Shtatoret e Sali Çekajt e Mentor Tolajt në Deçan nuk janë në ngastrën e Manastirit
Në Deçan nuk e pritën fare mirë bartjen e 24 hektarëve tokë të ish-ndërmarrjeve ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’ në emër të Manastirit. Por jo vetëm kaq. Zyrtarët komunalë nuk i pritën edhe deklarimet se shtatoret e dëshmorëve Sali Çekaj e Mentor Tolaj, tashmë janë në pronësi të ngastrës kadastrale të manastirit. Në Komunë i demantojnë këto pretendime.
Pretendimet se shtatoret e heronjve Sali Cekaj e Mentor Tolaj, janë përshirë në kuadër të ngastrës kadastrale të Manastirit të Decanit, i hedhin poshtë zyrtarët përkatës komunalë.
“Unë po habitem kur dëgjoj se këto prona(ngastra i kanë kaluar Manastirit të Deçanit gjë që nuk është e vërtetë për shkak se shtatoret e dy heronjve Sali Çekaj dhe Mentor Tolaj, aty ku janë të ndërtuara, janë pronë komunale. Ne disponojmë me dokumentacione për dy parcelat që janë pronë komunale”, tha Agron Muslijaj, drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër në Deçan.
Deklarimet se shtatoret i janë bartur në pronësi Manastirit të Deçanit, fillimisht u bën nga analistë dhe përfaqësues të Shoqatës së historianëve të Deçanit. Por në komunë, konfirmojnë se ngastrat ku janë shtatoret, asnjëherë nuk ishin në pronësi të Manastirit. Ndërkohë, si pasojë e telasheve me këto prona, qytetarët ankohen se ndër vite, është penguar zhvillimi ekonomik i komunës, ngase janë shkatërruar asetet kryesore të turizmit.
“Më e keqja është se po e pengon zhvillimin e Deçanit, zhvillimin e turizmit kur dihet se pushimorja po bllokohet. Apiko veç është rrënuar, hoteli atje është rrënuar. Po pengohet shfrytëzimi i ujit mineral, guri i mermerit, zona e mbrojtur, pra të gjitha këto janë ato që po dëmtojnë komunën e Deçanit”, tha Adem Lushaj.
E qytetari tjetër deçanas Hysen Balaj ka thënë se kthimi i pronave për Manastirin e Deçanit po e bën pengimin e zhvillimit ekonomik, qoftë me ndërtimin e rrugës, qoftë me zhvillimin e turizmit. “I kemi edhe dy fshatra, ndoshta të vetmet në Evropë, të cilave nuk ju lejohet ndërtimi në pronat e tyre, qoftë i rrugëve, shtëpive të banimit apo çfarëdo që ata kanë të drejtë të ndërtojnë në pronat e tyre”, tha Balaj.
Deçani është ndër komunat me potencialet më të mëdha turistike në vend, por ende të pashfrytëzuara. Ndryshe, zyrtarët komunalë përsëritin se nuk e kanë pritur mirë vendimin e Qeverisë që autorizoi Agjensionin Kadastral për bartjen e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit, prona të ish-ndërmarrjeve ‘Apiko’ e ‘Iliria’.