Shtatë shtëpi do të ndërtohen në Drenas për familjet në nevojë
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të hënën ka nënshkruar marrëveshje të bashkëfinancimit me organizatën bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, përkatësisht me hoxhën Halil Kastrati, për ndërtimin e shtatë shtëpive për familjet në nevojë të Komunës së Drenasit.
Sipas kësaj marrëveshje të bashkëfinancimit, komuna obligohet që për secilën shtëpi të participojë në vlerën prej 5 000 euro, ndërsa pjesa tjetër mbetet nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” përmes donatorëve.
Ndërtimi i shtëpive për familjet ne nevojë do të fillojë gjatë kësaj jave dhe do të përfundojnë gjatë këtij viti.
Kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar hoxhën Halil Kastratin, shoqatën “Jetimat e Ballkanit” dhe gjithë donatorët për t’i ndihmuar familjet që kanë nevojë për ndërtimin e shtëpive dhe është zotuar se do t’i përbush të gjitha detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje e bashkëfinancimit.