Shtatë familjeve skamnore në Skenderaj do t’u ndërtohen shtëpitë e reja
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe humanisti Halil Kastrati nga Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, kanë vizituar familjet nga fshatrat e kësaj komune të cilat janë përzgjedhur nga komisioni komunal për çështje sociale, për ndërtim të shtëpive.
Familjet që janë përzgjedhur për shtëpi janë: Jashar Miftari – Runik, Tafil Abdullahu – Çitak, Gani Dervishi – Kosterc, Hajriz Hyseni e Astrit Krasniqi – Vajnik, si dhe Shefqet Sahiti e Behxhet Shala – Koliq i Poshtëm, të cilave gjatë vizitës u është kumtuar lajmi për ndërtimin e shtëpive të reja.
Me këtë rast, kryetari Jashari ka thënë se kjo po bëhet falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes komunës dhe Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” me një bashkëfinancim të projektit të përbashkët fisnik e human për t’u bërë zgjidhje për banim familjeve të cilat jetojnë në kushte shumë të vështira.
“Me humanistin Halil Kastratin nga Shoqata ‘Jetimat e Ballkanit’ kemi të nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim në ndërtimin e 25 shtëpive për familjet që kanë gjendje jo të mirë ekonomike. Në emër të familjeve përfituese, gjithë qytetarëve tanë dhe komunës, falënderoj hoxhë Halil Kastrati për këtë bashkëpunim të jashtëzakonshëm, nëpërmjet të cilit po u kthehet buzëqeshja familjeve në nevojë. Lajmet dhe veprimet e mira nuk mbarojnë këtu!”, ka thënë Jashari.
/Epoka e re/