“Shtatë udhë”, rrëfime për jetën
Bujar Tafa
Autori i disa përmbledhjeve me poezi, i disa librave studimorë nga fusha e gazetarisë dhe e psikolinguistikës, Rrahman Paçarizi, në muajin e kaluar u paraqit para lexuesve me prozën e gjatë “Shtatë udhë”. Prozë të shkurtër, kryesisht tregime, Paçarizi kishte botuar vite më parë në revista letrare periodike.
Numri emblematik “shtatë” i kësaj proze, krahas domethënies që bartë (për shatë ditë u krijua bota etj.),lidhet me situatat që autori i vlerëson më esencialet për qenësinë e tij, dmth. për përjetimet e tij, për fëmijërinë, dashurinë, luftën, lirinë, pushtetin, çmendjen dhe vdekjen.
Pa dhënë përcaktime teorike dhe formale rreth këtij libri, se a janë tregime të gjata, a janë novela apo thjesht roman (e të cilat unë po i quaj rrëfime të shkruara) unë vërej se për shkrimtarin Paçarizi thelbësore është ta shprehë atë që dëshiron ta shprehë, e që është shumë normale, sepse natyra e veprave të tilla në një mënyrë i vështirëson kufizimet formale dhe teorike. Të kuptohemi, Paçarizi mjeshtërisht dëshmon se nuk është rob dhe as fanatik i formës.
Porsa fillon ta lexosh këtë libër duket se Paçarizi merr pjesë të ndryshme të përjetimeve nga secili prej nesh. Secili prej nesh në rrëfimet e librit të tij gjen ngjarje të ngjashme nga fëmijëria e vet. Kjo fakturë mendoj se e determinon fuqishëm natyrën artistike të këtyre rrëfimeve. Dmth., aftësia e veprës që të zgjojë emocion gjatë leximit, në një mënyrë i rritë premisat e një vepre artistike letrare. Duhet thënë se Paçarizi i ka të regjistruara me përpikëri të habitshme çastet që detyrimisht na bëjnë për vete, na bëjnë bashkëpjesëmarrës dhe përjetues të tyre, thuajse magjike.
Është thënë, me të drejtë, në mënyra të ndryshme, se fantazia më e pasur është vetë realiteti. Autori në këto raste, në mënyrën se si i rrëfen kujtimet e veta, se si i rrëfen ngjarjet, atë botë e bën fantastike. Me këto rrëfim Paçarizi këndshëm dhe mrekullueshëm të fton t’i përjetosh ato çaste të cilat, si të thuash, kanë qenë skema në mjediset e Kosovës.
Paçarizi kur rrëfen për fëmijërinë të kujton, herë–herë Kadarenë, ndërsa kur rrëfen për atmosferën shoqërore e zyrtare dhe për konturat e organizimit dhe të sjelljes njerëzore, ta përkujton Kafkën, sidomos te rrëfimi “Pushteti im”, kur burokracitë dhe sistemi e ndrydhin dhe e torturojnë njeriun. Gjithashtu, duhet theksuar se autori herë–herë, kur portretizon personazhe dhe kur përshkuan situata, sidomos kur bën, si të thuash, zhbirime psikologjike të personazheve të ndryshme, apo kur bën edhe përshkrime të sferave të caktuara të ndjesive dhe të niveleve të dijes, rrëfimet e Paçarizit ngjasojnë me shkrime psikanalitike frojdiane. Kjo është kështu, ndoshta, edhe për arsyen e formimit profesional të autorit si studiues i psikolinguistikës. Kuptohet, te Paçarizi këto pjesë e kanë vulën apo bazën e atij refleksioni estetik, konkretisht artit, dhe kjo e bën edhe më të këndshëm leximin. Pra, dijen e tij shkencore Paçarizi ua nënshtron refleksioneve artistike.
Tendencën për përshkrim të hollësishëm Paçarizi ua lë të tjerëve, personazheve të ndryshëm të rrëfimeve. Do të thotë, në raste të ndryshme përshkrimet e tilla dalin nga personazhet e rrëfimeve. Rrëfimi “Pushteti im” përfundon me një rrëfim prekës që shënon edhe kthimin në vetën e tij.
Te rrëfimi “Lufta ime” autori i rrëfen tmerret e luftës së fundit në Kosovë, rrëfime të cilat më së miri i kupton ai i cili i ka përjetuar ato. Autori i ka përjetuar ato ndodhi dhe në disa raste ai me përpikëri i përshkruan ato çaste të cilat, edhe tash kur i lexon, të shfaqin para tmerr.
Rrëfimet e Paçarizit, sidomos ato të fëmijërisë, e mbajnë fuqishëm vulën e ambienteve autentike shqiptare, konkretisht kosovare. Autori nuk e sheh të nevojshme t’i ndryshojë e t’i “stilizojë” ato ambiente e ato situata dhe bën mirë që nuk i prekë “stilistikisht” ato kujtime e ato përjetime. Në saje të këtij konceptimi, s’do mend se është shumë e kuptueshme që, te ne lexuesit, ato situata na ngjallin një emocion të papërshkrueshëm e të fuqishëm. Me pak fjalë, ato janë përshkrime fantastike të idileve kosovare të gjeneratës së Paçarizit.
Rrëfimet e bukura, të shkruara bukur, ndër të tjera, bëhen nga shkrimtarët që kanë kujtesë të fortë. Paçarizi e ka këtë zotësi, ka kujtesë të fortë.
Kujtimet e tij bartin edhe një filozofi interesante të popullit tonë.
Në rrëfimet e Paçarizit ka përjetime shumë të ndryshme nga njëra–tjetra. Ka rrëfim për fëmijërinë e hareshme, kur bota ishte më e ngrohtë dhe më e mirë, në kuptimin e asaj që më shumë kishte lojë dhe kënaqësi e më pak shqetësime. Më tutje, kemi rrëfimin për tmerret e luftës, për vdekjen etj.
Te “Liria ime” rrëfimi i Paçarizit komplikohet paksa. Autori qëllimisht krijon situata paksa komplekse. Ai këtë e bën duke i trajtuar disa prej ngjarjeve reale të njeriut të pasluftës. Paçarizi rrëfimin e vet herë–herë e fragmenton por, megjithatë, lexuesi e ka të qartë bazën e ndodhive që rrëfehen nga autori. Keqpërdorimet e luftës, pasluftës, pastaj tentimet për t’i fshehur gjurmët e ndyra të disa personazheve të rrëfimit, na japin tablo shumë reale të Kosovës së pasluftës. Autori në këtë rast prek tema që janë edhe të ndjeshme, edhe komplekse, por që si synim e kanë të vërtetën. Përgjithësisht, në rrëfimet e Paçarizit ka edhe tregim, por ka edhe poezi dhe dramë. Ka art që të merr me vete dhe të çon horizonteve të papara e të papërjetuara ndonjëherë. Kjo më së miri vërehet te rrëfimi i fundit i librit me titull “Vdekja ime”, në të cilin shumë fuqishëm dhe prekshëm rrëfen vdekjen e nënës. Për nga fuqia shprehëse dhe ndjenjat e thella të humbjes së nënës që ndien autori, ky rrëfim ka përmasa të një rrëfimi antologjik dhe emblematik në kuptim të veçantisë së përjetimit dhe origjinalitetit të shprehjes së këtij rrëfimi. Ky rrëfim është skajshmërisht i fuqishëm sepse ndjenja është e tillë, e thellë. Vdekja e nënës përjetohet thellë. Në dhembjen e tij të gjithë ne marrim pjesë me autorin.