Shtatë fëmijë humbin jetën nga shembja e shkollës në Kenia
Së paku shtatë fëmijë humbën jetën pas shembjes së klasës së tyre në një shkollë fillore në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.
Struktura prej druri është rrëzuar vetëm pak minuta pas nisjes së mësimit të hënën në mëngjes, kanë thënë zyrtarët.
Sipas tyre, dhjetëra fëmijë janë plagosur dhe janë dërguar në spitalin e qytetit.
“Për fat të keq kemi humbur shtatë jetë në incidentin e mëngjesit”, ka thënë sekretari i Arsimit, George Magoha, për gazetarët jashtë shkollës në Dagoreti.
Ndërsa drejtori i shkollës, Moisi Ndirangu, ka thënë se arsye e incidentit mund të jenë ndërtimet e një kanalizimi pranë, që, sipas tij, mund t’i kenë dobësuar themelet e ndërtesës.
Por, një arkitekt vendas, Alfred Omenya, i ka thënë “BBC”-së se shkolla ishte ndërtuar dobët dhe se “katastrofa pritej të ndodhte”.
Kryqi i Kuq i Kenias i transferoi disa fëmijë në Spitalin Kombëtar Kenyata.
Dy prej të plagosurve raportohet të jenë në gjendje kritike. /Rel/