Shtetasi i Serbisë ndalohet në Bistricë, i konfiskohen mbi 30 mijë euro të padeklaruar
Një shtetas i Serbisë është ndaluar në orët e hershme të së dielës në fshatin Bistricë në Leposaviq, ndërsa në veturën e tij janë gjetur 30 mijë euro të padeklaruara, të cilat janë konfiskuar.
Policia e Kosovës ka bërë me dije se M.R. (2003) ishte duke drejtuar një veturë “Skoda” me targa të huaja kur është ndaluar.
“Me datën 22.01.2023 rreth orës 00:28, Njësia Speciale Operative përderisa po realizonin një pikë kontrolli në fshatin Bistricë kanë ndaluar veturën ‘Skoda’ ngjyrë e zezë me targa të huaja me vozitës M.R (2003) shtetas i Serbisë. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur një sasi e konsiderueshme e të hollave në vlerë prej 30.870 euro të cilat personi i dyshuar i kishte të padeklaruara . Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda i cili ka sugjeruar të iniciohet vepra penale ‘Mosdeklarim i pasurisë’ dhe të konfiskohen të hollat. Personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.
Më tutje, policia ka thënë se mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe parandalimin e të gjitha dukurive negative dhe veprave penale në vend.