Shtatë skuadra të Superligës me ndryshime në shtabe teknike
Shtatë klube të elitës kanë bërë ndryshime në pozitat e trajnerit para fillimit të edicionit 2018/2019, kurse pesë klubet e tjera u kanë besuar trajnerëve që kishin. Numri i ndryshimeve të shpeshta nëpër klubet e futbollit në Kosovë është i madh dhe i natyrshëm.
Më pak se një muaj ka mbetur deri te fillimi i Superligës së Kosovës në futboll, kurse skuadrat janë treguar mjaft aktive në afatin kalimtar, përfshirë edhe ndryshimet në shtabet teknike. Shtatë nga dymbëdhjetë skuadrat që numëron elita kanë bërë ndryshime në shtabe teknike. Skuadra më e suksesshme nga edicioni i kaluar, Drita që nën drejtimin e Bekim Isufit shkroi historinë duke u shpallur kampione e Kosovës pas plot pesëmbëdhjetë vjetësh, nuk ka bërë ndryshime dhe skuadrës sërish do t’i prijë Isufi.
“Kur jam emëruar trajner i Dritës kemi bërë marrëveshje për dy vjet e gjysmë”, ka deklaruar Isufi, duke konfirmuar qëndrimin në skuadrën gjilanase. Ashtu sikurse Drita, edhe Prishtina i ka besuar Mirel Josës, i cili kryeqytetasve ua rikthej trofeun e Kupës. Synim i trajnerit shqiptar në edicionin e ri është titulli i kampiones që i mungon Prishtinës që disa vjet. Dy skuadrat e tjera që nuk kanë ndryshuar trajnerë janë Trepça ’89 dhe Feronikeli, që drejtohet nga trajnerët nga Shqipëria. Këto dy skuadra nuk arritën ndonjë sukses edicionin që përfundoi, por Gugash Magani dhe Sulejman Starova mbetën të paprekshëm. Skuadra e pestë dhe e fundit që nuk bëri ndryshime ishte Ballkani nga Theranda. Kjo skuadër nën drejtimin e Bekim Shotanit u rikthye në elitë dhe me strategun vushtrrias pritet ta vazhdojë rrugëtimin në rangun më të lartë të garave.
Ndërsa befasia më e mëdha në ndryshimin e trajnerit ishte te skuadra e Llapit, pasi Tahir Batatina vendosi ta lirojë vendin për trajnerin e suksesshëm në Kosovë, Bylbyl Sokoli. “Profa” pati disa mosmarrëveshje me drejtuesit e Llapit, por ai do të jetë në krye të skuadrës llapjane. “Sokoli e ka kontratën njëvjeçare me skuadrën e Llapit, por dihet se trajnerin e mbajnë vetëm rezultatet dhe asgjë tjetër në bankën e një skuadre”, ka thënë Tahir Batatina, drejtor i KF Llapi.
Liria e Prizrenit, pavarësisht prej problemeve, pati një sezon të mirë, por ky klub u braktis nga Blendi Shkëmbi dhe në vend të tij u emërua Bedridin Gjinali. Ndërkohë, edhe Drenica pësoi ndryshime ku Sadat Pajaziti u largua nga ky klub për ta marrë drejtimin e Gjilanit, kurse Tahir Lushtaku nga posti i drejtorit është emëruar trajner i kuqezinjve. Ferizaj që u rikthye në elitë u braktis nga Bylbyl Sokoli, por sërish kësaj skuadre do t’i prijë një trajner i madh, Afrim Tovërlani.
KEK-u është skuadra tjerr e rikthyer në elitë dhe pas ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin shqiptar Bledar Devolli e ka rikthyer sërish Musa Selimin. Ndryshime në shtabin teknik ka bërë edhe skuadra e Flamurtarit nga Prishtina, e cila, në vend të Gafurr Rexhepit e emëroi ish-trajnerin e 2 Korrikut, Prishtinës dhe Trepçës ’89, Arsim Thaqin.
/Epoka e re/