Shtetasi i Kosovës dënohet me burgim të përjetshëm nga gjykata e ShBA-së
Gjykata Federale e Qarkut në Brooklyn të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dënuar me burgim të përhershëm, Mirasad Kandiçin, shtetas kosovar që jetonte në New York përpara se të udhëtonte për t’iu bashkuar ISIS-it.
Kandiç kishte filluar të punoi me Shtetin Islamik në vitin 2013, duke ndihmuar kështu në avancimin e fushatës së tij të zhihadit global, transmeton prestigjiozja amerikane “The New York Times”.
Gjatë katër viteve të ardhshme, ai kishte luftuar në të paktën një betejë dhe ka operuar nga shtëpitë e sigurta në Siri, Turqi dhe Bosnje e Hercegovinë.
Kështu kanë thënë prokurorët federalë amerikanë, duke shtuar se i njëjti ka përhapur propagandë dhe ka kontrolluar një rrjet llogarish pro-ISIS në Twitter.
Po ashtu, ata kanë potencuar se i njëjti ka luajtur një rol në rekrutimin ose trafikimin e shumë prej luftëtarëve të ISIS-it, duke përfshirë një adoleshent australian të quajtur Jake Bilardi, i cili përfundimisht vdiq si një kamikaz në Irak.
Vitin e kaluar, një juri në Brooklyn e gjeti Kandiç, i cili kishte jetuar atje dhe në Bronx përpara se të udhëtonte jashtë shtetit, fajtor për konspiracion dhe mbështetje materiale për ISIS-in. Të premten, ai u dënua me burgim të përjetshëm nga gjyqtari Nicholas G. Garaufis i Gjykatës Federale të Qarkut në Brooklyn.
Prokurori J. Matthew Haggans, i ka thënë gjykatësit Garaufis përpara dënimit se Kandiç kishte përqafuar me zell teologjinë vdekjeprurëse të Shtetit Islamik.
“Ai ishte një tregtar i vdekjes dhe shkatërrimit”, tha Haggans.
“Ai ishte një terrorist global për një organizatë terroriste globale në zenitin e saj”.
Nga ana tjetër, Kandiç i ka thënë gjykatësit se ai nuk ishte person i dhunshëm dhe nuk kishte lënduar askënd, duke shtuar: “Kërkoj falje”.
Pak çaste më vonë, gjykatësi Garaufis e përshkroi sjelljen e z. Kandiç si “ekstreme” dhe “të pamatshme”, duke thënë se ai i kishte kthyer besimet “në urrejtje dhe vrasje në shkallë të madhe”.
“Jake Bilardi nuk e meritonte të vdiste”, ka thënë gjykatësi Garaufis, duke shtuar se “ai nuk meritonte të vriste askënd.”
Ndryshe, Kandiç, një shtetas i Kosovës dhe banor i përhershëm ligjor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte një nga mijëra figurat e radikalizuara nga dhjetëra vende që udhëtuan në Lindjen e Mesme për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.
Megjithëse ai u vendos në listën e ndalimit të fluturimeve dhe u pengua dy herë të hipte në fluturime për në Evropë, Kandiç mundi të largohej nga Shtetet e Bashkuara për në Stamboll në vitin 2013, duke marrë një rrugë të komplikuar që përfshinte ndalesa në Teksas, Meksikë, Panama, Brazil, Portugalia dhe Gjermania.
Pas mbërritjes në territorin e ISIS, prokurorët thanë se Kandiç iu bashkua një brigade me luftëtarë kryesisht të huaj, të quajtur Jaish al-Muhajireen ëal-Ansar dhe të udhëhequr në atë kohë nga një shtetas gjeorgjian, Omar al-Shishani, i cili shërbeu si ministër i luftës në Shtetin Islamik.
Ai gjithashtu vendosi marrëdhënie me udhëheqësit e ISIS si Abu Luqman, guvernator i grupit të provincës Raqqa dhe Bajro Ikanovic, një shtetas boshnjak që drejtonte një kamp trajnimi për rekrutët në Sirinë veriore, thanë prokurorët.
Provat e paraqitura në gjyq nga prokurorët treguan se Kandiç i transmetoi Ikanoviç “inteligjencën e fushëbetejës” dhe një herë e paralajmëroi atë për praninë e “një spiuni” në Mosul, Irak.