“Shtëpia me gjak në mure”, libër kujtese mbushur me dhimbje

08 maj 2024 | 08:07

Lufta për çlirimin e Kosovës ka pasur çmim të lartë njerëzor. Është paguar me gjak. Është paguar me jetë. Është paguar me masakra dhe krime të llahtarshme. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë janë shkruar dhe botuar dhjetëra monografi për dhjetëra masakra që Serbia ka bërë ndaj popu­llatës shqiptare në Kosovë. Janë shkruar dhe botuar mijëra libra me prozë dhe me poezi me tema dhe me motive nga lufta në Kosovë në të cilat hasim çmimin e lirisë. Janë hartuar edhe disa raporte nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare të cilat dokumentojnë krimet e shumta të Serbisë në Kosovë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Por, për krimin më të tmerrshëm në Kosovë, për gjenocidin ndaj civilëve shqiptarë në Poklek të Vjetër, shumë pak është shkruar, kryesisht disa kumtesa, por edhe është folur pak. Pran­daj, pasi që kujtesa jonë historike për gjenocidin në Poklek të Vjetër është lënë mënjanë nga studiuesit dhe nga shkrimtarët, nga institucionet lokale dhe nga ato qendrore, deri vonë edhe nga institutet dhe institucionet e trashëgi­misë kulturore, fillova përgatitjen e kësaj monografie në shenjë nderimi dhe kujtimi për vrasjen e civilëve shqiptarë nga forcat policore dhe ushta­rake të Serbisë në Poklek të Vjetër të Drenasit (ish-Gllogocit) në prill të 1999-s.

Paraprakisht, meqë kemi të bëjmë me një libër kujtese, me një libër me dëshmi për krimin serb, duhet sjell ndër mend se ka shumë dëshmi që dokumentojnë krimet e Serbisë në vitin 1998 në Likoshan, Prekaz, Qirez, Abri të Epërme, Rezallë, Çikatovë të Vjetër, Poklek, Izbicë, Vërbovc, Shavarina etj.

Duhet sjell ndër mend, po ashtu, se Drenica është një zonë e njohur kryengritëse në Kosovën qendrore, e banuar pothuajse krejtësisht nga shqiptarë etnikë. Banorët e kësaj zone kanë një traditë të rezistencës së fuqishme ndaj fuqive të huaja, nisur që nga sundimi turk në Ballkan, deri në sundimin e fundit serb. Kështu tutje, meqë Serbia fshatrat e Drenicës i konsideronte vendlindje e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneralët e ushtrisë së Serbisë dhe drejtorët e policisë së Serbisë i kishin në shënjestër fshatrat e Drenicës, popullatën e saj, ndaj së cilës bëri krime të shumta dhe shkeli çdo konventë ndërkombëtare dhe bëri gjenocid.

Një prej shumë krimeve që ka bërë Serbia në Drenicë dhe gjithandej në Kosovë, sipas bindjes sime dhe peshës së krimit, më të rëndin, kulmin e krimeve, e ka bërë në Poklek të Vjetër të shtunën e 17 prillit të 1999-s. Forcat policore dhe ushtarake të Serbisë, pasi i kanë vrarë, i kanë djegur dy-tri herë kufomat e 53 civilëve shqiptarë të paarmatosur, në mesin e tyre foshnja gjashtëmuajshe dhe pleq 75 vjeç. Sipas të mbijetuarve dhe dësh­mitarëve, krimi gjenocidal serb në Poklek të Vjetër është kryer në shtëpinë e Sinan Muçollit. Brenda asaj shtëpie ishin strehuar dhjetëra anëtarë të familjes Muçolli, Caraku, Elshani dhe Hoxha.

Se si kanë mbetur ato familje aty, se çfarë kanë përjetuar njerëzit aty, flasin të mbijetuarit dhe dëshmitarët në këtë libër. Kujtesa e tyre ende është e freskët. Traumat e tyre u vlojnë në shpirt dhe mendje. Gjurmët e krimit ende janë aty në shtëpinë e shpallur muze i krimit.

Çdo ditë familjarët e civilëve shqiptarë të vrarë i shohin gjurmët që kanë lënë më të afërmit e tyre dhe gjurmët që kanë lënë kryesit e krimit. Shohin vendin ku janë vrarë dhe djegur familjarët e tyre. Dëshmi të krimit kanë edhe gjërat që familjarët e vrarë dhe të vdekur u kanë lënë aty, si: rrobat, stolitë, fletoret, librat, lojërat, dhe gjakun në muret e shtëpisë dhe në dyshemenë e bodrumit.

Pra, përjetimet e të mbijetuarve, të dëshmitarëve dhe kujtimet e fami­ljarëve të gjallë për të vrarët janë përmbledhur në këtë libër. Rrëfimet e tyre të rrëqethin trupin dhe të shtrijnë përtokë. Të dërrmojnë fizikisht dhe shpirtërisht. I dërrmojnë, më së shumti, ata që i kanë përjetuar dhe që, sa herë e kujtojnë atë ngjarje, atë ditë, më shumë se kurdoherë tjetër bëjnë thirrje për drejtësi. Ka bërë thirrje për drejtësi secili që ka rrëfyer në këtë libër. Asnjëri prej tyre nuk ndihet i qetë derisa nuk dënohen kryesit e krimit. Disa familjarë të tyre, të vdekur pas luftës, kanë shkuar me shpresë se do ta përjetojnë dënimin e kryesve të krimit. Por, ata i kanë mbyllur sytë përgjithmonë pa e parë drejtësinë.

Ashtu si të mbeturit gjallë, e gjithë bota e di se krimet e luftës nuk vjet­rohen kurrë. As krimi i tmerrshëm në Poklek të Vjetër nuk do të vjetrohet kurrë, se nuk do ta lëmë të vjetrohet ne që bëjmë hulumtime dhe që shkruajmë, as ata që edhe më tutje janë në gjendje, pavarësisht se kujtimet e luftës i trandin shpirtërisht, flasin për masakrën e Serbisë ndaj tyre.

Duke lexuar këtë libër me përjetime mund ta çmojmë edhe më shumë lirinë sesa e kemi çmuar deri më sot. Duke lexuar këtë libër të dhimbjes do ta shohim sakrificën e madhe të njerëzve për lirinë. Duke parë shtëpinë në Poklek të Vjetër, tash të shpallur shtëpi-muze, do të shohim çfarë krimi kanë kryer forcat policore dhe ushtarake të Serbisë ndaj popullatës civile shqip­tare. Së këndejmi, duke lexuar dëshmitë e tyre dhe duke ndier vajin dhe mallin për familjarët e vrarë, do të qajmë dhe ndiejmë bashkë me ta.

Ndihem me fat që kam arritur ta përgatis libër për këtë ngjarje të kobshme kombëtare, po ashtu që kam mundur t’i kontrolloj dhe kapërcej emocionet e mëdha të përjetuara me secilin prej anëtarëve të këtyre familjeve. Ndërsa ju, lexues, fillimisht përmbahuni se, gjatë përshkrimeve të ngjarjeve, do të përfytyroni pamje tmerri!

Afrim Hysenaj, autor

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Shefqet Binaku, gjatë dhënies së dëshmisë së tij në…