Shtatë të vdekur nga aksidenti i një autobusi në Rusi
Të paktën shtatë persona kanë vdekur, përfshirë katër fëmijë dhe 32 të tjerë janë lënduar pas aksidentit të një autobusi në afërsi të Moskës, kanë njoftuar autoritetet.
Autobusi, që po barte 45 persona është rrokullisur në një rrugë lokale rreth 190 kilometra në jug të Moskës, ka njoftuar Ministria e Situatave Emergjente.
Siç ka njoftuar kjo ministri, janë dashur disa orë derisa ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin dhjetëra persona, të cilët janë bllokuar brenda autobusit.
Shumica e të lënduarve janë fëmijë.
Shkaku i këtij aksidente ende nuk dihet, por policia ka thënë se shoferi i autobusit është arrestuar dhe po merret në pyetje. Rruga ku është aksidentuar autobusi ishte e mbuluar me borë.
Agjencia e lajmeve ruse “Interfax”, ka cituar kryetarin e qytetit Yartsevo të ketë thënë se autobusi po barte disa fëmijë të një klubi të vallëzimit, të cilët ishin nisur drejt një gare vallëzimi në qytetin Kaluga.
Ministria e Situatave Emergjente ka theksuar se autobusi nuk është përplasur me asnjë makinë tjetër. Kjo ministri ka thënë se duket që autobusi ka devijuar nga rruga përpara se të rrokullisej.