Shtëpia e Bardhë paralajmëron fitore të Putinit nëse ndalet ndihma për Ukrainën
Shtëpia e Bardhë e ka lëshuar një paralajmërim të hënën se fondet e planifikuara për Ukrainën do të përfundojnë në fund të vitit dhe që presidenti rus, Vladimir Putin mund ta fitojë luftën, nëse Kongresi nuk miraton fonde të reja.
Shefja e Zyrës së SHBA-së për Buxhet, Shalanda Young, ka thënë, në një letër dërguar udhëheqësit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson që, nëse ndihma ushtarake përfundon, atëherë Kievi do të gjunjëzohet ndaj pushtimit rus.
Presidenti amerikan, Joe Biden, demokrat, i ka kërkuar Kongresit në tetor që të miratojë një pako ndihme në vlerë të 106 miliardë dollarëve për Ukrainën dhe Izraelin, mirëpo kongresistët janë të ndarë.
“Nuk ekziston një shportë magjike me fonde në këtë moment. Ne nuk kemi para – dhe gati as kohë”, ka shkruar Young.
“Mosdërgimi i armëve amerikane dhe pajisjeve tjera, do ta gjunjëzojë Ukrainën në fushëbetejë, duke vënë në rrezik jo vetëm avancimet ukrainase, por duke e rritur mundësinë për fitore ushtarake ruse”.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka shkuar përtej, duke sugjeruar që vota kundër ofrimit të ndihmës për Ukrainën, është në fakt votë për t’ia lehtësuar fitoren Rusisë.
“Kongresi duhet të vendosë nëse do të vazhdojë lufta për lirinë e Ukrainës… ose nëse Kongresi do t’i injorojë mësimet nga historia dhe ta lejojmë fitoren e Putinit”, ka thënë Sullivan në Shtëpinë e Bardhë.
“Është aq e thjeshtë”.
Kongresi amerikan është bllokuar në këtë pikë kryesisht prej ligjvënëse të së djathtës ekstreme, të cilët refuzojnë të miratojnë ndihmë shtesë për luftën në Ukrainë, e cila po hyn në vitin e tretë.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 111 miliardë dollarë për Ukrainën, prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022, përfshirë 67 miliardë dollarë për blerje të pajisjeve ushtarake.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.