Shtensionimi i situatës në veri, këto janë pesë pikat që Kurti ua propozoi Borellit dhe Quint-it
13 qershor 2023
| 11:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i ka propozuar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe Quint-it një plan me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Kurti të martën e ka nisur ditën me një takim me ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe shefin e misionit të Bashkimit Evropian, ndërsa dje tha se ka pasur një telefonatë me Borrellin.
Ai ka thënë se sundimi i ligjit është hapi i parë, duke përfshirë identifikimin dhe ndjekjen penale e gjykimin e drejtë të të gjithë atyre që e kanë sulmuar policinë, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët.
Pesë pikat e Kurtit:
- Sundimi i ligjit në katër komunat veriore dhe identifikimi dhe ndjekja e atyre që kanë sulmuar policinë, KFOR-in dhe gazetarët.
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës.
- Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
- Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore, që do të mbahen në atmosferë të lirë dhe demokratike.
- Kosova dhe Serbia kthehen menjëherë në dialog në të cilin BE-ja siguron zbatimin e marrëveshjes së arritur si dhe në javën që vjen të organizohet takim i nivelit të lartë.