Shtatë gratë e shtatë vendeve më të shëndetshme të planetit
1.ANGELA MERKEL. Kancelarja gjermane kurrë nuk e nënvlerësoi Covid-19. Rezultati: shkallë e ulët vdekshmërie (2%), një plan masiv ndihme, perspektivë për rihapjeje të shpejtë.
2.TSAI ING-WEN. Presidentja e Tajvanit i filloi kontrollet e gjithë avionëve që hynin nga Ëuhani që në dhjetor. Ajo e rriti prodhimin e maskave, që tani eksportohen në Evropë.
3.JACINDA ARDERN. Ashtu si për masakrën Christchurch, kryeministrja e Zelandës së Re e vuri vendin menjëherë në mbyllje dhe arriti në dhjetë ditë të përmbajë pandeminë.
4.KATRÍN JAKOBSDÓTTIR. Kryeministrja e Islandës, porositi teste falas për qytetarët e saj, një veprim që tërhoqi shkencëtarët dhe studiuesit, për të mësuar rreth virusit e përhapjes së tij.
5.SANNA MARIN. Udhëheqësja më e re e një qeverie në botë, me një qeveri të mbizotëruar nga gratë, kryeministrja e Finlandës vendosi që fëmijët të qëndronin në shtëpi.
6.ERNA SOLBERG. Kryeministrja e Norvegjisë i dha përparësi komunikimit dhe mbajti një fjalim drejtuar direkt fëmijëve për t’i qetësuar ata duke u shpjeguar situatën.
7.METTE FREDERIKSEN. Si homologia norvegjeze edhe udhëheqësja daneze mbajti një konferencë shtypi për pyetjet e fëmijëve dhe rihapi shkollat, duke thyer çdo rekord.
***
Katër janë nordikët e zakonshëm, të cilët gjithmonë e bëjnë gjithçka mirë: Islanda, Finlanda, Norvegjia, Danimarka; këtu nuk ka fare befasi.
Dy janë të vegjlit, Tajvani dhe Zelanda e Re. Por të dy janë mjaft të afërt me epiqendrën e pandemisë që po e dërrmon botën mbarë. Në ishullin kinez të kryesuar nga Tsai Ing-wen, ka vetëm gjashtë të vdekur deri më tani, masat e marra në kohën e duhur kanë shmangur rrezikun e madh, dhe tani nga atje eksportohen maska në të gjithë botën. Në shtetin oqeanik të Jacinda Ardern pasi mbylli kufijtë dhe vendosi karantinën për të gjithë të kthyerit nga jashtë, në të gjithë vendin ka vetëm 9 të vdekur deri më tani.
E shtata Gjermania, nuk është as e vogël dhe as ekzotike, dhe performanca e saj ka qenë e shkëlqyer dhe ende ashtu vijon të jetë. Një ndërthurje e seriozitetit, organizimit dhe burimeve të mëdha në dispozicion, e cila sigurisht nuk është vetëm për shkak të Angela Merkelit.
Suksesi daton herët që në sistemin e detyrueshëm të sigurimit shëndetësor të themeluar në 1883 nga Bismarck dhe më pas të reformuar nga Schröder me axhendën 2020. Modeli tradicional gjerman mbizotëron mbi sistemet e financimit universal nga taksat sipas llojit britanik (i lavdishmi NHS) dhe atij italian.
Krahas një disponueshmërie të pakrahasueshme me shtretër të kujdesit intensiv në Evropë, rrjeti i klinikave ambulatore të quajtur MVZ funksionoi, duke u rritur në pak vite nga 1.500 në 3.173. (Mbase kjo është thembra e vërtetë e Akilit për shëndetin në Lombardi).
Por Merkel e shfrytëzoi të gjithë kohën e mundshme, me maturi dhe vendosmëri, atë që nuk e bëri BoJo, ajo menjëherë i ftoi njerëzit që ta marrin seriozisht, duke anashkaluar fazën e gjatë të mohimit dhe pasigurisë që diku tjetër rezultoi fatale.
Sigurisht që nuk është e thënë që të kesh një grua drejtuese për të bërë më të mirën. Për shembull, Belgjika është një nga vendet më të goditura, me afro 4500 vdekje, pavarësisht thirrjes së Sophie Wilmes për të udhëhequr një qeveri emergjente anti-koronavirus.
Nuk mund të thuhet se vendet bëhen më të mira nëse ato drejtohen nga gratë. Por mbase mund të thuhet se ato vende drejtohen nga gratë sepse ato janë vende më të mira, dhe kanë sisteme më të hapura dhe të konsoliduara të përzgjedhjes. Nëse do të shkojmë vërtet në një depresion të stilit të viteve 1930, do të ndiheshim më të rehatuar me një udhëheqëse femër: në listën e tiranëve të shekullit XX nuk gjendet asnjë grua. /Corriere della Sera/Përktheu: Mapo/