëzore.
Pothuajse në qendër të Madridit ndodhet edhe një stadium tjetër, Arena e Teoradorëve, e sportit mjaft të njohur spanjoll në mes të njeriut dhe kafshës që, mbase, është e vjetër sa vetë jeta. Dhe po sipas Xhusit, sporti i teoradorëve, përveç shkathtësisë, është sport i trimërisë, pasi që jo secili mund të merret me atë sport. Arena e këtij sporti në Madrid mbase është më e madhja e këtij lloji në botë!, – thotë Xhusi. Dhe edhe pse shiu nuk pushon, ne zbresim nga autobusi për të bërë foto para arenës gjigante e cila ka 25 000 ulëse. Brenda saj nuk hymë sepse nuk kemi kohë të mjaftueshme. Dhe kështu dalëngadalë po i vinte edhe fundi vizitës sonë shtatëditore në Spanjë. Xhusi na përcjell deri tek aeroporti i Madridit dhe aty ndahemi nga ajo dhe nga Spanja me përshëndetjen: Mirupafshim Spanjë!
Spanjë, 2017