Shtëpia e Bardhë drejt finalizimit të planit ekonomik për Lindjen e Mesme
Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, do të udhëheqë një delegacion të ShBA-së, në një turne në Lindjen e Mesme, për të finalizuar detajet e planit të tij të propozuar të zhvillimit ekonomik, prej 50 miliardë dollarësh për palestinezët, Jordanin, Egjiptin dhe Libanin.
Kushneri , pastaj i dërguari i Lindjes së Mesme, Jason Greenblatt, zyrtari i Departamentit të Shtetit, Brian Hook, dhe ndihmësi i Kushnerit, Avi Berkowitz pritet të bëjnë ndalesa në Izrael, Jordan, Egjipt, Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një zyrtar amerikan ka thënë se qëllimi i udhëtimit është të “vazhdojnë përpjekjet drejt finalizimit të pjesës ekonomike të planit”.
Kushneri ka punuar për dy vite në këtë plan, të cilin presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka quajtur “marrëveshje të shekullit”.
Pjesa politike e tij ende nuk është bërë publike. Plani synon zgjidhjen e përhershme të konfliktit ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.
Gjatë muajit qershor në Bahrein është mbajtur një konferencë ndërkombëtare, në të cilën përfaqësues të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare diskutuan mbi këtë plan.
Presidenti i autoritetit palestinez, Mahmud Abass, duke komentuar mbajtjen e konferencën, në të cilën nuk morën pjesë palestinezët, tha se zgjidhja politike është më e rëndësishme.
“Paraja është e rëndësishme. Ekonomia është e rëndësishme, por zgjidhja politike është më e rëndësishme”, pati deklaruar Abassi.
Disa ditë pas konferencës, këshilltari Kushner ka thënë se ShBA-ja është e gatshme të punojë me presidentin e autoritetit palestinez, Mahmud Abass.
“Abbasi e dëshiron paqen, por disa njerëz rreth tij nuk janë rehat me mënyrën se si e kemi adresuar këtë çështje, dhe reagimi i tyre natyror është të sulmojnë dhe të thonë gjëra të çmendura, që nuk janë konstruktive”, u ka thënë Kushner, gazetarëve.